Kapiti: Ligjin e kanë pronë të tyre vetëm të fortët e korrupsionit, të krimit dhe të hajdutërisë politike e të drejtësisë politike

  • 03 April 2019 - 13:03
Kapiti: Ligjin e kanë pronë të tyre vetëm të fortët e korrupsionit, të krimit dhe të hajdutërisë politike e të drejtësisë politike

Analisti Skënder Kapiti thekson për “Kosova Sot” se demokracia në Kosovë keqfunksionon ose funksionon së prapthi, përderisa demokracia në Kosovë nuk ka ndërtuar dhe nuk punon për ndërtimin e shtetit ligjor me standarde moderne shtetformuese.

“Me të këqija demokratike kuptohet mashtrimi demokratik me fasadë demokratike, me mashtrime e thashethemnaja vlerash demokratike të demaskuara nga realiteti real ku ndodhet sot shteti dhe demokracia në Kosovë, ashtu sikurse edhe në Shqipëri”, u shpreh ai.

Sipas Kapitit, demokracia moderne mbijeton si alternativë sistemi vetëm nëse në atë sistem mbisundojnë dhe qeverisin ligjet demokratike, vetëm nëse ligji demokratik zbatohet barabartë për të gjithë qytetarët pa dallim statusi politik, ekonomik e juridik.

“Dhe, përderisa në Kosovë një gjë e tillë nuk është realisht e praktikuar në sistem, dhe përderisa ligjin e kanë pronë të tyre, një të drejtë të tyre vetëm të fortët e korrupsionit, të krimit dhe të hajdutërisë politike e të drejtësisë politike, atëherë demokracia, shteti ligjor dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit janë të destinuara për të dështuar”, ka theksuar Kapiti.

“Sot, Kosovës dhe shoqërisë kosovare kërcënimi më i madh u vjen nga politika, krimi i organizuar dhe korrupsioni politik,nepotiko-familjar dhe ai juridiko-ligjor, të cilat janë edhe arsyet dhe shkaktarët kryesorë që e mbajnë Kosovën të prapambetur demokratikisht dhe ekonomikisht si dhe larg integrimit në BE.

Në këto kushte duhet të fillojë të zgjohet dhe të lëvizë shoqëria civile në Kosovë, të organizohet e të protestojë fort për ndëshkimin e kësaj klase politike, të kësaj elitë politike antipublike dhe antikombëtare si dhe të kësaj kaste drejtësie të kapur nga krimi dhe korrupsioni, në të kundërt atëherë shoqërisë i vijnë këto pasoja e vuajtje edhe për meritë të indiferentizmit apo të pajtimit të saj me këtë realitet”, potencoi ai. Sipas tij, shoqëria duhet të reagoje dhe të kërkojë me këmbëngulje VETTING-un për drejtësinë, politikën dhe për tërë sistemin. “Kjo është nevoja më e madhe jetike për shoqërinë edhe në Kosovë”, ka thënë Kapiti.

(Kosova Sot)