Grapci: Shkatërrojnë ambientin dhe njerëzit për përfitime të tyre

  • 03 April 2019 - 14:07
Grapci: Shkatërrojnë ambientin dhe njerëzit për përfitime të tyre

Analisti Dardan Grapci ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se tregu i naftës duhet të kontrollohet, por jo nga mafio-oligarkët, të cilët e kanë synim shkatërrimin e ambientit me cilësi të dobët të naftës, por të kontrollohet nga ekspertë dhe individë, të cilët e kanë me profesion kontrollimin e naftës dhe shikimin e cilësisë së ajrit në vend, si dhe analisti për t’i bërë analizat e naftës, se a është e cilësisë së lartë apo jo.

“Por, siç është një fjalë popullore - kur macja nuk është aty, minjtë hedhin valle. Dua të shtoj se në Kosovë ende nuk ka hyrë në fuqi mbrojtja e ambientit nga nafta, dizelli dhe veturat e vjetra, të cilat ekzistojnë ende në territorin e Kosovës. Duhet që sa më shpejt të krijohet një projektligj që në mes të viteve 2022-2030 dhe Kosova të fillojë implementimin e një rregulloreje, që të ndalohet shit-blerja e veturave me naftë dhe të fillojë ligji për shitjen e veturave hibrid dhe elektrike, që ato të shiten pa TVSH. Si dhe doganimi i tyre të bëhet 70% më lirë sesa veturat që i kemi momentalisht.

Prandaj, derisa Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr masa urgjente për parandalimin e hyrjes së naftës me cilësi të dobët në Kosovë, qytetarët do thithin kancer, tumor etj. Si dhe operatorët që po merren me importimin e naftës në Kosovë po bëjnë marrëveshje të fshehta me klanet biznesore, të cilat e kanë synim përzierjen e naftës me ujë dhe shitjen te konsumatori”, është shprehur analisti Dardan Grapci.

Ai tutje ka shtuar se nuk kemi nevojë shumë për të menduar se në xhepat e kujt dhe kontot bankare po shkojnë ato para kriminale, sepse të gjithë e dimë se ato po përfundojnë tek politikanët, të cilët janë vetë pronarë të këtyre pompave të benzinës në Kosovë.

(Kosova Sot)