Zeqa: Shpresa dhe optimizmi i varur nga pushtetarët

  • 03 April 2019 - 14:11
Zeqa: Shpresa dhe optimizmi i varur nga pushtetarët

Analisti Florim Zeqa thotë se shqiptarët e Kosovës para dhe gjatë luftës i ka mbajtur gjallë shpresa e optimizmi për ditë më të mira, madje pas luftës u kthyen në Kosovë nën tendat (çadrat) e ngritura në themelet e shtëpive të djegura, rindërtuan dhe ndërtuan shtëpitë e tyre dhe filluan jetën me shpresën se në shtetin e lirë e të pavarur do të bëjnë një jetë dinjitoze, por me kalimin e viteve në shtetin e pavarur iu zbehën ëndrrat nga zhgënjimi që iu erdhi nga klasa politike shqiptare.

“Si pasojë e thyerjes së shpresave për jetë në Kosovë, tani popullata e zhgënjyer po i lë shtëpitë e ndërtuara me shumë mund pas luftës e po e marrin botën në sy për një jetë më të mirë, ngase në vendin e tyre nuk u ka lënë vend as për të ëndërruar klasa e kusarëve politikë në pushtet dhe opozitë!

Pra, situata është tepër shqetësuese dhe e dhimbshme njëkohësisht, për shkak se Kosova po zbrazet si asnjëherë deri më tani,...por është kjo një zbrazje e kobshme në heshtje!”, u shpreh ai. “Klasa politike tërësisht e korruptuar dhe inkriminuar po i zhvatin dhe po i shkelin qytetarët kosovarë në baza ditore. Qytetarët të lodhur nga denigrimi social, të papunë dhe të izoluar kanë mbetur të mbijetojnë në mëshirën e fatit në një shtet ku nuk sundon ligji, por nëntoka kriminale.

Më në fund edhe qytetarët e kanë kuptuar se realisht asnjë parti dhe asnjë lider, qoftë në pozitë apo në opozitë, nuk mërzitet fare për popullatën, për varfërinë e papunësinë, për shëndetësinë e arsimin kurrfarë, sigurinë dhe drejtësinë që nuk ekziston, por qëllimin kryesor e kanë interesin personal si t`u shërbejnë mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, të cilët ua “lagin fytin”duke i shpërblyer pandërprerë”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.

“Qytetarët, të lodhur me pushtetarët milionerë, të korruptuar dhe tejinkriminuar, me shpirt të thyer dhe zemër të plagosur janë duke i braktisur vatrat shekullore dhe me lot ndër sy janë duke e kërkuar shpresën sa më larg atdheut të tyre”, vlerëson më tej ai.

Sipas Zeqës, i madh e i vogël, i varfër dhe me gjendje edhe mesatare ekonomike janë duke e menduar vetëm ikjen sa më të shpejtë nga Kosova, ndoshta edhe për të mos u kthyer kurrë më në vendlindje, për çka shumë shpejt mund të ndodhë përgjysmimi i banorëve të Kosovës, që si duket është edhe synimi edhe qëllimi i fundit i sunduesve aktualë, mafiozëve politikë, oligarkëve ekonomikë dhe matrapazëve të të gjitha llojeve, për të realizuar më lehtë planet ogurzeza për ndarjen dhe zhbërjen e Republikës së Kosovës sipas orekseve të fqinjëve tanë veriorë e jugorë, lindorë apo perëndimorë.

(Kosova Sot)