'Singapore Airlines', aviotransportuesi më i mirë në botë

  • 03 April 2019 - 16:07
'Singapore Airlines', aviotransportuesi më i mirë në botë

Për të dytin vit me radhë, "Singapore Airlines" është shpallur aviotransportuesi më i mirë në botë, duke marrë shpërblimin e "TripAdvisor" të quajtur "Travellers' Choice Award", derisa kompania "Jet2.com" është shpallur më e mira në Britani dhe Evropë dhe "Southwest Airlines" është shpallur si kompania më e mirë ajrore në Amerikën veriore. Fituesit janë përzgjedhur duke përdorur një algoritëm, i cili ka marrë parasysh kuantitetin dhe kualitetin e vlerësimeve dhe klasifikimeve të kompanive ajrore, si dhe kategorizimin e bërë nga udhëtarët në mbarë botën përgjatë një periudhe prej 12 muajsh në fluturimet "TripAdvisor". Kompania ajrore e dytë, më e mirë, në botë, për vitin 2019, është shpallur "Qatar Airways", ku pesëshen e parë në listë e plotësojnë edhe "EVA" e treta; "Emirates" në vendin e katërt dhe "Japan Airlines" në të pestin. Në kategorinë e kabinës më të mirë të klasit të parë, fitues është kompania "Emirates", në atë të klasit të biznesit fitues është "Qatar", në kategorinë "best premium economy" fitues është shpallur "Air New Zealand", derisa në kategorinë më të mirë ekonomike, "Singapore Airlines".

"EVA Air", që gjendet në vendin e tretë

"Singapore Airlines" vazhdimisht impresionon anëtarët e jurisë së këtij shpërblimi, gjë që mund të thuhet edhe për përdoruesit e "TripAdvisor". Në një vlerësim të një udhëtari, thuhet se pjesëtarët e ekuipazhit të "Singapore Airlines" i nënshtrohen një trajnimi gjashtë mujor, gjë që shihet edhe në praktikë, me një cilësi të lartë të shërbimit. Edhe "Qatar" ka marrë lëvdata të mëdha, ku një vlerësues ka thënë se shërbimet e kësaj kompanie janë ndër më të mirat në këtë biznes. Një vlerësues tjetër thotë se "EVA Air", që gjendet në vendin e tretë, është "mbi të gjitha të tjerat", duke shtuar se "Në klasën e ekonomisë kam pasur një meny të pasur ushqimesh, me takëm jo të plastikës, por real, ulëse që përshtaten më mirë krahasuar me mesataren, një shërbim të mrekullueshëm - brushën e dhëmbëve dhe aksesorët në tualet, si dhe një staf miqësor dhe të mjaftueshëm". Sa i përket kompanisë e cila gjendet në vendin e katërt, "Emirates", ajo merr këtë vlerësim, midis tjerëve: 'Edhe pse fluturuam në Milano nga Nju Jorku në seksionin ekonomik të avionit, kishim përshtypjen sikur gjendeshim në klasin e parë. Shërbimi i ofruar nga stafi ishte i mrekullueshëm. Stjuardesat ishin gjithnjë aty, duke plotësuar çdo kërkesë gjatë fluturimit. Gjatë fluturimit që zgjati tetë orë, na u ofruan dy vakte ushqimesh, si dhe pije pa kufi, krejt këto falas. Nuk mund ta shprehim me fjalë kënaqësinë që ndiem gjatë këtij fluturimi me "Emirates". 

(Kosova Sot)