Ecte sikur të ishte e dehur, kishte nevojë për operacion në kokë

  • 03 April 2019 - 16:11
Ecte sikur të ishte e dehur, kishte nevojë për operacion në kokë

Një vajzë adoleshente, e cila ecte sikur të ishte e dehur, në fakt kishte nevojë për një operacion, meqë truri ishte duke i 'rrëshqitur' në boshtin kurrizor. Familjarët e vajzës Erin Orlopp vërejtën për herë të parë se diçka nuk ishte në rregull me të, pasi që panë se ajo nuk mund të ecte në një vijë të drejtë. Më pas iu ënjt faqja dhe kishte dhembje të nofullës. Përfundimisht, kjo vajzë 15 vjeçe nga Bolton, u diagnostikua me malformacionin 'chiari', pas muajve të tërë me analiza.

Me gjasë do të duhet të hyjë nën brisk përsëri, në të ardhmen

Kemi të bëjmë me gjendjen kur truri 'rrëshqet' në kanalin e boshtit kurrizor, gjë që mund të shkaktojë dëmtime të përhershme, apo edhe vdekje. Vajza u desh që t'i nënshtrohej operacionit, me ç'rast iu hoq një pjesë e kafkës. Edhe pse kjo ka lehtësuar simptomat e saj, duke siguruar më shumë hapësirë për trurin, Erin vazhdon që të ketë marramendje dhe probleme me shikim. Mjekët thonë se Erin ka "jostabilitet kranial", prandaj me gjasë do të duhet të hyjë nën brisk përsëri, në të ardhmen.  

Mbledhja e fondeve

Gjendja e saj nënkupton se vajza nuk guxon të përfshihet në disa prej aktiviteteve të cilat i pëlqenin në të kaluarën, sikur që është kolovajza, dëgjimi i muzikës me kufje, sporti në trampolinë, etj. Përkundër këtyre vështirësive, Erin i është kthyer shkollës dhe përpiqet që të mbetet sa më pozitive që të jetë e mundur. Ajo, bashkë me prindërit e saj, ka filluar mbledhjen e fondeve për t'iu ndihmuar fëmijëve të tjerë me gjendje të ngjashme me atë të sajën. Deri më tani kanë mbledhur më shumë se 1,600 funte. 

(Kosova Sot)