Tregu i naftës kontrollohet nga oligarkët dhe klanet mafioze

  • 03 April 2019 - 17:47
Tregu i naftës kontrollohet nga oligarkët dhe klanet mafioze

Tregu i derivateve të naftës vazhdon të kontrollohet nga mafia oligarkike e kriminale e lidhur me pushtetin e tejinkriminuar, ku pushtetarët kanë aksione shumicë në këto kompani të mëdha e shumë përfituese të qindra miliona eurove nga tregtimi e trafikimi i derivateve të naftës.

Kështu së paku mendojnë analistët dhe ekspertët e ekonomisë, të cilët thonë se deri sa të kemi treg të kontrolluar e të sunduar nga krimi i organizuar do të ketë cilësi tepër të dobët të derivateve të naftës, mungesë të territoreve e hapësirave të lira për të vepruar për të tjerët, privilegje vetëm për kompanitë e inkriminuara të caktuara të naftës, moskontrollim me rastin e hyrjes e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizim të qëllimshëm të këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullime prej më shumë se një miliard euro brenda vitit dhe me përfitime prej disa qindra miliona eurosh.

Image
Driton Gashi

"Është e qartë dhe e kuptueshme se tregu i naftës ka qenë dhe kontrollohet nga oligarkë dhe klane mafioze, të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti me politikanë të fuqishëm dhe pushtetin. Përveç kësaj, nafta e cila hyn në tregun e Kosovës është jocilësore, e dorës së dytë apo të tretë. Kjo gjë është përfolur që një kohë të gjatë, është vërejtur nga qytetarët e Kosovës, sidomos nga mërgimtarët, që cilët bëjnë udhëtime të gjata, të cilët thuajse ankohen çdoherë për kualitetin e saj. Madje, një fenomen tjetër qëndron, dyshimi se litrat nuk janë të sakta dhe se kompani të caktuara manipulojnë me shifra".

"Por, mbi të gjitha, tregu i naftës është shndërruar në monopol të politikanëve të korruptuar dhe të cilët nuk u mundësojnë fare hapësirë afaristëve të rinj, por vetëm atyre që i kanë nën kontroll. Në këtë drejtim nuk kanë bërë asgjë shoqatat e naftëtarëve të Kosovës, nuk kanë bërë asgjë organet e drejtësisë dhe qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të dëmtuar materialisht", theksoi analisti Driton Gashi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)