Kërkohet shkarkimi i Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit

  • 03 April 2019 - 19:35
Kërkohet shkarkimi i Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit

Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, dy bashkëkryesuesit e të ashtuquajturit Ekip negociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka filluar menjëherë punësimin e familjarëve të tyre në këtë ekip.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në ekip do ta ketë edhe nipin e tij, Endrit Zabërgja, i cili është djali i motrës së Limajt. Kurse kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti është përkujdesur që me vete t’i ketë edhe dy tezakët e tij, Visar Ymeri dhe Nezir Ismaili.

E lidhur me këtë, analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Kosova Sot” thotë se ky është vetëm një ekip teknik mbështetës i Thaçit.

“Fillimisht ekipi negociator është një ekip teknik mbështetës i presidentit Thaçi pa një legjitimitet mbi një konsensus politik dhe qytetar për të negociuar në emër të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi dhe që nuk ka përkuar më formatin e bisedimeve të cilat në kohën e fundit janë zhvilluar në nivel presidentësh. Dhe unë pyes se më kë do të negocionte ky ekip, përpos dy-tri vizitave turistike që i ka bërë në Bruksel”, thotë Haziri për “Kosova Sot”.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, ky ekip i shërben vetëm partive në pushtet dhe grupit të "Devollistëve" (PSD).

“I tillë siç është ky ekip i ka konvenuar vetëm presidentit Thaçi, ndryshe as që do të ekzistonte fare, pasi vet PDK-ja nuk do ta votonte siç ka që nuk do të ishte i pranueshëm për presidentin Thaçi apo që ta pengonte këtë të fundi në agjendën e vet politike e cila nuk përkon edhe me interesat e vendit. Kështu që nuk është pritur asgjë më shumë e as më ndryshe, përveç se një ''ndërmarrje" koti e që do ju shërbej partive në pushtet dhe grupit të "Devollistëve" (PSD) për punësimin e njerëzve më të afërt, familjarëve, militantëve partiak, siç është rasti me nipin e Fatmir Limaj dhe tezakët e Shpend Ahmetit”, deklaron ai për “Kosova Sot”.

“Pra ky i ashtuquajtur ekip negociator është i dëmshëm për Kosovën jo vetëm sa i përket buxhetit të Kosovës, por edhe në aspektin e përgatitjes dhe seriozitetin që duhet ta ketë Kosova në fazën e fundit të dialogut me Serbinë. Andaj mendoj se opozita duhet urgjentisht të thërras seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe të kërkojë shkarkimin e këtij të ashtuquajturi ekip negociator”, ka përfunduar për “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot)