Shumë ushtarë e disa policë braktisën uniformën

  • 03 April 2019 - 20:08
Shumë ushtarë e disa policë braktisën uniformën

Vitin e kaluar, nga FSK’ja u larguan 328 ushtarë, kurse nga policia 44 zyrtarë policorë.

Mijëra të rinj ia mësynë Forcës së Sigurisë së Kosovës në konkursin e fundit. Ata aplikuan për t’i shërbyer vendit si ushtarë të Kosovës.

Por, për dallim nga ta, janë qindra të tjerë, që kanë hequr dorë nga ushtria më e re në Evropë.

Vetëm vitin e kaluar, janë gjithsej 328 pjesëtarë që i ndanë rrugët me FSK-në.

Një pjesë nga ta shkuan në pension të rregullt e shumica u larguan në pension të parakohshëm siç e parasheh rregullorja e FSK.

E 96 të tjerë, u larguan me anë të demobilizimit.

Gjashtë të tjerë për shkaqe disiplinore u përjashtuan nga ushtria e tre pjesëtarë të ndërruan jetë si ushtarë të FSK-së.

Por, Gjeneral Lejtnant Skender Zhitia thotë se largimet nuk kanë ndikuar në punën e FSK.

Megjithatë, ushtaraku i FSK-së, thotë se këto pozita të mbetura bosh do të plotësohen me anë të rekrutimit të pjesëtarëve të rinj.

E largim ka edhe nga një institucion tjetër i sigurisë.

Janë gjithsej 44 pjesëtarë që kanë lënë Policinë e Kosovës vetëm gjatë vitit të fundit.

Arsyet familjare, personale e të të ardhurave ishin arsyetimet kryesore në heqjen dorë nga uniforma e policisë.

Gjithë këto largime për njohësit e sigurisë janë shqetësuese.

E radhëve të të pensionuarve nga FSK, nga e enjtja do t’i bashkohet edhe Zhitia.

Kjo është paraqitja e tij e fundit me uniformën ushtarake pasi Zhitia mbush 55 vjet e që është edhe koha e pensionimit.

Në këto shifra të largimit nuk përfshihen pjesëtarët serbë të FSK-së, të cilët në shumicë kanë braktisur ushtrinë e Kosovës.

(Kosova Sot)