Sipas Weberit, ndryshimi i kufijve Kosovë – Serbi do të kishte pasoja globale

  • 03 April 2019 - 20:46
Sipas Weberit, ndryshimi i kufijve Kosovë – Serbi do të kishte pasoja globale

Afati se në këtë vit duhet të përfundojë marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë, sipas ekspertit të politikave të demokratizimit për Ballkanin perëndimor, Bodo Weber, është narrativë e atyre që shtyjnë përpara idenë për shkëmbimin e territoreve.

Sipas Weberit, ata që po përmendin afate në këtë marrëveshje nuk po mendojnë për një zgjidhje e cila mund të ruajë integritetin e Kosovës.

“Do të thosha se kjo është një narrativë e atyre që shtyjnë për shkëmbim të territoreve, për çka do të thosha se ka kohë që ka kaluar çdo ambicie për të qenë një marrëveshje historike”, ka thënë ai, raporton ktv.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të kishte pasoja jo vetëm për rajonin por edhe globale.

“Le të kujtojmë se kishim një kohë të gjatë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Perëndimi mbi atë që sot ose për dy vitet e fundit në fjalimet publike në Beograd po i referohen si kompromis nuk funksionoi për shkak të mungesës së vullnetit nga Beogradi, për shkak të të gjithë historisë së tyre prej viteve të 80-a me Kosovën, ku Kosova ishte një instrument për politikat e Millosheviqit, për çmenduritë etnike të Jugosllavisë, por nuk ishte asnjëherë çështje e vetme me të cilën Beogradi donte të merrej në veçanti sepse kishte shumicë shqiptare dhe për këtë arsye, e dini, një lloj kompromisi i dy tri viteve të fundit të cilin Beogradi po e kërkon tash nuk e kishte kërkuar kurrë më parë”, ka thënë ai.

(Kosovav Sot)