Daçiq paralajmëron Kosovën dhe NATO’n për konflikt të armatosur

  • 03 April 2019 - 22:46
Daçiq paralajmëron Kosovën dhe NATO’n për konflikt të armatosur

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka folur për situatën në Kosovë dhe për rolin e tij në këtë raport.

Ai ka lëshuar sot edhe një paralajmërim që ka të bëjë me një konflikt të mundshëm me NATO-n, duke operuar me terma si “skenari kroat” dhe “stuhi e re”.

Duke komentuar paralajmërimin e fundit të Ministrisë së Jashtme britanike se qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë në veri të Kosovës, përveç nëse është e nevojshme për shkak të incidenteve të shumta të dhunshme, Daçiq tha se nuk është hera e parë që japin këso rekomandime.

“Kjo është çështje normale, edhe Ministria e Jashtme e Serbisë bën rekomandime për shtetasit e vet, megjithatë kjo është ekzekutimi sistematik i kriminalizimit të veriut”, tha Daçiq.

“Është vazhdimisht duke u thënë se kjo është strukturë kriminale, se është e paqëndrueshme në veri dhe nga ana tjetër, ju keni një autoritet në Prishtinë i cili bazohet jo vetëm në krim, por në krime të luftës”, tha Daçiq.

Ndër të tjera, Daçiq tha se mund të ndodhin incidente në veri duke treguar se është një prej qëllimeve të Kosovës një siç e ka quajtur ai, “stuhi e re”.

“Për të arritur këtë “skenar kroat”, ose për të krijuar një “stuhi të re”, dhe kështu të zgjidhet çështja e sovranitetit të saj, që do të thotë dëbimi i serbëve nga veriu i Kosovës”, tha Daçiq shkruan Danas.rs.

Daçiq është shprehur se në rast të “sulmeve” të tilla, konflikti me Kosovën dhe NATO-n është i mundur.

“Sepse, ju e dini se çfarë do të ndodhë në rast të sulmeve të tilla, ajo tashmë kapërcen disa korniza normale të disa incidenteve dhe të gjitha problemeve që ekzistojnë në Kosovë, por mund të lind një konflikt i armatosur i cili nuk është vetëm konflikt me Prishtinën, por edhe një konflikt me NATO-n”, tha Daçiq.

Daçiq gjithashtu tha se tani nuk mund të mendohet për dialogun, por duhet të mendohet për këto gjëra.

Daçiq tha se janë të hapur për një zgjidhje kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës. Nga ana tjetër, sipas tij, nuk duken të favorshme disa qëndrime të disa shteteve që hedhin poshtë çdo zgjidhje paqësore.

Daçiq gjithashtu ka folur për tërheqjet e njohjeve që sipas tij i kanë ardhur Kosovës, duke thënë se ka bërë më shumë për çështjen e Kosovës sesa çdo ministër tjetër serb.

“Nuk dua të më tregoj askush çfarë të bëjë me Kosovën, kam të drejtë të them sepse kam bërë për Kosovën”, tha Daçiq. 

(Kosova Sot)