Akuzojnë analistët, edhe 500 mijë euro shpenzime për të mbrojtur Thaçin nga Specialja

  • 04 April 2019 - 07:33
Akuzojnë analistët, edhe 500 mijë euro shpenzime për të mbrojtur Thaçin nga Specialja

Guraziu: Presidenti Hashim Thaçi abuzoi edhe me 500 mijë euro nga Ministria e Drejtësisë për interesat e veta personale, si në bahçe të babës!

 “Për të mbuluar keqpërdorimet, paradoksalisht dhe pa asnjë të drejtë Ministria e Drejtësisë i ka klasifikuar si sekrete të gjitha dokumentet që kanë prodhuar dy kompanitë ndërkombëtare...!Përderisa Ministria e Drejtësisë paguan me para të buxhetit të shtetit, duhet të bëjë transparente dhe të raportojë në Kuvend për mënyrën si u shpenzuan edhe 500 mijë euro shtesë.

Në anën tjetër, Kuvendi si organ mbikëqyrës vazhdon të hezitojë për të kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi nga Qeveria për abuzimet e pafund të parave të popullit, për të shpëtuar Thaçin nga Specialja! Heshtja e Kuvendit flet për ndikimin e presidentit ndaj kryeministrit dhe deputetëve të pozitës, gjegjësisht për një bashkërendim edhe me deputetët e opozitës për të justifikuar abuzimet me paratë e taksapaguesve kosovarë”, theksoi analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Skandalet e Qeverisë kosovare nuk kanë të ndalur. Ministria e Drejtësisë, që drejtohet nga një ministër, siç e quajnë analistët “shërbëtor” i Hashim Thaçit, ka ndarë edhe 500 mijë euro shtesë me rastin e aktivizimit të Gjykatës Speciale. Këto para iu dhanë dy kompanive ndërkombëtare, për këshilla për Gjykatën Speciale, mirëpo sipas analistëve këto para janë dhënë për të marrë këshilla për nevojat e presidentit Thaçi për Gjykatën Speciale.

Analistët theksojnë se si nuk i mjaftuan keqpërdorimet me miliona euro të Hashim Thaçit për të blerë lobues me para të popullit për interesa të veta, por tanimë i shpenzoi përmes të deleguarit e këshilltarit të tij në Ministrinë e Drejtësisë edhe 500 mije euro shtesë, vetëm e vetëm që të këshillohet se si të shpëtojë nga Gjykata Speciale veten, e sigurisht asnjë prej bashkëluftëtarëve të tjerë si të akuzuar potencialë në këtë gjykatë.

Analistët alarmojnë se me çfarë të drejte Ministria e Drejtësisë ka klasifikuar si sekrete të gjitha dokumentet që kanë prodhuar dy kompanitë ndërkombëtare, kur përderisa paguan me para të buxhetit, duhet të ketë transparencë dhe të raportohet se pse u shpenzuan edhe 500 mijë euro shtesë. Analistët po ashtu pyesin se pse Kuvendi si organ mbikëqyrës nuk kërkon përgjegjësi nga Qeveria për abuzimet e pafund të parave të popullit, për të shpëtuar Thaçin nga Specialja.

Image

Ragip Guraziu 

Guraziu: Presidenti e ka bërë shtetin si bahçe të babës

Analisti Ragip Guraziu vlerëson se presidenti Hashim Thaçi abuzoi me 500 mijë euro nga Ministria e Drejtësisë për interesat e veta personale, si në bahçe të babës.

“Ministria e Drejtësisë shpenzoi edhe 500 mijë euro shtesë me rastin e aktivizimit të Gjykatës Speciale, që iu dhanë këto para dy kompanive ndërkombëtare, të cilat në këmbim të parave kanë ofruar këshilla për presidentin Thaçi për Gjykatën Speciale.

Nuk po i mjaftojnë Hashim Thaçit asnjëherë asnjë shumë euro, por po i duhen shtesë, si kjo nga Ministria e Drejtësisë, edhe 500 mijë euro, nuk po i mjaftojnë për keqpërdorimet me miliona euro Hashim Thaçit për të blerë lobues me para të popullit për interesa të veta, por tanimë i shpenzoi përmes të deleguarit e këshilltarit të tij në Ministrinë e Drejtësisë edhe 500 mije euro shtesë, vetëm e vetëm që të këshillohet se si të shpëtojë nga Gjykata Speciale veten, e sigurisht asnjë prej bashkëluftëtarëve të tjerë si të akuzuar potencialë në këtë gjykatë”, ka potencuar ai për “Kosova Sot”.

“Por me çfarë të drejte Ministria e Drejtësisë i ka klasifikuar si sekrete të gjitha dokumentet që kanë prodhuar dy kompanitë ndërkombëtare, kur përderisa paguan me para të buxhetit duhet të ketë transparencë dhe të raportohet se pse u shpenzuan edhe 500 mijë euro shtesë... Tani pse pra Kuvendi si organ mbikëqyrës nuk kërkon përgjegjësi nga Qeveria për abuzimet e pafund të parave të popullit, për të shpëtuar Thaçin nga Specialja”, potencoi Ragip Guraziu.

Image
Muhamet Kelmendi

Klika e Thaçit kontrollon tërë sistemin

“Tashmë dihet se sistemi i drejtësisë është i kontrolluar dhe tërësisht vendos për interesa të ngushta të Hashim Thaçit. Tërë njerëzit e sistemit vijnë nga klika e z. Thaçi. Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, vjen nga grupi i ‘PRONTOS’, kryeprokurori Aleksandër Lumezi i takon po kësaj nomenklature. Këtu hyjnë edhe shumë struktura tjera të sistemit.

Ndërsa, AKI-ja është e Shpend Maxhunit i Hashim Thaçit, e kujt jo. Që ky sistem të funksionojë në llogari të interesave të ngushta, e bëri ministër të Drejtësisë z. Abelard Tahiri, një njeri totalisht i zotit Thaçi. Kështu që nuk janë aspak të papritura vendimet për mjetet e ndara dhe për mjetet e dhëna për lobim në interes të z. Thaçi. Në fakt, mjetet për librin e z. Thaçi kryesisht vijnë nga disa burime. Së pari, vijnë nga buxheti i Presidencës, që ndahet nga Kuvendi. Së dyti, vijnë nga mjetet që kohë pas kohe ndahen në forma të ndryshme nga Ministria e Financave dhe në fund nga ministritë e ndryshme për lobime të ndryshme”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Image
Gani Qarri

Qarri: Edhe 500 mijë euro këshilla presidentit Thaçi për ballafaqimin me Gjykatën Speciale

Analisti Gani Qarri thekson se Ministria e Drejtësisë, e cila tash e 20 vjet me radhë nuk mundi të lavdërohet asnjëherë për punën e saj pasive, të plogësht dhe tërësisht dëshpëruese sa i takon mbrojtjes së rendit dhe ligjit në vend. Kjo nuk mund të thuhet edhe për dhënien e parave publike, e cila tashmë u konfirmua edhe zyrtarisht se është shumë aktive sidomos në shpenzimet pa masë të parave të taksapaguesve kosovarë, madje atë fshehtas dhe pa dijeninë e tyre.

“Këto ditë u dëshmua edhe publikisht se me rastin e aktivizimit të Gjykatës Speciale po kjo ministri dha edhe 500 mijë euro shtesë, dy kompanive ndërkombëtare, njëra prej të cilave “OMNIA Strategy” me seli në Londër dhe e drejtuar nga Cherie Blair, gruaja e ish-kryeministrit të Britanisë së madhe, Toni Blair, të cilat në këmbim të parave, për rreth nëntë muaj me radhë, i kanë ofruar këshilla presidentit Thaçi për ballafaqimin me Gjykatën Speciale”, u shpreh ai. “Madje, sikur të mos mjaftonin keqpërdorimet tjera me miliona euro të Hashim Thaçit, për të blerë lobues me para të popullit për interesa të tij personale, tanimë edhe përmes të deleguarit e këshilltarit të tij në Ministrinë e Drejtësisë ai shpenzoi edhe 500 mijë euro shtesë, para të taksapaguesve, vetëm e vetëm që të këshillohet mbi mënyrat se si ta shpëtojë veten nga Gjykata Speciale, e sigurisht jo për asnjë prej bashkëluftëtarëve të tjerë, si të akuzuar potencialë në këtë gjykatë.

Habit fakti se me çfarë të drejtë Ministria e Drejtësisë ka klasifikuar si sekrete edhe të gjitha dokumentet që kanë prodhuar dy kompanitë ndërkombëtare, kur dihet se përderisa ajo paguan me para të buxhetit, duhet të ketë edhe transparence dhe të raportohet se pse u shpenzuan edhe 500 mijë euro shtesë. Për aq më tepër, as Kuvendi, i njohur si organi më i lartë legjislativ i “Kosovës”, i cili është edhe segmenti më i lartë mbikëqyrës, nuk kërkon fare përgjegjësi nga ministria, as qeveria, për abuzimet e pafund të parave të popullit, për të shpëtuar vetëm Thaçin nga Specialja”, ka theksuar Qarri për “Kosova Sot”.

Image
Reshat Badallaj

 Badallaj: Shteti i kalbur nga koka

“Paratë nga buxheti i shtetit dhe djersa e taksapaguesve shpeshherë ndodh të harxhohen dhe të bëhen rrush e kumbulla nga kjo qeveri hajnash.

Kjo do të thotë kur në vend ke edhe këtë ministri me njerëz të paaftë dhe matrapazë. Po si mund të jepen kaq para sa për të mos u lagur bishti i një despoti, i një tirani, që jo vetëm solli Gjykatën Speciale, por edhe i ndërsente njerëzit për të votuar, bile edhe duke iu kërcënuar, mendja e tij e sëmurë se ky do t´i shpëtojë kësaj dhe të digjen të tjerët në vend të këtij matrapazi, sepse kështu e premtoi spiuni, udbashi dhe langoi i Jovica Stanishiqit dhe Zoran Stijeviqit, Baton Haxhiu. Kjo bandë e majave të shtetit tregojnë hapur se janë mbi ligjin dhe shtetin dhe kur i sheh populli këta kryebanditë të majave të shtetit që veprojnë kështu, atëherë edhe populli i ka rrugët e hapura të bëjë sallamadi vendin.

Ky shpirtshitur harxhon para të popullit për librin PROPAGANDISTIK që ia kanë shkruar të tjerët, se dihet se ky është gjysmanalfabet, harxhon para për t´i nxitur të tjerët, për të dalë në "syret" me figura të rëndësishme botërore dhe pastaj dil e leh që nga mëngjesi deri në darkë, kinse ata e kanë premtuar kështu e ashtu.

A e di kjo bandë e këtij sistemi të kalbur i drejtësisë se po të financonte për popullin këtë gjysmë milioni, ta zëmë në shëndetësi, në arsim, apo për të ulur papunësinë, do të ndikonte shumë dhe jo për këtë tiran, për t´i ikur drejtësisë dhe t´ua fusë të tjerëve hanxhar pas shpine, deri kur do të shkojë kjo dredhi kundër popullit nga ky pazarxhi dhe poterexhi. Atëherë ky i pafytyrë fare tregon hapur edhe për tradhtinë ndaj ish-shokëve të tij të luftës, sepse ky dallohet dhe shtrohet pyetja ku po mbesin ata të tjerët?

Nuk pritet asgjë e hapur me popullin nga kjo bandë qeveritare hajnash. Populli tashmë e di se bandat më të rrezikshme të kanaleve të nëntokës që e dëmtojnë buxhetin e vendit dhe interesat e qytetarëve të saj janë pikërisht në majat e shtetit dhe kupola e krimit është në sistemin e kalbur dhe atë tërësisht në sistemin e drejtësisë”, tha Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.

Image
Florim Zeqa

 Zeqa: Të raportohet në Kuvend për mënyrën si u shpenzuan edhe 500 mijë euro shtesë!

Analisti Florim Zeqa thekson se, siç duket, Hashim Thaçit nuk i mjaftuan keqpërdorimet me miliona euro për të blerë lobues me para të popullit për interesa të veta, por tanimë i shpenzoi përmes të deleguarit e këshilltarit të tij në Ministrinë e Drejtësisë edhe 500 mijë euro shtesë, vetëm e vetëm që të këshillohet se si të shpëtojë nga Gjykata Speciale veten, e sigurisht asnjë prej bashkëluftëtarëve të tjerë si të akuzuar potencialë në këtë gjykatë.

“Për të mbuluar keqpërdorimet, paradoksalisht dhe pa asnjë të drejtë, Ministria e Drejtësisë ka klasifikuar si sekrete të gjitha dokumentet që kanë prodhuar dy kompanitë ndërkombëtare...! Përderisa Ministrinë e Drejtësisë e paguan me para të buxhetit të shtetit, duhet të bëjë transparente dhe të raportojë në Kuvend për mënyrën si u shpenzuan edhe 500 mijë euro shtesë”, u shpreh ai.“Në anën tjetër, Kuvendi si organ mbikëqyrës vazhdon të hezitojë për të kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi nga qeveria për abuzimet e pafund të parave të popullit, për të shpëtuar Thaçin nga Specialja! Heshtja e Kuvendit flet për ndikimin e presidentit ndaj kryeministrit dhe deputetëve të pozitës, gjegjësisht për një bashkërendim edhe me deputetët e opozitës për të justifikuar abuzimet me paratë e taksapaguesve kosovarë”, vijoi më tej Zeqa.

“Mosbërja transparente e mjeteve të shpenzuara lë të hapura mëdyshjet për mbrojtje selektive nga shteti për të akuzuarit nga Gjykata Speciale, për çka mund të dyshohet edhe për përzgjedhjen e viktimave, të cilat do të ndëshkohen nga ‘Specialja’!”, ka potencuar për “Kosova Sot” Florim Zeqa.

(Kosova Sot)