Frika nga Specialja avullon milionat e taksapaguesve kosovarë

  • 04 April 2019 - 07:43
Frika nga Specialja avullon milionat e taksapaguesve kosovarë

Kastrati: Këtu te ne nuk po funksionon drejtësia, po mbrohet abuzuesi, po mbrohet krimineli

 “Jo vetëm për çështjen e mbrojtjes në Hagë, që po shpenzojnë para pa kontroll, por kjo Qeveri dhe këta njerëz kudo po harxhojnë pa kontroll, në të gjitha fushat e tjera, dhe nuk ka shpresë të ndalet ky abuzim me paranë e shtetit pa u ndryshuar ky mentalitet politik dhe qeverisës”, u shpreh Shyqri Thaçi për “Kosova Sot”

Qytetarët e Kosovës, me të drejtë po shqetësohen nga shpenzimet enorme dhe të pakontrolluara të buxhetit të shteti, nën ethet e kinse “përgatitjes për mbrojte” për të dyshuarit që do të jenë objekt akuze nga Gjykata Speciale. Shqetësimi i tillë vjen e bëhet tepër serioz duke pasur parasysh mënyrën se si fare shpejt u shpenzuan dhe u avulluan nga Ministria e Drejtësisë edhe 500 mijë euro shtesë para të popullit, me rastin e aktivizimit të Gjykatës Speciale.

Image

Fillimi i etheve të hershme të frikës nga kjo Gjykatë dhe përpjekja për ta blerë drejtësinë ndërkombëtare me para, nga të akuzuarit potencialë, ngjall frikën e bankrotimit të shtetit nga ata që janë në pushtet dhe mund të jenë objekt akuze nga kjo Gjykatë. Shqetësimi vjen e bëhet akoma më serioz, kur të kihet parasysh se si iu dhanë këto para të popullit dy kompanive ndërkombëtare, të cilat në këmbim të parave kanë ofruar këshilla për nevojat e presidentit Thaçi për Gjykatën Speciale. Qytetarët pyesin se si nuk i mjaftuan të parit të shtetit ato keqpërdorimet me miliona euro për të blerë lobues me para të popullit për interesa të veta, botimi i atij librit famoz, por tanimë i shpenzoi përmes të deleguarit të tij në Ministrinë e Drejtësisë edhe 500 mije euro shtesë, vetëm e vetëm që të këshillohet se si të shpëtojë nga Gjykata Speciale veten, e sigurisht asnjë prej bashkëluftëtarëve të tjerë si të akuzuar potencialë në këtë Gjykatë.

 Në rend të parë, interesi i shtetit

Qytetari Hakif Halili tha për “Kosova Sot” se duhet ndalur një praktikë e tillë e abuzimit më paratë e taksapaguesve të shtetit të Kosovës.

“Në rend të parë duhet të jetë interesi i shtetit dhe interesi i qytetarëve të këtij shteti, për çka jemi munduar dhe për çka është luftuar. Këta që pritet të përballen me drejtësinë ndërkombëtare, mjaft e kanë të garantuar mbrojtjen e tyre me ligj, për të gjitha shpenzimet që mund t’u ndodhin në proces, kushdo qoftë ai, dhe nuk duhet lejuar që tani të fillojnë ta shpenzojnë nën stresin e Gjykatës Speciale pa kurrfarë kontrolli dhe pa asnjë planifikim buxhetin e shtetit.

Unë them që kushdo që përballet me këtë Gjykatë dhe është i drejtë, që nuk është fajtor dhe nuk ka bërë krime, le t’i vërtetohet e drejta dhe pastërtia, por kush e ka bërë veprën, ndaj kujtdo që e ka bërë, le të përballet me të bërat e tij dhe të mos i vuajë populli dhe shteti ato të bëra. Për shtetin kemi investuar aq shumë, kemi sakrifikuar, prandaj duhet t’i jepet shansi drejtësisë që ta thotë fjalën e vet për secilin, por në anën tjetër të mundohet edhe për zhvillimin e shtetit dhe jo për ta bankrotuar shtetin në emër të mbrojtjes së disa individëve”, tha Hakif Halili për “Kosova Sot”.

 Institucionet e zaptuara nga mafia

Sipas qytetarit Sherif Kastrati, kjo mënyrë veprimi e shpërdorimit të parasë së shtetit ndodh vetëm në ato shtete dhe institucione që janë të zaptuara nga mafia.

E, fatkeqësisht, sipas tij, kjo dukuri është shtrirë aktualisht në të dy anët e kufirit ndërshqiptar, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, sepse po udhëheq politika e lidhur ma mafinë. “Sa po i shoh unë të gjithë këto probleme që janë, ishalla problemet marrin një rrugë më të shpejtë të zgjidhjes, sepse Kosova gjendet në udhëkryq. Te ne e gjithë politika po duket që është jodemokratike që do të thotë se e ka kapur në dorë mafia, kriminelët, dhe të njëjtën gjë po e shoh edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, gjë që nuk dallojnë fare. Jam shumë i sigurt që, duke vepruar kështu, ne nuk mund të ecim dhe të integrohemi në Evropë, sepse nuk do të kemi shans që duke qenë mbi ligjin të hapim negociata më Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

“Askush nuk e ka atë të drejtë që të abuzon me pozitën dhe me ligjin, para ligjit dhe drejtësisë duhet të jenë të gjithë të barabartë, sepse ligji duhet të jetë i drejtë si për njërin, si për tjetrin, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Mirëpo, këtu te ne nuk po funksionon drejtësia, po mbrohet abuzuesi, po mbrohet krimineli. Kur bëhet fjalë konkretisht për Gjykatën Speciale, unë mendoj që kushdo që gjendet në drejtimin e shtetit, qoftë i ndjekur nga kjo Gjykatë apo qoftë edhe të jetë i korruptuar nga veprime të tjera të ditura, ose që ka dyshime të bazuara me dokumentacion, ai duhet të tërhiqet nga pozita që ka dhe të përballet në bankën e të akuzuarve, ama kushdo qoftë ai, sepse kështu funksionon drejtësia në të gjitha vendet demokratike të botës. Duhet të ndiqen praktikat evropiane ku vetëm një gabim nëse e bën zyrtari i lartë politik i zgjedhur, ai përballet me aktin e dorëheqjes”, vijoi më tej Kastrati. “ Kjo duhet të jetë kulturë politike dhe patriotike dhe jo të abuzohet në emër të kërkimit të drejtësisë edhe me abuzimin e buxhetit të shtetit. Pra, drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe njerëzit duhet të jenë të sinqertë dhe të largohen nga pushteti njerëzit e korruptuar, sepse atyre u është futur deri në gjen ai mikrobi dhe është vështirë të përmirësohen dhe gjërat të rikthehen në vendin e vet”, tha Sherif Kastrati për “Kosova Sot”.

 Bankroti i pret politikanët e inkriminuar

Qytetari Idriz Sadrijaj tha për “Kosova Sot” se është fakt që po shpenzohen shumë para, madje pa kontroll nga frika e Gjykatës Speciale, për çka shumëkush ka frikë se do të bankrotohet shteti, në përpjekje të blerjes së drejtësisë, por megjithatë ai beson se shumë shpejt do të ndodhë e kundërta, do të bankrotojnë politikanët e dyshuar për krime të çfarëdo natyre qofshin.

“ Këta po shpenzojnë sa po munden para edhe në përpjekje të mbrojtjes nga Gjykata Speciale, por nuk kanë mundësi që ta bankrotojnë shtetin. Puna e shtetit le ta dinë të gjithë që ka marrë fund, është bërë dhe duhet të ecë përpara, por për që do të shkojnë këta me ato të bërat e tyre, për hesapet e veta, që i kanë ato problemet e tyre, ajo nuk mund të përjashtohet, por mund të ndodhë fare lehtë. Këta madje edhe kanë mundësi që ta bankrotojnë njëri- tjetrin, shoqi- shoqin, por duhet ta dimë që shteti si shtet nuk ka për t’u bankrotuar, edhe pse mund të krijonte vështirësi të zhvillimit e të funksionimit”, u shpreh ai. “Ne po e shohim çdo ditë që te këto shpenzimet, janë të atilla që askush nuk mund ta marrë me mend se sa shumë i bëjnë që as mendja e kokës nuk mund ta paramendojë.

Këtyre fare nuk u ecën matematika e llogaritjes së shpenzimeve me paratë e shtetit dhe kjo neve si qytetarë po na dëmton shumë, sepse pikërisht nga ky lloj abuzimi dhe ku lloj shpërdorimi po ngec zhvillimi i vendit dhe po na ikin jashtë vendit rinia. Tani se si mund të ndalohen këta për të ndalur këtë lloj shpërdorimi të buxhetit, unë nuk mund ta them, pasi nuk kam përgjigje, por vetëm mund të shtroj një pyetje: A mund ta paditësh djalin tek babai. Pra, kjo nuk shkon, sepse këta aq shumë e kanë kapur tash për tash shtetin dhe nuk ka kush i kontrollon”, tha qytetari Idriz Sadrijaj. Sipas qytetarit Hetem Maqedonci, sekretar i Lëvizjes së të Gjelbërve të Kosovës, një mënyrë e tillë skandaloze e abuzimit me paratë e shtetit, të grumbulluara nga kontributet e taksapaguesve të rregullt, ndodh vetëm aty ku nuk ka shtet të së drejtës, por shtet të kapur nga grupet e ngushta të interesit të politikës.

“Unë nuk mund ta kuptoj këtë farë logjike se si lejohet dhe si pranohet që t’i jepen të holla për shpenzime personale kujt t’i teket e si t’i teket. Gjithsesi që kjo mënyrë e shpenzimit të parasë së shtetit është e patolerueshme”, u shpreh ai. “Ne, megjithatë, po besojmë që nga këto akuza nuk do të dalë asgjë, por ja që është krijuar ai ankthi tek njerëzit, prandaj le të ballafaqohet secili me gjakftohtësi me këtë drejtësi dhe të dalë e vërteta në shesh. Nuk janë këtu individët zotë të këtij shteti që të abuzojnë me të, zot është qytetari, është populli, kurse kryetari i shtetit apo kushdo tjetër në krye të qeverisjes mund të ndërrohet brenda natës dhe ne të tjerët mbetemi”, potencoi Maqedonci.

Vendi drejt kolapsit

Qytetari tjetër Shyqyri Thaçi i tha gazetës se jo vetëm në emër të Gjykatës Speciale, por në të gjitha fushat e jetës, ky mandat qeverisës është duke e shpenzuar në mënyrë aq të paplanifikuar dhe pa nikoqirllëk buxhetin e shtetit, saqë vërtet vendi mund të shkojë shpejt në kolaps. “Mirëpo, këta nuk po ndalen vetëm me shpenzimet për Specialen, sepse tani kanë krijuar edhe këtë grupin për bisedime me Serbinë, ekipin që e kryesojnë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, kështu që loja me buxhetin po vazhdon pa i penguar askush, sepse aty po rrisin numrin e të punësuarave, por i punësojnë edhe njëri, edhe tjetri njerëzit e vet aty. Pra, abuzim dhe abuzim në të gjitha fushat me buxhetin e shtetit edhe përmes fenomenit të nepotizmit shumë të lartë në të gjitha institucionet”, theksoi Shyqyri Thaçi.

 Shpërdorimi në të gjitha anët

Qytetari Beqa Jusufi tha për “Kosova Sot” se aq shumë po abuzohet me paratë e popullit, buxhetin e shtetit, saqë tanimë asgjë nuk po mbetet sekrete. “Këtë gjë tanimë po e di krejt populli dhe jo vetëm ne. Tanimë po del që krejt këta në politikë dhe në institucione i kemi përafërsisht të njëjtë. Kështu është duke filluar nga udhëheqësia kryesore e shtetit, nga Presidenti, nga Qeveria, kryeministri dhe ministrat e deri tek deputetët. Abuzimi nuk po ndodh vetëm duke shpenzuar buxhetin kinse në emër të mbrojtjes nga Gjykata Speciale, sikur është ku rasti i 500 mijë eurove nga Ministria e Drejtësisë.

Por, abuzimi po ndodh edhe me shpërdorimin e detyrës zyrtare. Jemi dëshmitarë që krejt udhëheqësia po vrapon se si t’i punësojnë vetëm të afërmit e tyre, duke filluar nga babai, nëna, gjyshat e gjyshet e tyre, tezet e tezakët e tyre, kurse neve që nuk jemi të lidhur me politikën, si njerëz jashtë këtyre rrjeteve të organizuara politike, nuk mund të përfitojmë asgjë dhe as t’i realizojmë të drejtat tona qytetare”, potencoi Jusufi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)