Zhvatin miliona, drejtësia e mafio-oligarkëve i fal

  • 04 April 2019 - 07:49
Zhvatin miliona, drejtësia e mafio-oligarkëve i fal

Kapiti: Në Kosovë kemi një sistem drejtësie shërbëtor i politikës dhe pushtetit, sistem manipulator i ligjit, i shitjes të së drejtës

 “Është koha e fundit që përfundimisht të shkapet drejtësia nga kapja disavjeçare dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të tejinkriminuar të politikës së lidhur me mafio-oligarkët e tejkriminalizuar të mafiobizneseve kriminale. Me këtë qeveri, ndonëse të re në pushtet, por që është në fije të perit, që të mund të ndahet nga krimi i organizuar, i zhvilluar dhe i trashur në të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushtetit: në ekzekutiv, në legjislativ, në presidencë, në gjyqësor, në prokurori, në polici, në avokati”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Në Kosovë, edhe pse dhjetëra miliona euro llogaritet se i janë shkaktuar dëme buxhetit të shtetit nga keqpërdorimet e ndryshme me vepra penale, që lidhen me korrupsion e krimin e organizuar, sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të mbyllë sytë para ‘peshqve të mëdhenj’ të inkriminuar të politikës, por edhe ato pak raste që i trajton shqipton dënime minimale,theksojnë njohësit e fushës së drejtësisë. Të dhënat dëshmojnë dështimin e madh të sistemit të drejtësisë.

Nga 204 rast të korrupsionit, vetëm 27 prej tyre janë gjoja të nivelit të lartë. Dënimet që janë dhënë janë dënime me kusht, që kryesisht janë deri 12 muaj burgim, e të tjera dënime me gjobë, edhe pse bëhet fjalë për afera të rënda kriminale, korruptive. Të dhënat janë bërë publike nga Komisioni Konsultativ për Politikë Ndëshkimore. Sipas analistëve, edhe kjo shifër tregon se në Kosovë definitivisht nuk ka as prokurori e as gjyqësor të vërtetë, të cilët kryejnë punën e vet profesionale, por ata në fakt vetëm punojnë për interesat e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Gjyqësia e kapur punon me direktiva për rastet e profileve të larta, prokuroria ia huqi te rasti ‘Pronto’

“Politika ndëshkuese është e qartë, veprat penale të rangut të lartë të njerëzve që i kanë kryer nuk dënohen në mënyrë meritore, po sikur ndjekja penale nuk bëhet ‘ex officio’, proceset e zvarritura rezultojnë me parashkrim ose dënime me gjobë apo dënime me kusht, s’ka efikasitet gjyqësori.

Gjyqësia e kapur punon me direktiva për rastet e profileve të larta, andaj rezultojnë me aktgjykim lirues, rasti ‘Pronto’ është rast i humbur, ata njerëz mbahen në procese jo për keqpërdorim të detyrës, por për jobarazi, vepër penale e padukshme dhe vështirë apo është e pamundur të kenë prova që kanë punësuar njerëz partiakë, nepotistë, pra ia ka huq prokuroria temës”, shpjegon për “Kosova Sot” analisti Blerim Burjani.

Image
Naim Kelmendi

 Edhe një vit i humbur kot

Analisti Naim Kelmendi vlerëson se, siç po duket, drejtësia kosovare edhe ketë vit e humbi pa i nxjerrë në bankën e të akuzuarve “peshqit e mëdhenj” apo kokat e krimit të organizuar, të cilët kanë bërë mjaft vepra kriminale abuzive me ligjin e drejtësinë, skandale e hajni, por ata askush nuk i prek, apo t’i vërë për llogaridhënie para drejtësisë.

“Drejtësia kosovare edhe më tutje vazhdon të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale në vend dhe thuajse nuk ka pasur asnjë lëvizje dhe hap të vetëm drejt forcimit të shtetit ligjor apo sundimit të rendi dhe ligjit. Zaten, kështu Kosova po vazhdon të tolerojë këtë gjendje të brishtë e të degraduar në drejtësinë kosovare dhe padrejtësitë e shumta në proceset e kurdisura gjyqësore”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.“Është koha e fundit që përfundimisht të shkapet drejtësia nga kapja disavjeçare dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të tejinkriminuar të politikës të lidhur me mafio-oligarkët e tejkriminalizuar të mafio-bizneseve kriminale. Me këtë qeveri, ndonëse të re në pushtet, por që është në fije të perit që të mund të ndahet nga krimi i organizuar, i zhvilluar dhe i trashur në të tri pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit: në ekzekutiv, në legjislativ, në presidence, në gjyqësor, në prokurori, në polici, në avokati”, vijoi më tej Kelmendi.

“Është shumë hipokrite të deklarohet nga ana e zyrtarëve të drejtësisë se kinse po i bëhet luftë krimit e korrupsionit nga ana e drejtësisë, derisa në praktikën e drejtësisë për disa nga rastet jepen dënime të buta dhe kur janë në pyetje rastet e nivelit të lartë shifrat janë simbolike apo ata nuk ndiqen fare nga drejtësia”, potencoi ai. Sipas Kelmendit, definitivisht nuk ka as prokurori e as gjyqësor të vërtetë e funksional.

Image
Skender Kapiti

Kapiti: Drejtësia e manipuluar i ka lënë rrugën vetëgjyqësisë

Sipas analistit tjetër, Skënder Kapiti, drejtësia është e manipuluar, spekulative, ndërsa i ka lënë rrugën vetëgjyqësisë. “Pra, kjo do të thotë se ligji dhe drejtësia kanë standarde të shumëfishta në Kosovë, ku standardi i parë është mbrojtja, siguria dhe pandëshkueshmëria e krimit, korrupsionit dhe e shkelësve të mëdhenj dhe të rëndë të ligjit, e që janë personazhet VIP të politikës, pushtetit dhe të drejtësisë. Standardi tjetër antimoral dhe antiligjor i drejtësisë është ndëshkimi fare i lehtë dhe sipërfaqësor i ndonjë krimi e korrupsioni të lartë që bëhet edhe për mashtrim publik dhe ndërkombëtar se me demek ja që drejtësia po funksionon”, shpjegon ai për “Kosova Sot”.

“Standardi tjetër është shitblerja e drejtësisë, fitimi dhe dhënia e drejtësisë në favor të ndërhyrjeve politike, korrupsionit dhe të atij që paguan më shumë. Dhe standardi tjetër është ndëshkimi i rëndë për shkelësit e vegjël të ligjit, ndëshkimi i atyre të dobëtëve me të drejtë dhe me të padrejtë të cilët nuk kanë përkrahje politike dhe as mundësi financiare për ta paguar avokatin, gjyqtarin dhe prokurorin”, ka vlerësuar analisti Kapiti. Sipas tij, kjo është shkurtimisht me pak fjalë rezymeja e keqfunksionimit të drejtësisë në Kosovë, një sistem drejtësie shërbëtor i politikës dhe pushtetit, sistem manipulator i ligjit, i shitjes të së drejtës, e që e ka falimentuar sistemin, drejtësinë, dhe ka bllokuar demokracinë dhe integrimin

(Kosova Sot)