Gashi: Nëse nuk je militant, e ke të vështirë të pranohesh në një vend pune

  • 04 April 2019 - 16:16
Gashi: Nëse nuk je militant, e ke të vështirë të pranohesh në një vend pune

Analisti Driton Gashi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se ekonomia e Kosovës ka degraduar thellë dhe për momentin është e pariparueshme, dhe përgjegjësia e gjithë kësaj mbetet tek njerëzit e papërgatitur dhe kasta e politike. “Kosovës, gjithnjë kam menduar, se i duhet një lider i mirëfilltë ekonomist, mirëpo fatkeqësisht, gjithnjë në pushtet kanë qenë njerëz të cilët nuk e kanë kuptuar se çfarë do të thotë të kesh shtet, pra, të kuptosh se çfarë do të thotë të jetosh në një shtet të pavarur.

Në këto ditë, ajo se çfarë i ka irrituar qytetarët e Kosovës, ka qenë punësimi i familjarëve të pushtetarëve, madje fare pa fije turpi këtë e kanë pranuar edhe në media, dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim serioz për këtë gjë. Këta njerëz, me joseriozitetin e tyre dhe qasjes ndaj shtetit, po tregojnë qartazi se Kosova nuk është një shtet serioz, porse një shtet i kapur nga klane mafioze. Këto fenomene ndodhin jo vetëm në nivel Kosove, por edhe në të gjitha komunat e saj, ku sa do i përgatitur të jesh intelektualisht dhe të kesh gradë shkencore, prapëseprapë, nëse nuk i përket një partie politike, pra, nuk je militant, e ke të vështirë të pranohesh në një vend pune që të takon”, theksoi analisti Gashi për gazetën.

Ai shton se po jetojmë në një kohë mjaft të keqe dhe të vështirë ku morali dhe besimi i qytetarëve ndaj institucioneve ka rënë poshtë. “Prandaj, derisa ekzistojnë këta emra politikanësh në pushtet, Kosova asnjëherë nuk meriton të quhet shtet, dhe është e vështirë që të kthehet besimit tek shtetësia e saj”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)