I motivuari nga videot në 'YouTube' del në pension në moshën 28-vjeçare?

  • 04 April 2019 - 16:23
I motivuari nga videot në 'YouTube' del në pension në moshën 28-vjeçare?

Një sipërmarrës 28 vjeç thotë se më nuk ka nevojë që të kapë punë me dorë, pasi që është mësuar për t'u bërë magnat i pronave, duke shikuar videot në "YouTube". Nathan Winch thotë se biznesi i tij i pronave i sjell më shumë se 10,000 funte në muaj nga investimet. Ai posedon një portofol të vogël të pronave të lira në Barnsli, Jorkshajër, me vlerë rreth 500,000 funte, përkundër faktit se sapo ka filluar që të përkushtohet ndaj kësaj veprimtarie. Përpos që ka nëntë prona, Nathan ndihmon në kompletimin e marrëveshjeve për investitorët, duke marrë një tarifë për veten e tij. Ai tregon se si, një mëngjes, arriti që të fitonte 13,500 funte pasi që kompletoi dy negociata pronësore. 

Kompleton marrëveshje për investitorët

Nathan e shpjegon këtë sukses të shpejtë të tij me faktin se kishte shikuar shumë video të "kurseve të shpejta për investitorë në pronë", të bëra nga Samuel Leeds - një investitor i famshëm pronësor me pasuri disa milionë funte. Në kuadër të videove të tij motivuese, "Youtuber"-i Sam Leeds shpjegon mënyrat më të mira për të bërë para nga marrëveshjet pronësore. Nathan ka filluar që ta kompletojë njërën nga strategjitë e cila përfshin marrjen e pronës "meqë pronari nuk mund ta shesë atë, apo është ekuitet negativ". Nathan bën ofertën për të paguar hipotekën, faturat dhe merr përgjegjësinë për riparimet e pronës, para se ta dorëzojë atë dhe ta mbajë qiranë. Pasi që të kalojë periudha e marrëveshjes, Nathanit i mbetet opsioni që ta blejë pronën dhe ta shesë atë (nëse janë rritur çmimet e shtëpive), apo ta kthejë atë te pronari fillestar, nëse çmimet e shtëpive kanë rënë. Biznesmeni i përkushtuar, nga Barnsli, thotë se tani mund të jetojë vetëm nga të ardhurat mujore nga portofoli i tij, pa pasur nevojë të dalë në punë, por thotë se, për shkak të prirjes së tij që vazhdimisht të arrijë gjëra të reja, me gjasë kurrë nuk do të ndalet së punuari.

Ja si shprehet ai: "Po të doja, do të mund të punoja vetëm tri-katër orë në muaj. Por, unë dua që të vazhdoj, meqë puna më kënaq. Tani jam duke u marrë më shumë me blerjen e pronave dhe me arritjen e marrëveshjeve shtesë. Të tjerët më thonë, ik, shko në ndonjë plazh diku, por nuk ma merr mendja se mund të rri pa punuar". Nathan po ashtu kompleton marrëveshje për investitorët me të cilët është njoftuar në biznesin e tij paraprak, farmaceutik. Për një mëngjes të vetëm, thotë ai, ka negociuar një zvogëlim të madh, prej 100,000 funteve, në çmimin shitës të një blloku apartamentesh. Të njëjtën ditë ai fitoi edhe 1,500 funte, në formë të 'tarifës së gjetësit' ('finder's fee'), duke aranzhuar një shitje në qytetin e tij, për një investitor tjetër.

Është vështirë të humbësh para duke investuar në pronë

Nathan studioi në Barnsli para se të diplomonte në biologji në Universitetin "Huddersfield" dhe ta fillonte një karrierë në NHS (Shërbimin nacional shëndetësor). Por, në një moment, Nathan kuptoi se mund të gjente (blinte) lëngjet, xhelatinën dhe shkumën e duarve me çmim më të lirë sesa që i blinte aktualisht spitali. Nathan thotë: 'Pashë se ata ishin duke i rrjepur dhe mendova se mund të gjeja produktet e njëjta me një çmim më të ultë. Thjesht, vërejta një mundësi". Ai la punën në vitin 2011, për ta filluar biznesin e tij, jashtëzakonisht fitimprurës, "WinchPharma". Kompania e re e Nathanit arriti që të mposhtë konkurrencën, ku përfshiheshin disa nga emrat më të mëdhenj të kompanive farmaceutike, me ç'rast lidhi një kontratë me vlerë 39 milionë funte, për ta furnizuar NHSnë. Ai e udhëhoqi këtë kompani për gjashtë vjet, para se ta shiste atë në mars të vitit 2017. Përkundër asaj se u bë konsultant për biznese të tjera, për rreth 18 muaj, Nathan vendosi që të hynte në tregun e patundshmërive 'me orar të plotë' në shtator të vitit 2018. Ja çka thotë ai: 'I kisha disa prona nga koha sa kisha qenë në biznesin paraprak, por kurrë nuk kisha ndarë kohën për t'i analizuar, apo për t'i shtuar në portofolin tim. Në shtator fillova që të shikoja video këshilluese në 'YouTube', me ç'rast kuptova se deri atëherë kisha punuar në mënyrë të gabuar dhe se mund të fitoja shumë më shumë para pa pasur nevojë të humbja. Kisha para nga biznesi im paraprak dhe me të vërtetë është vështirë të humbësh para duke investuar në pronë, prandaj mu duk mënyra më e mirë për të vazhduar tutje". Dhe, koha tregoi se ai kishte të drejtë. 

(Kosova Sot)