Çfarë tha kreu i NATO që u prit me brohoritje në kongresin amerikan

  • 04 prill 2019 - 17:58
Çfarë tha kreu i NATO që u prit me brohoritje në kongresin amerikan

Kreu i NATO-s paralajmëroi Kongresin amerikan për kërcënimin që paraqet ndaj aleancës Rusia, që ai tha se është bërë “më agresive”, duke përfshirë shkeljet e saj ndaj Traktatit të Forcave Bërthamore me rreze të mesme veprimi.

“NATO-ja nuk ka ndërmend të vendosë raketa bërthamore me bazë tokësore në Evropë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. “Por NATO-ja, – tha ai, – gjithmonë do të ndërmarrë hapat e nevojshme për të garantuar një frenim të besueshëm dhe efektiv.”

“Ne nuk duam t’a izolojmë Rusinë. Ne përpiqemi për një marrëdhënie më të mirë me Rusinë,” tha zoti Stoltenberg. “Por edhe me një marrëdhënie më të mirë, ne përsëri na duhet të përballemi me një problem të vështirë.”

Zoti Stoltenberg e përdori fjalimin e tij edhe për të argumentuar me forcë se NATO-ja është “aleanca më e suksesshme në histori”, edhe pse Presidenti Donald Trump shpesh është shprehur me komente ironike për të.

Anëtarët e Kongresit, të cilët e përshëndetën zotin Stoltenberg me brohoritje të gjata, thanë se e shihnin fjalimin e tij përpara sesionit të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit si një rast për të riafirmuar angazhimin amerikan ndaj aleancës.

Zoti Stoltenberg është i pari norvegjez, të cilit i akordohet nderi i rrallë për të mbajtur një fjalim të tillë.

“NATO-ja ka qenë e dobishme për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara,” tha ai.

Zoti Stoltenberg, i cili ka qenë dy herë kryeministër i Norvegjisë, pranoi dallimet që ekzistojnë midis vendeve të NATO-s për tregtinë, energjinë, ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera, por tha: “Kjo është demokracia, nuk është shenjë e dobësisë, është shenjë e forcës”.

Kreu i NATO-s u takua të martën me Presidentin Trump, i cili tha se presioni i tij që vendet e NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre ka shtuar dhjetëra miliarda dollarë më shumë kontribute, por aleatët mund dhe duhet t’i rritin edhe më shumë buxhetet e tyre.

Zoti Stoltenberg tha se vendet e NATO-s janë “duke u shtuar miliarda” shpenzimeve të tyre të mbrojtjes.

NË 70-VJETORIN E ALEANCËS

Zoti Stoltenberg u prit në Kapitol me duartrokitje të gjata.

Ai theksoi se NATO-ja është jo vetëm aleanca më jetëgjatë, por edhe më e suksesshmja në histori.

“Që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949, çdo Kongres, çdo president amerikan, burrat dhe gratë tuaja në uniformë dhe njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë përkrahës të vendosur të NATO-s. Amerika ka qenë shtylla kurrizore e Aleancës sonë. Ajo ka qenë thelbësore për sigurinë evropiane dhe për lirinë tonë. Ne nuk do të kishim një Evropë paqësore dhe të begatë që shohim sot pa sakrificën dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara,” tha zoti Stoltenberg.

Ftesa për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s erdhi nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell për të treguar mbështetjen dypalëshe që aleanca 70-vjeçare gëzon mes ligjvënësve, pavarësisht kritikave që Presidenti Donald Trump i ka bërë herë pas here aleancës.

Zoti Stoltenberg, mandati i të cilit është zgjatur deri në vitin 2022, tha mes të tjerash në fjalim:

“Ne frenuam Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Ndaluam mizoritë në Ballkan. Luftuam terrorizmin nga Afganistani në Lindjen e Mesme. Mirëpritëm vendet e reja të lira të Evropës Qendrore dhe Lindore në Aleancë, duke ndihmuar në përhapjen e demokracisë, paqes dhe begatisë”.

Ai tha se dyert e NATO-s janë të hapura, dhe se me mbështetjen e aleatëve, Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet anëtarja e 30-të.

Por zoti Stoltenberg shtoi se suksesi në të kaluarën nuk është garanci për suksesin në të ardhmen.

Fjalimi i tij vjen në prag të takimeve të ministrave të jashtëm të NATO-s në Uashington.

Sesioni i tyre i parë të enjten përqëndrohet tek Rusia. Ministrat pritet të miratojnë një paketë masash për të përmirësuar mbrojtjen e NATO-s në Detin e Zi.

Tema të tjera do të jenë misioni i NATO-s në Afganistan dhe vendimi i shpallur nga Turqia për të blerë një sistem raketash ruse.

Zëvendës-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Mike Pence tha të mërkurën se Turqia duhet të zgjedhë nëse do të vazhdojë të jetë një partnere me rëndësi kritike e NATO-s, apo do të rrezikojë partneritetin me ‘vendime të papërgjegjshme’ si blerja e sistemit antiajror rus.

(Kosova Sot)