Shpendi e Fatmiri shkarravisin buxhetin me nipër e tezakë

  • 05 April 2019 - 07:44
Shpendi e Fatmiri shkarravisin buxhetin me nipër e tezakë

Hertica: Ekipi i udhëhequr nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti përbëhet nga adoleshentë dhe joprofesionistë

 “Shpendi Komunën po e shfrytëzon si pronë private, ku rehaton teze e tezakë. Ky negociator i dobët është shndërruar në marionetë të PDK-së, e nga kjo po e pëson më së shumti kryeqyteti. Pak punë e shumë hajni. Me këtë fjalë do të përmbyllet mandati i këtij kryetari mashtrues. Qytetarët duhet të aktivizohen me peticione e protesta, që së bashku me opozitën ta detyrojmë ekzekutivin që të punojë sadopak”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” asamblisti i Komunës së Prishtinës, Egzon Ademi

Përdorimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës nga kryetari i saj, Shpend Ahmeti, për të udhëtuar në Bruksel, po konsiderohet skandaloz nga ana e analistëve, por edhe të asamblistëve. Ata thonë se duhet urgjentisht të shkarkohet kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili po abuzon me paratë e tatimpaguesve në shkelje të ligjit dhe për interesat personale. Sipas tyre, dyshja Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, të cilët kanë marrë nipat, gjegjësisht tezakët e tyre, në ekipin negociator është shndërruar në ekip të interesave të tyre për rehati të familjarëve dhe zhvatjen e parave të popullit.

Analisti Ali Hertica thotë për gazetën “Kosova Sot” se rrjedhimisht Shpend Ahmeti ka udhëtuar me para të buxhetit të Komunës së Prishtinës, ndërkaq Fatmir Limaj me buxhet të Qeverisë, që të dyja buxhetet janë taksa të qytetarit të përvuajtur. “E njëjta vlen edhe për anëtarët e tjerë të delegacionit. Ky ekip nuk është ekip pingpongu, por ekip që duhet të vulosë fatin e një shteti, pra të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai. Hertica ka shtuar se ky ekip, i udhëhequr nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, përbëhet nga adoleshentë dhe joprofesionistë të fushave politike.

Image
Egzon Ademi

Ademi: Shpendi është shndërruar në marionetë të PDK-së

Asamblisti i Komunës së Prishtinës nga radhët e VV-së, Egzon Ademi, thekson për gazetën “Kosova Sot” se keqqeverisja e keqmenaxhimi po vazhdojnë në Komunën e Prishtinës. “Shpendi Komunën po e shfrytëzon si pronë private, ku rehaton teze e tezakë. Ky negociator i dobët është shndërruar në marionetë të PDK-së, e nga kjo po e pëson më së shumti kryeqyteti. Pak punë e shumë hajni. Me këtë fjalë do të përmbyllet mandati i këtij kryetari mashtrues. Qytetarët duhet të aktivizohen me peticione e protesta, që së bashku me opozitën ta detyrojmë ekzekutivin që të punojë sadopak. Arsyetime e tyre s'kanë fund, por politikisht ka ardhur fundi i tyre. Le të fillojnë t’i numërojnë ditët nga mbrapa”, është shprehur ai.

Kanë marrë nipat e tezakët e tyre në ekipin negociator

Analisti Ragip Guraziu është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se Shpend Ahmeti me paratë e buxhetit të Komunës së Prishtinës po udhëton dhe po i shfrytëzon për në Bruksel dhe udhëtimet tjera jashtë Prishtinës.“Po si mund ndryshe të quhet edhe ky shembull i tij, veçse skandal e përtej skandalit. Është skandaloz fakti se Shpend Ahmeti po e keqpërdor buxhetin e Komunës së Prishtinës. Ahmeti duhet urgjentisht të shkarkohet, i cili po abuzon me paratë e tatimpaguesve në shkelje të ligjit dhe për interesat personale. Shpend Ahmeti dhe ortaku i tij, të cilët kanë marrë nipat, gjegjësisht tezakët e tyre në ekipin negociator, po e demaskojnë veten dhe vetë ekipin negociator”, është shprehur ai.

Analisti Arsim Haziri theksoi për gazetën “Kosova Sot” se kryetari Ahmeti aktualisht e ka të pamundur t'i zgjidhë kërkesat e Prishtinës apo t’u përgjigjet nevojave, duke u nisur nga fakti se ai i ka tri funksione, kryetar i një subjekti ekzistues, kryetar i kryeqendrës, si dhe atë të negocimit me Serbinë.“Tashmë kapaciteti i tij politik e ka të pamundur t'u ofrojë shërbime efikase banorëve të Prishtinës. Pra, në këtë dimension është edhe fenomeni më masiv në Kosovë, nepotizmi. Ikja e kryetarit Ahmeti nga Lëvizja VETËVENDOSJE, sipas prononcimeve, ishte bërë për shkak të padrejtësive, ndërsa tanimë po del që vetë ai ka vuajtur për liderizëm dhe këtë s'ka mundur ta ketë brenda organizatës, duke e ditur peshën e Albin Kurtit”, ka theksuar analisti Arsim Haziri për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Shefik Shkodra

Shkodra: Ky ekip, i ashtuquajtur grupi negociator, në kurrfarë dialogu nuk do të ketë sukses

“Skandal pas skandali. Këta zotërinjtë e këtij pushteti sikur po bëjnë gara, cili mundet më shumë të punësojë në domenin që e ka marrë si resor për ta 'qeverisur', gjithsesi me njerëz familjarë. Për të marrë diçka nga Qeveria, personat duhet të jenë shumë kredibilë e pa kurrfarë afere në prapavijën e tyre. Njëri, Shpend Ahmeti, shkon në Bruksel me paratë e buxhetit të Komunës, tjetri, Fatmir Limaj, bashkë me të parin punësojnë njerëz të afërm në ekipin e tyre. Po ky ekip i ashtuquajtur negociator s'mund të krahasohet me estradat muzikore apo me aderues të lojërave sportive.

Po këta mirë e kanë. Qytetarët e këtij vendi janë aq të qetë, sa nuk e prishin qejfin e kafesë dhe të duhanit. Në anën tjetër ankohen sa për të bërë 'llafe' qosheve, se 'nuk i kemi punët mirë me këtë klasë politike'. Po të ishte një Bangladesh, Somali a kushedi tjetër, që na i përqeshim, si vende kinse tejet të prapambetura, qytetarët e atyre vendeve moti do t'i largonin nga skena politike tipat e tillë. Dhe jo që të shkarravitin buxhetin, 50 mijë, 100 mijë, e miliona krejt për interesa dhe mbrojtjen e vetvetes.

Ky ekip, i ashtuquajtur grupi negociator, në kurrfarë dialogu nuk do të ketë sukses. Veç te ne s'ka kush t'u thotë uluni poshtë dhe mos harxhoni”, theksoi analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)