Protagonistët e mbushjes së “gushës” dirigjojnë Prokurorinë

  • 05 April 2019 - 08:01
Protagonistët e mbushjes së “gushës” dirigjojnë Prokurorinë

 Kelmendi: Njerëzit e nëntokës kriminale dhe të pushtetit të inkriminuar e kanë kontrollin mbi çdo gjë

 “Formulimi i aktakuzës përbën vepër gati të paqenë, prandaj do të duhej të ishte keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ata kanë bërë vetëm vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në nepotizëm dhe punësim partiak, kontroll të parasë publike. Këta zyrtarë të lartë kanë dhe duhet të dyshohen edhe për vepra penale të natyrës rrjet kriminal, bashkëpunim për vepër penale kundër pasurive publike dhe kontrollit mbi kompanitë publike”, thotë për “Kosova Sot” analisti i çështjeve juridike, Blerim Burjani

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”. Mirëpo, analistët vlerësojnë se është qesharake aktakuza e Prokurorisë Speciale kundër klanit “PRONTO” me vetëm aktakuzën, me veprën penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës . Analistët pyesin se pse në këtë aktakuze nuk u përfshinë urdhërdhënësit e çdo veprimi joligjor, e as mafio-oligarkët që pandalshëm ia lagin fytin përmes korruptimit kriminal Adem Grabovcit.

Sipas tyre, kjo tregon se mund të mbyllet edhe ky rast skandaloz e kriminal, pikërisht pasi në Kosovë sistemin e drejtësisë e ka në duar politika e inkriminuar e njohur si klani “Pronto”. Vetëm Prokuroria e di se çfarë prove tjetër i është dashur kur në përgjime dëgjohet qartë se si Grabovci kërkon nga Shkëlqim Devolli t’ia lagë fytin. Është e qartë se as prokuroria e as gjyqësori nuk dëshirojnë që ta zbardhin krimin e organizuar që është pikërisht prapa këtij klani “PRONTO” dhe klanit “Coca Cola Zero”.

Image
Riza Smaka

Smaka: Prokuroria, e instrumentalizuar nga pushteti

“Po të mos ishte Prokuroria nën influencë të fuqishme të institucioneve pushtetare, ajo pa dyshim jo vetëm në aferën ‘Pronto’, por në shumë të tjera do të kishte ndërmarrë masa të ndjekjeve penale dhe të njëjtat do t’i kishte proceduar me ngulm deri në fund, duke e kënaqur ligjin në aplikim e me të duke e krijuar një sentiment satisfikator te qytetarët aktualisht tejet të zhgënjyer e të dëshpëruar. Qartas, Prokuroria edhe në këtë rast ka vepruar sipas kritereve selektive mbase duke iu referuar proverbit popullor ‘mos lëviz një kashtë se dalin gjashtë’....”, ka thënë për “Kosova Sot” analisti i çështjeve juridike, Riza Smaka.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Rasti mund të përfundojë në parashkrim

“Formulimi i aktakuzës përbën vepër gati të paqenë, prandaj do të duhej të ishte keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ata kanë bërë vetëm vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në nepotizëm, dhe punësim partiak, kontroll të parasë publike. Këta zyrtarë të lartë kanë dhe duhet të dyshohen edhe për vepra penale të natyrës rrjet kriminal, bashkëpunim për vepër penale kundër pasurive publike dhe kontrollit mbi kompanitë publike. Vepra penale e pabarazisë statusore nuk mund të vërtetohet apo është shumë vështirë të argumentohet një vepër e tillë e shkaktuar.

Pra, formulimi i veprës në aktakuzë është i dështuar, realisht një vepër e tillë e shkaktuar përbën shkelje të disa neneve të kodit, por jo vetëm pabarazi statusore të qytetarëve, ky gjykim gjasat i ka të dështojë, tash është në kompetencë të gjykatës të vendosë, edhe gjykimi i tillë mund të përbëjë mungesë të provave për gjykim dhe si i tillë mund të zvarritet rasti deri në parashkrim”, ka shpjeguar analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

Image
Gent Gjini

Krimi i organizuar, sfidë e patejkaluar për drejtësinë

Avokati Gent Gjini shprehet për gazetën “Kosova Sot” se segmenti i institucioneve të drejtësisë është ai i cili në frontin e parë lufton kriminalitetin, përkatësisht krimin e organizuar, dhe para vetes ka mekanizma institucionalë se si të bëhen përpjekjet dhe të identifikohen sot të ashtuquajturat ‘krimet e organizuara’. “Për fat të keq, neve ende na mungojnë kapacitetet profesionale të prokurorëve, përkatësisht mungon guximi dhe ka mosnjohje të problematikës së krimit të organizuar.

Realisht, sot kjo dukuri është shumë prezente në shoqërinë tonë. Sot, në shumë seancat e zhvilluara gjyqësore kemi parë se shumë çështje-dosje, kur kanë pasur para vetes shenjën e krimit të organizuar, ato më vonë, përkatësisht ai element i krimit organizuar, ka dështuar në shumë raste dhe ajo dosje më pastaj ka marrë tretman të vazhdimit të procedurave standarde penale”, potencoi ai.

“Mendoj se krimi i organizuar, sot mbetet sfidë për vetë prokurorët, sepse krimi i organizuar në vete është çështje shumë komplekse dhe, sipas dispozitave ligjore, gjithmonë ligjërisht në rastet kur janë zhvilluar hetimet me të vetmin qëllim që zbulohen skemat e organizimit të aktorëve apo anëtarëve të krimit të organizuar. Sot, identifikimi i anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, dhe përcjellja në relacionet dhe raportet ndërmjet tyre paralelisht, duke zbatuar edhe mjetet teknike të përgjimeve, si filmimet dhe përgjimet, kemi hasur në raste nga praktika kur këto standarde nuk janë zbatuar, pra ka munguar vullneti apo përkatësisht edhe neglizhimet dhe lëshimet në hapa, të cilat janë bërë nga autoritetet hetuese”, vijoi më tej avokati Gjini. Sipas tij, këto çështje të ndjeshme janë të rregulluara decidivisht me Kodin Penal për mënyrën, kohën dhe afatin për të cilat këto duhen të zbatohen në rastet e hetimeve të grupeve të organizuara kriminale.

Image
Naim Kelmendi

 Kelmendi: Mafio-oligarkët dirigjojnë sundimin e ligjit

Analisti Naim Kelmendi shprehet se mbase mafio-oligarkët e pushtetit e politikës dhe nëntokës kriminale e kanë ndikimin dhe kontrollin e tyre në drejtësinë kosovare dhe krejt kjo në ndërlidhje me njerëzit e korruptuar të drejtësisë.

“Kështu që, këta duke pasur ndikimet e veta në drejtësi, thjesht arrijnë kështu ta sfidojnë drejtësinë, mbase edhe duke fshirë dosjet e krimit dhe janë në gjendje të bëjnë ç’të duan me drejtësinë, e cila fatkeqësisht është në duart e tyre apo në duart e vetë krimit të organizuar dhe strukturës së kriminalizuar e të korruptuar pushtetare”, ka vlerësuar ai.

“Duke qenë kështu gjendja në të vërtetë njerëzit e nëntokës kriminale dhe të pushtetit të inkriminuar, fatkeqësisht, arrijnë të kenë kontrollin e tyre dhe ndikimin e pakontestuar mbi çdo gjë, madje duke i zotëruar edhe informacionet në Polici, në gjykata e në Prokurori”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, ky është një realitet shqetësues për vetë shtetin e së drejtës në Kosove, i cili de fakto nuk ekziston dhe për sundimin e rendit dhe ligjit, e që nga standardet e duhura evropianë sigurisht se jemi larg.

(Kosova Sot)