Rritja e borxhit publik, Kosova po shkon rrugës së falimentimit

  • 05 April 2019 - 08:13
Rritja e borxhit publik, Kosova po shkon rrugës së falimentimit

Kelmendi: Shtetit i Kosovës po keqmenaxhohet nga pushtetarët e inkriminuar

 “Paralajmërimi i Bankës Botërore për vlerën deri 30 për qind të Bruto Produktit Vendor është vërtet i frikshëm dhe mund ta çojë Kosovën drejt një krize të thellë ekonomike.

Kjo është alarmuese, mirëpo reflektimet e atyre që janë në krye të shtetit lidhur me këtë janë të pabesueshme dhe indiferente. Të sillesh me gjakftohtësi ndaj këtij fenomeni do të thotë vërtet çmenduri, sepse kjo e dërgon Kosovën drejt një falimentimi të sigurt dhe e gjithë kjo vjen si pasojë e njerëzve të papërgatitur, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por në të gjitha aspektet. Prandaj, e gjithë kjo atakon drejtpërsëdrejti jetën e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk do të kenë zgjidhje tjera ekzistenciale, vetëm të kërkojnë jetë në vende tjera të Evropës”, thotë analisti Driton Gashi për “Kosova Sot”

Banka Botërore në Kosovë ka paralajmëruar Qeverinë se borxhi publik në Kosovë deri në vitin 2025 mund të arrijë vlerën deri në 30 për qind të Bruto Produktit Vendor, duke çuar Kosovën drejt krizës. Sipas analistëve dhe ekspertëve ekonomikë, ky është një alarm për vendin. Ata thonë se këta pushtetarë shtetin po e dërgojnë drejt falimentimit, duke keqpërdorur dhe duke zhvatur buxhetin dhe kjo do ta rëndojë edhe më shumë jetën e qytetarëve.

Image
Dardan Grapci

Analisti Dardan Grapci theksoi se Banka Botërore në Kosovë si duket i ka bërë kalkulimet gabim, sepse borxhi publik në Kosovë e ka vlerën bruto më shumë se 30 për qind. Ja disa arsye pse Kosova është në krizë:

1. Që nga Pavarësia e Kosovës e deri më sot, politikanët kosovarë e kanë gënjyer popullin që do të ketë hapje të vendeve të reja të punës.

2. Qeveria e Kosovës e ka gënjyer popullin që nga viti 2010 e deri më sot, se Kosova do të hyjë në liberalizim të vizave.

3. MASHT-i i ka gënjyer fëmijët, studentët, që do të ketë arsim stabil dhe profesional në Kosovë, si dhe diplomat e tyre do të njihen në Evropë dhe më gjerë. Këto janë vetëm disa nga dështimet dhe gënjeshtrat që i kanë bërë politikanët tanë. Prandaj, nëse vazhdohet me këto borxhe publike deri në vitin 2025, mundem lirisht të them që populli i mjerë duhet t’i kthejë sytë vetëm tek Zoti, sepse do të vuajnë për një copë bukë, sepse mbi 70 për qind të popullit të Kosovës janë pa punë, rinia po ikën jashtë vendit për një jetë sa më të mirë, edhe ata që vetëm i kanë profesionet e tyre po e lëshojnë dhe do ta lëshojnë Kosovën, prandaj nga e gjithë kjo mund të ndodhë që edhe bota evropiane të largohet nga Kosova, ku do të na lënë nën mëshirën e Zotit”, është shprehur Grapci për “Kosova Sot”. Sipas tij, Kosova është në hapat e parë të falimentimit, prandaj nëse nuk bëhet ndonjë ndryshim në Qeverinë e Kosovës brenda këtij viti, viti i ardhshëm do të jetë edhe më i rëndë.

Image
Faik Krasniqi

 Politikanët e pangopur

Analisti Faik Krasniqi theksoi se deri para disa vjetësh Kosova borxhin publik e ka pasur pothuajse minimal.“Vitet e fundit ky borxh është rritur në mënyrë drastike, për shkak të shpenzimeve të pakontrolluara të pushtetarëve tanë të zhytur në luks.

Nëse borxhi publik do të rritej për shkak të investimeve në hapjen e vendeve të reja të punës, do të thotë në ekonomi nuk do të ishte fare shqetësuese, sepse zhvillimi ekonomik këtë borxh do ta shlyente brenda pak vjetësh. Por, këta po e zhysin Kosovën në borxhe për lukset e tyre dhe për ndërtimin e autostradave miliardëshe, aty ku mund të vjedhin më lehtë dhe është paraja e madhe. Rritja e borxhit publik me këta hapa do të ndikojë që edhe fëmijët dhe nipërit tanë të ballafaqohen me këtë borxh që do ta trashëgojnë nga politikanët e pangopur. Ky borxh do të lërë pasoja të mëdha në zhvillimin ekonomik të Kosovës, edhe ashtu kemi një ekonomi të prapambetur”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën. Sipas tij, zbrazja e vendit nga popullata drejt Perëndimit do të ndikojë edhe më shumë në këtë gjendje me ekonomi të pazhvilluar dhe me borxh publik të madh, gjë që do të çojë në falimentimin e shtetit.

“Mburremi që kemi më së shumti ekonomistë, madje të zotë. Kurse Kosova është vendi gati me ekonominë më të dobët në Evropë. As dhjetëra këshilltarët dhe oborrtarët e kryeministrit Haradinaj, siç duket, nuk po mund të ndikojnë tek ai që t'i thonë se Kosovën je duke e dërguar drejt kolapsit ekonomik nëse vazhdon ta shpenzosh buxhetin në mënyrë të pakontrolluar dhe për lukse e paga të tyre”, është shprehur analisti Krasniqi.

Jeta e qytetarëve rëndohet edhe më shumë

“Paralajmërimi i Bankës Botërore për vlerën deri 30 për qind të Bruto Produktit Vendor është vërtet i frikshëm dhe mund ta çojë Kosovën drejt një krize të thellë ekonomike. Kjo është alarmuese, mirëpo reflektimet e atyre që janë në krye të shtetit lidhur me këtë janë të pabesueshme dhe indiferente. Të sillesh me gjakftohtësi ndaj këtij fenomeni do të thotë vërtet çmenduri, sepse kjo e dërgon Kosovën drejt një falimentimi të sigurt dhe e gjithë kjo vjen si pasojë e njerëzve të papërgatitur, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por në të gjitha aspektet. Prandaj, e gjithë kjo atakon drejtpërsëdrejti jetën e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk do të kenë zgjidhje tjera ekzistenciale, vetëm të kërkojnë jetë në vende tjera të Evropës”, theksoi analisti Driton Gashi për “Kosova Sot”

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Do të shkojnë vite që të nxirret Kosova nga humnera

“Alarmi i Bankës Botërore dhënë Qeverisë kuislinge dhe hajdute se borxhi publik në Kosovë deri në vitin 2025 mund të arrijë vlerën deri në 30 për qind të Bruto Produktit, se edhe Kosovën e çojnë drejt krizës së thellë, duhet marrë shumë seriozisht, sepse e thonë ekspertët e kësaj fushe, mirëpo e keqja është se zor e kuptojnë dhe e pranojnë ky grup CUBASH, të pashkolluar dhe nuk e njohin fare, prandaj kur nuk kanë haber në të dhe mund të mos e pranojnë vetëm nga frika e popullit, se ndoshta u rrëshqet dheu nën këmbë. Për këta me rëndësi është mbajtja e pushtetit dhe të mos ndalen në udhën e hajnisë.

Dhe, në qoftë se nuk largohen në theqafje sa më parë që është e mundur kjo kope cubash ka të ngjarë se Kosova shkon drejt falimentimit dhe pastaj duhet të shkojnë vite për ta nxjerrë nga humnera dhe vënë Kosovën në këmbë të veta. Shikoni vetëm se çfarë masakre i bëjnë buxhetit të shtetit, shikoni se çfarë krimi i bëjnë parasë publike, se si e keqpërdorin, shikoni se çfarë kasaphane i bëjnë djersës së taksapaguesve dhe ku pa pikë nevoje i keqpërdorin dhe kur shohin se presioni i popullit i nxjerrë në shesh thonë këta CUBA se kaq para na kanë tepruar.

Pra, kjo bandë hajnash në vend se paranë publike ta fusin në uljen e papunësisë, në prodhimtari, nëpër spitale, në arsim, kjo BANDË CUBASH harxhojnë për celularë të shtrenjtë, për vetura luksoze, për ahengje të panevojshme, për kërpesh dhe për lloj-lloj salltanetesh tjera, se mos të flasim për hajni, se e kanë parë më se populli i kuptoi se u bënë supermilionerë me vjedhje të buxhetit dhe si nuk shkon vendi në falimentim. Vendi shkon domosdo në falimentim me këtë kope hajdutësh, sepse shikoni si e shkatërruan dhe si e prunë ekonominë e vendit në derexhe të vdekjes. Shikoni se si dhe me kë i bëjnë kontratat hajnat, krejt me qëllim të hajnisë, që të kenë hise bashkë në këto pazare dhe të gjitha këto mblidhen bashkë dhe çojnë drejt falimentimit të shtetit.

Po a e kuptojnë këta matrapazë dhe këta hajna se sa e rëndojnë jetën e qytetarit ashtu-ashtu të rënduar sa një bjeshkë dhe mu kjo ndikon që populli mbeti i pashpresë dhe rrugë për të shpëtuar e shohin vetëm ikjen nga Kosova dhe thonë publikisht të ikim nga këtu se në Kosovë s´ka asgjë, këtu s´ka mbetur më asgjë. E dëgjuat se çka thonë, se sa vende pune humbën në Kosovë dhe merreni me mend këta nuk e pranojnë këtë, a nuk është kjo qesharake naive. Dhe, krejt kollaj është që të shpëtojmë vendin nga kjo KATRAHURË, nga ky qorrsokak, duhet shporrur në theqafje këtë kope cubash, tyxharësh, që paranë publike e bëjnë rrush e kumbulla, vend e pavend, për të shpëtuar vendin nga falimentimi duhet populli të thotë fjalën e vet, t´i largojmë dhe pastaj nuk do kenë vend për të ikur”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Reshat Badallaj.

Image
Ibrahim Kelmendi

Kelmendi: Kemi një turmë parazitësh në pushtet

“Aty ku dëgjohen këshillat, informimet e Bankës Botërore, as bari nuk bien më, sepse ky institucion është më kriminali në botë.

Shtetet e zhvilluara, me demokraci solide, nuk ia varin fare Bankës Botërore! Megjithatë, shtetit i Kosovës po keqmenaxhohet nga pushtetarë të inkriminuar, që kanë konsoliduar banda të krimit të organizuar, që kanë kapur shtetin dhe po i katandisin në një vegjetim vetagjësues, meqë nuk kemi ekonomi të zhvilluar prodhuese, por vetëm turmë parazitësh”, theksoi analisti Ibrahim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”

(Kosova Sot)