“Kosova Sot”, lidere e luftimit të krimit e korrupsionit në Kosovë

  • 05 April 2019 - 08:28
 “Kosova Sot”, lidere e luftimit të krimit e korrupsionit në Kosovë

 Pishtare e lirisë dhe e demokracisë në Kosovë

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, analistë, ekspertë të fushave të ndryshme dhe qytetarë të këtij vendi, që lexojnë çdo ditë gazetën “ Kosova Sot”, theksojnë se kjo gazetë mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një shteti demokratik, të barabartë për të gjithë dhe është një zë i fuqishëm kundër korrupsionit, kundër drejtësisë selektive dhe kundër të gjithë keqbërësve të shtetit të Kosovës. Për këtë arsye, sipas tyre, “Kosova Sot” po e ngjall vetëdijen e qytetarëve për të ndërtuar një shtet ku mbizotëron sundimi i ligjit

Image
Veton Berisha

Veton Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës

Gazeta “Kosova Sot’ ka qenë një dritare e informimit në kohën e luftës, e këtë e kam mësuar nga të tjerët, ndërsa pas luftës këtë gazetë unë kam filluar që ta lexoj që nga viti 2003, në kohën kur kam qenë student dhe këtë gazetë e kam lexuar rregullisht. Motivi im për të hyrë në politikë dhe informatat që i kam marrë për gjendjen politike në vend, ka qenë pikërisht kjo gazetë. Sepse si student që ishim, nga ky medium informoheshim për politikën, shoubizin,ekonominë e fusha të tjera. Prandaj, e them pa hezitim që gazetën “Kosova Sot” gjithmonë e kam pasur preferencë për ta lexuar. “ Kosova Sot” si medium, bashkë me portalin e saj, është shumë objektive dhe ka informata të bollshme dhe të besueshme.

Artikulim i kërkesave të popullit

Image
Ahmet Krasniqi

Ahmet Krasniqi, nënkryetar i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës

Gazeta “ Kosova Sot”, sidomos gjatë kohës së luftës, si medium ishte një kontribuuese e madhe e lirisë dhe pavarësisë dhe ajo ishte një dritare e informimit për vendorët dhe miqtë tanë, SHBA-ja dhe Evropa. Sepse, shkrimet e kësaj gazete ishin artikulim i kërkesave të popullit dhe një zë i institucioneve të Kosovës përballë regjim fashist të Slobodan Milosheviqit dhe luftës së shqiptarëve autoktonë për lirinë e Kosovës. Sepse ,”Kosova Sot” luajti një rol shumë të rëndësishëm në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për krimet dhe gjenocidin që Serbia në Kosovë. Puna e gazetës” Kosova Sot” u bë halë në sy e regjimit serb dhe për pasojë “ Kosova Sot” pati një represion shumë të madh nga regjimi i Milosheviqit. Gazeta fillimisht u dënua me 300 mijë marka, kurse më pas regjimi e dogji shtypshkronjën, por edhe duke ushtruar presion ndaj stafit të gazetës. Me një fjalë, gazeta ”Kosova Sot “e përjetoi fatin e shqiptarëve autoktonë, pasi e lidhi fatin e mbijetesës së saj me mbijetesën e popullit, ndaj e barti dhunën mbi supe. Kurse pas luftës gazeta,” Kosova Sot” informoi opinion vendor e ndërkombëtar çfarë po ndodh në Kosovë dhe si po instalohet demokracia në Kosovë duke u shquar në luftimin e të këqijave. Prandaj, ruajtja e nivelit të informimit, si para ashtu edhe pas luftës, e bënë këtë medium që të jetë gazetë lidere në vendit tonë, por edhe më gjerë. Nuk na mbetet tjetër veçse stafit dhe Redaksisë t’u urojmë suksese të reja.

Image
Xhevat Meha

Xhevat Meha, ekspert i financave

Për fat të keq, para e gjatë luftës, unë kam jetuar jashtë atdheut dhe nuk di në detaje punën e fillestare të këtij mediumi, veçanërisht gjatë luftës. Por, kam dëgjuar për rolin e madh që e pati ky medium për informim, duke qenë një dritare e së vërtetës për Kosovën e bashkësinë ndërkombëtare, që për pasojë solli edhe dënimin e këtij mediumi e më pas edhe djegien e shtypshkronjës nga regjimi i Milosheviqit. Kurse, pas luftës, gazeta”Kosova Sot” është mediumi që më së shumti i dha hapësirë luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. Duhet të jemi të sinqertë, sepse kjo nuk është aspak e lehtë që ta bësh këtë dhe madje është shumë e rrezikshme, bile edhe me pasoja financiare për këdo që e ngrit zërin kundër shkeljeve ligjore që bëheshin dhe po bëhen në Kosovë. Sepse, është pikërisht gazeta”Kosova Sot’, që e bëri një luftë të madhe, sidomos me shkrime kundër korrupsionit të shtresave më të larta të pushtetarëve tanë, që ky medium i dha një rëndësi shumë të madhe nga të gjitha mediumet e tjera, duke u bërë lidere e luftimit të krimit, korrupsionit dhe të keqes që e ka kapluar Kosovën e pasluftës.

Image
Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi, analist

Vetëkuptohet, djegia e shtypshkronjës dhe ndalimi i botimit të gazetës dhe librave ka qenë veprim barbar, kriminel, që e bëjnë vetëm regjimet diktatoriale e kriminale.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës

Roli i gazetës “ Kosova Sot” ishte i madh gjatë luftës, sepse ky medium ishte bërë dritarja e informimit në Kosovë që e njoftonte botën me gjenocidin e Milosheviqit. Prandaj, ky medium u bë cak i forcave serbe, pasi e dënuan me 300 mijë marka, kurse më pas më 24 mars 1999 edhe e dogjën shtypshkronjën e saj. Por, e mira është se ky mediumi edhe pas luftës e vazhdoi misionin e informimit dhe roli i tij është i madh. ” Kosova Sot” po e ruan primatin që e kishte duke ngelur gazeta më objektive në vend.

Image
Xhevdet Neziraj

Xhevdet Neziraj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës

Nuk ka asnjë dyshim se gazeta “ Kosova Sot”, është pishtare e lirisë dhe demokracisë në Kosovë, duke qenë simbol i shprehjes së mendimit të lirë dhe kontributin e madh të saj në informim, sepse kontributi i kësaj gazete ka qenë në të gjitha periudhat dhe është edhe sot. Sepse, përveç kontributit që ka dhënë në shtypjen e librave shkollorë dhe informimin në kohë më të vështira, ajo edhe sot është duke informuar opinionin në mënyrë të drejtë dhe të pavarur edhe për situatën e tanishme në Kosovë. Prandaj, gazeta” Kosova Sot”, pa asnjë hezitim, me shkrimet e drejta dhe korrekte me të madhe është duke e luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe mafinë politike .

 Kërcënimet e shantazhet nuk e ndalën “Kosova Sot”

Image
Dardan Grapci

Dardan Grapci, analist ekonomie

Roli dhe kontributi i gazetës “ Kosova Sot”, në këto 20 vjetët e pasluftës, ka qenë gjithmonë i drejtpërdrejtë duke e luftuar politikën e pistë, ekonominë e brishtë dhe situatën e rëndë në vend, duke i ndihmuar popullit për ta kuptuar të vërtetën e asaj se çka po ndodh në Kosovë. Veç saj, gjatë okupimit, regjimi i Milosheviqit jo vetëm që e ka djegur shtypshkronjën, jo vetëm që ka tentuar t’ua mbyllë gojën gazetarëve në atë kohë, por janë munduar që përmes politikave serbe edhe ta marrin nën kontroll gazetën “Kosova Sot”, por ishin drejtuesit e kësaj gazete që asnjëherë nuk iu bindën autoriteteve serbe, por përkundrazi e kanë sulmuar me shtyp qeverinë serbe të asaj kohe dhe vetë Milosheviqin. Edhe sot ka shumë politikanë që flasin shqip, por që me zemër janë kah Serbia, që po mundohen ta mbyllin gazetën “ Kosova Sot”, me kërcënime dhe shantazhe të shumta ndaj Redaksisë dhe gazetarëve që janë nëpër terrene të ndryshme çdo ditë. Andaj, gëzuar edhe shumë përvjetorë të tjerë të gjithëve.

Image
Blerim Burjani

Blerim Burjani, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare

Gazeta “ Kosova Sot” i kontribuoi kauzës kombëtare për lirinë dhe pavarësinë dhe ndërtimin e Kosovës në një shtet modern dhe demokratik, në të gjitha periudhat kohore të zhvillimit. Gazeta “ Kosova Sot” mbetet medium i përkushtuar për ndërtimin e një shteti demokratik, të barabartë për të gjithë, për lirinë e shtypit dhe shprehjen e lirë të mendimit, madje as okupatori serb nuk mundi të ndalë këtë medium në kohë të vështira të okupimit gjatë viteve ‘90. Ndërsa tash, gazeta ”Kosova Sot” është një zë i fuqishëm për ndërtimin e një shteti demokratik, me sundim të rendit dhe ligjit dhe me një ekonomi të tregut. Gazeta “Kosova Sot” po ngre zërin fuqishëm kundër korrupsionit, kundër drejtësisë selektive dhe kundër të gjithë keqbërësve të shtetit të Kosovës. “Kosova Sot” është zëri i arsyes dhe zëri i ndërgjegjes përballë të gjitha të këqijave që janë grumbulluar në shtet. Kontributi i pandalshëm i mediumit ka ngjallur dhe po ngjall vetëdijen e qytetarëve për të ndërtuar një shtet demokratik për të gjithë të barabartë.

Rinor Rexha, qytetar

Të funksionosh në atë periudhë besoj që nuk ka qenë aspak lehtë, ashtu si nuk është as tani. Me anë të djegies së shtypshkronjës jo vetëm që kanë tentuar të ndalin informimin e drejtë, por edhe shumë të rëndësishëm, sepse ka qenë një periudhë e vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Besoj se edhe tani nuk është e lehtë, pasi mediet e shkruara ballafaqohen me shumë vështirësi, por në të njëjtën kohë edhe padrejtësi. Pasi nuk janë ndaluar në atë kohë, kanë vazhduar edhe pas luftës me informim e drejtë për të qytetarët e Kosovës.

Jetmir Zeqiri, qytetar

Okupatori serb është mundur me çdo kusht që të shuajë të gjitha aktivitetet në Kosovë dhe kjo ka bërë që të djegin edhe shtypshkronjën e gazetës dhe të ndalë botimin e kësaj gazete. Megjithatë, nuk ia ka arritur qëllimin, sepse gazeta ka funksionuar në kohë të vështira dhe po funksionon edhe tani, përkundër shumë vështirësive që ballafaqohen me çdo ditë. Asgjë nuk është e rastësishme, besoj se edhe duke djegur shtypshkronjën janë munduar për të ndaluar informimin e drejtë në kohën e luftës, ku çdo informatë ka qenë shumë e rëndësishme. Çdo informatë ka qenë jetike. Gazeta ka raportuar edhe nga vatra e luftës.

Arianit Hyseni, qytetar

Pushtuesi serb ka bërë shumë zullum në atë kohë dhe nuk është e rastësishme që kanë zgjedhur gazetën “Kosova Sot”. Gazeta ka qenë e dënuar, sepse ka raportuar në mënyrë të drejtë. Po të ishte në shërbim të udhëheqësve në atë kohë, sigurisht se nuk e kishin djegur. Por, gazeta ka raportuar në mënyrë të drejtë dhe për këtë arsye janë munduar që ta shuajnë. Megjithatë, nuk ia kanë arritur qëllimit. As tani, përkundër shumë vështirësive, gazeta nuk është ndalur dhe është zëri më i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

Jeton Bllacaku, qytetar

Sigurisht se djegia e shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot” dhe dënimi i saj nuk ka qenë i rastësishëm. Ka qenë një skenar i përgatitur nga okupuari serb, duke tentuar që të ndalë informimin e drejtë të qytetarëve, sidomos në atë kohë, kur kishte pak sosh. Gjithsesi, gazeta ia ka arritur qëllimin e saj, dhe funksionon edhe pas 20 vjetësh. Nuk ka qenë lehtë në atë periudhë, por as tani që të funksionoi siç duhet, duke marrë parasysh vështirësitë e shumta.

(Kosova Sot)