Koreja Jugore përfshihet nga zjarret e mëdha

  • 05 April 2019 - 11:21
Koreja Jugore përfshihet nga zjarret e mëdha

Autoritetet e Koresë Jugore e kanë shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare për shkak të njërit prej zjarreve më të mëdha në natyrë që është regjistruar ndonjëherë në histori të këtij shteti. Të paktën një person ka vdekur dhe më shumë se katër mijë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Mijëra ushtarë janë angazhuar për t’i ndihmuar zjarrfikësit që t’i shuajnë zjarret në rajonin malor të pjesës verilindore të vendit. Ky rajon shtrihet pranë kufirit me Korenë Veriore.

Ndonëse vatra kryesore e zjarrit më të madh është vënë nën kontroll, zyrtarët kanë thënë se në pjesë të ndryshme të maleve ka zjarre tjera që janë ende aktive.

Besohet që zjarri është shkaktuar nga disa shkëndija në një transformator të rrymës në provincën Gangwon, e cila shtrihet në verilindje të Seulit.

Më shumë se 800 kamionë për shuarje të zjarrit janë dërguar në rajonin e prekur për t’i shuar sa më shpejt flakët. Sidoqoftë, raportohet se zjarri i ka shkatërruar qindra ndërtesa të kësaj province.

Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, e ka mbajtur një takim emergjent me zyrtarët shtetërorë dhe ka bërë thirrje që të përdoren të gjitha burimet për ta luftuar zjarrin.

Ministria e Mbrotjes ka njoftuar se në operacionet kundër zjarreve janë angazhuar rreth 16,500 ushtarë dhe po përdoren 32 helikopterë ushtarakë, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)