A do të dorëzohet përsëri Kosova

  • 05 April 2019 - 15:38
A do të dorëzohet përsëri Kosova

Pak ditë pas 1 vjetorit të parë kur Kosova u përkul nën urdhrat e Tayyip Erdogan e deportoi dhunshëm për në Turqi gjashtë shtetas, në Kosovë erdhi edhe një kërkesë e tillë e ngjashme. Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Erdoganit, Ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar qëndroi dje në Prishtinë nga ku i përcolli një porosi homologut të tij, ministrit Rrustem Berisha. Heqja e “pengesës FETO” u kërkua në shkëmbim të marrëdhënieve të  mira në mes të dy shteteve. Përderisa në Qeveri mohojnë se të njëjtën porosi e ka përcjellë ministri turk edhe para kryeministrit Haradinaj, ministri Berisha ka qenë shumë i nxënë për të dhënë një përgjigje.

Shteti turk nën direktiva të Erdoganit nuk po heq dorë nga Kosova si vend potencial që zbaton urdhra për të deportuar të gjithë ata kundërshtarë të tij që i konsideron terroristë.

Meqenëse një vit më parë, presidenti turk i thurte lavde të parit të Kosovës, Hashim Thaçit duke e falënderuar që i kishte dorëzuar gjashtë gylenistë, me tone të ashpra e akuzonte të parin e Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Një vit më vonë duke shpresuar të njëjtin rezultat, në shtetin që nuk e ka problem të zbatojë urdhrat e tij, Erdogan dërgoi edhe njërin nga personat e tij më të afërt, për të përcjellë porosinë e njëjtë – dorëzimin e gylenistëve.

Kështu top zyrtari turk, saktësoi atë për të cilën kishte ardhur me fjalinë “hiqni pengesën FETO”, që nënkupton dorëzim të personave e mbyllje të shkollave të gylenit në vend.

Duke kërkuar këtë në këmbim të marrëdhënieve të mira në mes të Kosovës e Turqisë, kjo sipas shefit të mbrojtjes turke duhet të bëhet në shpejtësi.

“Me shpejtësi të heqim pengesën FETO mes nesh. Duhet të shpëtohemi sa më shpejt nga kjo”, u shpreh Akar, teksa kërkoi bashkëpunim për luftimin e organizatës FETO.

Media ka provuar gjatë ditës ta kontaktojë ministrin Berisha për të parë se cili ka qenë qëndrimi i tij kur ministri turk ka prezantuar kërkesën e tij, mirëpo stafi i tij kanë deklaruar se i njejti ka agjendë të ngarkuar e nuk mund të përgjigjet.

Të njëjtët dje pas takimit në komunikatën që kishin lëshuar për media treguan për marrëveshjen që u nënshkrua por jo edhe se çka u diskutua.

Pas pritjes me nderime të larta ushtarake, ministri turk me stafin e tij i shkuan për takim edhe të parit të Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Derisa Haradinaj që momentalisht nuk është në “listën e të preferuarve” të Erdoganit, pas reagimeve që kryeministri kosovar pati për rastin e gylenistëve, të njejtën porosi ministri turk nuk e përcolli edhe para tij.

Kështu të paktën deklarojnë nga zyra e kryeministrit. Dje, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi tha se nuk është folur për këtë temë në takim.

Akar gjatë vitit 2016 ishte në krye të ushtrisë turke dhe sipas versionit të Turqisë erdoganiste është kidnapuar nga puçistët e Gylenit.

(Kosova Sot)