Assange mund të dëbohet nga ambasada e Ekuadorit, para ndërtesës mblidhen mbështetësit

  • 05 April 2019 - 15:43
Assange mund të dëbohet nga ambasada e Ekuadorit, para ndërtesës mblidhen mbështetësit

Mbështetësit e themeluesit të faqes “Wikileaks”, Julian Assange, janë tubuar pranë ndërtesës së ambasadës ekuadoriane në qendër të Londrës pasi një orgizatë tha se burimet e saj në Ekuador kanë njoftuar për mundësinë e dëbimit të tij nga ambasada brenda disa orësh ose disa ditësh.

Ministria e Jashtme e Ekuadorit e ka publikuar një deklaratë, në të cilën thuhet se ata nuk i komentojnë thashethemet që nuk janë të mbështetura në dokumente, por një zyrtar i lartë ekuadorian ka thënë se ende nuk është marrë vendim për këtë çështje.

Punëtorët e faqes “Wikileaks” besojnë se Assange mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara në rast se nxirret nga ambasada dhe në këtë situatë do të arrestohej nga policia e Londrës.

“Qeveria e re e Ekuadorit po përpiqet t’ia japë një dhuratë Donald Trumpit. Theresa May do ta dërgojë atë drejtpërdrejt në Shtetet e Bashkuara. Jemi këtu për ta mbështetur lirinë e shprehjes dhe jemi këtu për ta përkrahur Julian Assangen. Jemi të brengosur sepse policia do ta arrestojë atë”, tha Fethi, një kopshtar nga Londra, i cili ishte nga njerëzit që ishin mbledhur para ambasadës.

Një zëdhënës i kryeministres britanike tha: “Kjo është çështje e qeverisë së Ekuadorit. E dini se ka pasur kontakte zyrtare mes qeverive të Britanisë së Madhe dhe Ekuadorit për një kohë të caktuar si përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje, por nuk di asgjë për përmbajtjen e raporteve”.

Assange është duke qëndruar në ambasadën e Ekuadorit në Britani të Madhe që nga viti 2012 pasi kishte kërkuar mbrojtje për shkak të rrezikut nga ekstradimi në Suedi, ku do të gjykohej nën akuzën për sulm seksual.

Suedia e kishte mbyllur këtë rast në vitin 2017, por Assange frikësohet se do të arrestohet nga policia britanike dhe se do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara për shkak të publikimit të dokumenteve të ndjeshme të qeverisë amerikane, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)