Franca nuk pranon që Britanisë t’i shtyhet afati pa plan konkret dhe pa mbështetje nga deputetët

  • 05 April 2019 - 17:27
Franca nuk pranon që Britanisë t’i shtyhet afati pa plan konkret dhe pa mbështetje nga deputetët

Franca e ka përsëritur qëndrimin e saj që Britanisë së Madhe të mos i ofrohen afate shtesë për shkëputjen nga Bashkimi Evropian në rast se ky vend nuk ofron plan të qartë për hapat e ardhshëm dhe nëse një plan i tillë nuk gëzon përkrahjen e mjaftueshme të deputetëve.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, i ka dërguar të premten letër presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, duke kërkuar që vendit të saj t’i mundësohet qëndrimi në BE deri më 30 qershor në mënyrë që ta sigurojë mbështetjen e deputetëve për marrëveshjen e saj.

Sidoqoftë, sekretarja franceze për çështje evropiane, Amelie de Montchalin, tha: “Këshilli Evropian e mori një vendim të qartë më 21 mars. Për një afat shtesë kërkohet nga Britania që ta sjellë një plan që gëzon mbështetje të qartë dhe të besueshme politike”.

Ajo tha se pas këtij hapi, këshilli duhet t’i përcaktojë kushtet e nevojshme për këtë shtyrje. “Në mungesë të një plani të tillë, ne do të duhej të kuptonim se Britania e Madhe ka vendosur të largohet nga BE-ja në mënyrë të çrregullt”, shtoi Montchalin.

Sekretarja franceze tha se Parisi e ka lexuar me interes letrën e kryeministres britanike për presidentin Tusk. Sipas saj, bllokada aktuale nuk është në interesin e Britanisë apo të BE-së dhe nuk duhet të lejohet që një situatë e tillë të vazhdojë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)