Presidenti Thaçi “pushton” së shpejti objektin e Komitetit

  • 05 April 2019 - 19:24
Presidenti Thaçi “pushton” së shpejti objektin e Komitetit

Presidenca e Kosovës shumë shpejt do të ndërrojë objekt. Presidenti Thaçi bashkë me stafin e tij pritet të vendosen në objektin e ish-Komitetit, që aktualisht shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë. Kërkesat për lirim të objektit këtyre ministrive veçse u janë dërguar, e brenda dy muajsh pritet që t’i zbrazin zyrat. Por, pavarësisht se kërkesat janë dërguar, në Ministrinë e Administratës Publike thonë se ende nuk është caktuar vendi ku do të zhvendoset Presidenca. Ndërkohë, në Presidencë kanë vendosur që të heshtin si zakonisht.

Presidenca, Qeveria e Kuvendi pas shumë vitesh duket se kanë vendosur që t’i ndajnë rrugët. I pari që ka marrë këtë “vendim” po del të jetë Presidenti Hashim Thaçi.

Ai bashkë me stafin e tij do t’i japë lamtumirën Kuvendit, për tu zhvendosur në një objekt tjetër. Së paku përkohësisht.

Objekti në të cilin do të vendoset i pari i shtetit bashkë me stafin e tij do të jetë objekti i ish-komitetit, që shfrytëzohet aktualisht nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka thënë se në objektin që shfrytëzohet nga ministria e tij do të vendoset Presidenca e Kosovës.

Gashi thotë se ata do ta lirojnë objektin brenda dy muajve, derisa thotë se ende nuk e di se ku do të vendosen.

“Po, ne kemi pranuar kërkesë për ta liruar objektin, meqenëse aty do të bartet Presidenca e Kosovës. Nuk ka ndonjë afat specifik, por brenda dy muajve besojmë që do ta lirojmë. Jemi duke shikuar alternativa se ku do të vendosemi”, ka thënë Ministri Gashi.

Një kërkesë të tillë për lirim të objektit e kanë pranuar edhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në Zyrën për Informim të kësaj ministrie, kanë thënë se edhe ata kanë pranuar kërkesën nga Ministria e Administratës Publike për lirimin e objektit, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.

 “Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka pranuar kërkesën nga Ministria e Administratës Publike për lirimin e objektit, në të cilin aktualisht është i vendosur i gjithë stafi i MBPZHR-së”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.

Por, pavarësisht se kërkesat për lirim të objektit u janë dorëzuar institucioneve, në Ministrinë e Administratës Publike nuk po japin detaje nëse Presidenca do të vendoset aty.

Zëdhënësi i MAP’it, Zeqir Bekolli thotë se MAP’i ka krijuar Komision profesional për këtë çështje, por se ky komision ende nuk ka arritur që të gjejë një vend të përshtatshëm.

 “MAP-i ka krijuar Komision profesional për rastin e përmendur ky komision ka marrë veprimet e duhura në harmoni me kërkesën për hapësirat e reja, por ende nuk ka arritur të gjejë një vend të përshtatshëm”, thuhet në përgjigjet e Bekollit.

E se në cilin objekt do të vendosen duket se nuk po e dijnë as vet Zyra e Presidentit të Kosovës, ose së paku nuk po dëshirojnë që të flasin për këtë çështje..

Gazeta ka dërguar pyetje në adresë të ZPRK’së që të marrë informacione lidhur me objektin ku do të zhvendosen, por të njëjtit deri në momentin e publikimit të tekstit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, media pati raportuar para disa javëve se si pari i shtetit shumë shpejt pritet të bëhet me zyrë të re.

Mbi 1 milion e 500 mijë euro do të investohen nga shteti në dy vitet e ardhshme për ndërtimin e këtij objekti.

Ideja për ndërtimin e një zyre për Presidentin e Kosovës mund të shkojë përpara në 2 vitet e ardhshme pasi tashmë për të janë ndarë mbi 1 milion e 500 mijë euro. 

Zëdhënësi për media në MAP, Zeqir Bekolli kishte thënë se për ndërtimin e kësaj zyre deri tash janë ndarë 1 milionë e 500 mijë euro, ku 500 mijë euro pritet të investohen vetëm gjatë këtij viti.

Derisa kishte thënë se ende nuk është caktuar lokacioni ku do të ndërtohet zyra e të parit të shtetit.

 “MAP-i e ka në buxhet për vitet 2019-2021, për projektin “ Ndërtimi i ndërtesës se Zyrës së Presidentit “ shumën prej 1,500.000.00€. Për këtë qëllim, MAP-i është në kontakt të përhershëm me Zyrën e Presidentit dhe shumë shpejt pritet të vendoset edhe për lokacionin e përshtatshëm ku do të ndërtohet Zyra e Presidentit. Tash për tash janë disa opsione në diskutim”, kishte thënë ai.

Por, më shumë informata për ndërtimin e kësaj zyre nuk kishin dhënë.

“Aktualisht nuk dihet kostoja e saktë e projektit, sepse projekti gjendet në fazën fillestare. Përveç kësaj, nuk dihet edhe kohëzgjatja e projektit”, kishte deklaruar Bekolli.

Ndryshe, kërkesë për tu zhvendosur në këtë objekt kishte bërë edhe ish-Presidentja Atifete Jahjaga.

Në Presidencë kishin konfirmuar ekzistencën e kërkesës e deponuar në Kryeministri në fillim të vitit 2014, por nga e cila pak kohë më vonë presidentja ishte tërhequr pas përllogaritjes së kostos për rinovimin e objektit.

(Kosova Sot)