Kosova, e kapur nga bandat politike dhe mafia

  • 06 April 2019 - 07:25
Kosova, e kapur nga bandat politike dhe mafia

Zeqa: Mosreagimi i popullatës ndaj keqqeverisjes, nepotizmit, klientelizmit dhe krimit të organizuar e korrupsionit, në të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushtetit, është pasojë e thyerjes së të gjitha shpresave për jetë në këtë vend

“Vërtet është e pakuptueshme se deri kur ky popull do të heshtë dhe edhe çka më tepër duhet t’i ndodhë shtetit tonë të kapur nga mafia politike, që të reagojë kundër keqqeverisjes, nepotizmit, klientelizmit dhe krimit të organizuar e korrupsionit, në të tri pushtetet, nga pushtetarët e inkriminuar në të gjitha nivelet e institucioneve të shtetit.

Madje, në vend që populli të reagojë dhe të protestojë paqësisht e me kërkesa të natyrshme, për mënjanimin e veprimeve kriminale të pushtetarëve të kriminalizuar që po e rrezikojnë të tashmen dhe të ardhmen në këtë vend, ai ka zgjedhur që të ikë sa më larg Kosovës, duke rritur kështu edhe më tepër fluksin masiv të qytetarëve që duan ta lënë vendin nga skamja dhe padrejtësitë”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Edhe pse e keqja ka zënë vend në çdo pore të shtetit, populli nuk po reagon fuqishëm kundër keqqeverisjes skandaloze, nepotizmit, klientelizmit dhe krimit të organizuar e korrupsionit në të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushtetit. Qytetarët, në vend të protestave, kanë zgjedhur që të ikin sa më larg Kosovës, duke rritur kështu fluksin masiv të njerëzve që duan të ikin nga skamja dhe padrejtësitë.

Analistët vlerësojnë se qytetarët nuk mund të rrinë më të heshtur e të bëjnë sehir se si po e rrënojnë jetesën e tyre pushtetarët e të dyja niveleve, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë komunal. Sipas tyre, qytetarët nuk po i besojnë më asnjë partie politike, pasi që për 20 vjet kanë parë se sapo shkonte një pushtet i degraduar, vinte një tjetër edhe më i zi se ai. Njohësit e rrethanave në Kosovë vlerësojnë se shteti ynë nuk mund të përparojë pa pasur një ligj VETTING-u për vetëpastrim, jo vetëm në institucionet e sigurisë e ligjzbatuese të drejtësisë, por në secilën zyrë shtetërore, pra duke e pastruar shtetin nga të inkriminuarit.

Sipas tyre, vetëm atëherë do të arrijmë të kemi përmirësim si në politikë ashtu edhe në sistemin e drejtësisë, sigurisë, arsimit, shëndetësisë etj. Ata theksojnë gjithashtu se Ligji i lustracionit duhet të jetë edhe një ligj emergjent, pasi që nuk mund të ecë përpara Kosova me spiunë e bij spiunësh të instaluar nga të tëra anët.

Image
Gani Qarri

Populli nuk duhet të rrijë më indiferent ndaj krimit

Analisti Gani Qarri vlerëson për gazetën “Kosova Sot” se fatkeqësisht heshtjen dhe mbylljen e syve nga qytetarët, përkundër të gjithave që po ndodhin tash e sa vite në vendin tonë, udhëheqësit e inkriminuar jo vetëm që nuk po e shohin fare si shqetësim, por për aq më keq ata po e marrin edhe si pajtim, apo edhe miratim të veprave të tyre kriminale.

“Ndaj qytetarët e vendit pas gjithë këtij kriminaliteti, nepotizmi dhe korrupsioni galopant, përfundimisht duhet të ngrihen e të dëshmojnë se populli të paktën nuk është indiferent ndaj padrejtësive, krimit të organizuar, nepotizmit në punësime si këto të fundit dhe të mëparshmet, ikjeve masive dhe zbrazjes së vendit nga të rinjtë, si dhe të gjitha të këqijave që po i ndodhin tash e 20 vjet Kosovës”, u shpreh ai.

“Vërtet është e pakuptueshme se deri kur ky popull do të heshtë dhe edhe çka më tepër duhet t’i ndodhë shtetit tonë të kapur nga mafia politike, që te reagojë kundër keqqeverisjes, nepotizmit, klientelizmit dhe krimit të organizuar e korrupsionit, në të tri pushtetet, nga pushtetarët e inkriminuar në të gjitha nivelet e institucioneve të shtetit. Madje në vend që populli të reagojë dhe të protestojë paqësisht e me kërkesa të natyrshme, për mënjanimin e veprimeve kriminale të pushtetarëve të kriminalizuar që po e rrezikojnë të tashmen dhe të ardhmen në këtë vend, ai ka zgjedhur që të ikë sa më larg Kosovës, duke rritur kështu edhe më tepër fluksin masiv të qytetarëve që duan ta lënë vendin nga skamja dhe padrejtësitë”, vijoi më tej Qarri.

“Qëndrimi i popullit në heshtje po bën që Kosova jonë e dashur përditë e më tepër të zbrazet nga qytetarët e saj, të cilët nuk guxojnë më dhe nuk mund as nuk duhet të rrinë edhe më tej të heshtur dhe të bëjnë sehir se si po e rrënojnë jetesën e tyre pushtetarët e kriminalizuar në nivelin qendror dhe në atë komunal.

Për aq më keq, kjo kastë e tmerrshme politike po dëshmon hapur se nuk njeh ligj, moral, etikë dhe as pasuri publike e meritokraci, të gjitha për 20 vjet me radhë po i keqshfrytëzon dhe keqpërdor për vete, para syve të qytetarëve”, ka thënë analisti Gani Qarri.

Qarri: Shteti ka nevojë urgjente të vetëpastrohet në tërësi nga të gjithë të inkriminuarit, pa dallim

“Pasi që qytetarët tanimë e kanë humbur plotësisht besimin në të gjitha partitë politike, duke parë për dy dekada se sapo shkonte një pushtet i degraduar vinte një tjetër edhe më i zi se ai paraprak, duhet të vetëdijesohen se ky shtet nuk mund te përparojë pa pasur një ligj VETTING-u për vetëpastrim, jo vetëm në institucionet e sigurisë e ligjzbatuese të drejtësisë, por në secilin ent dhe zyrë shtetërore.

Përderisa në 20 vitet e pasluftës politikanët e inkriminuar për gati dy dekada me radhë e sundojnë, plaçkitin dhe zhvatin krejt Kosovën pa u shqetësuar aspak për reagimin qytetar dhe ndjekjen nga drejtësia, e cila për ta as që ekziston fare, shteti ka nevojë urgjente të vetëpastrohet në tërësi nga të gjithë të inkriminuarit, pa dallim, sepse vetëm atëherë do të arrijmë të kemi përmirësim si në politikë ashtu edhe në sistemin e kapur të drejtësisë, sigurisë, arsimit, shëndetësisë etj.

Qytetarët përfundimisht duhet të ngrihen dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre për degradimin e çdo gjëje nga kjo klase e kriminalizuar politike, sidomos Ligji i lustracionit duhet të jetë një ligj emergjent dhe me prioritet, pasi që tashmë po shihet më qartë se kurrë më parë se Kosova nuk mund të ecë përpara me spiunë e bij spiunësh në krye të shtetit”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Njerëzit të ngrihen kundër bandave

Analisti Reshat Badallaj thekson për “Kosova Sot” se populli po hesht nga kërcënimet që i bëhen nga rrjeti mafioz më i rrezikshëm në tërë Ballkanin, që vepron në Kosovë, pikërisht nga këta matrapazë dhe mafio-oligarkë të kanaleve të errëta të nëntokës kriminale. “Por, populli hesht derisa të mbështetet për muri, sepse e ka kuptuar hilen e këtyre kryebanditëve dhe kryehuliganëve që punojnë për interesat e tyre personale dhe familjeve të ngushta të tyre dhe i punësojnë vetëm ata që ia ‘lagin fytin’.

Populli po zgjohet dhe orët janë të numëruara kundër këtyre kryebanditëve dhe të gjithë atyre langonjve që e kanë kapur pushtetin dhe po e vjedhin deri në palcë dhe si i uzurpuan dikasteret më të rëndësishme të vendit. Personalisht jam që një orë e më parë populli të dalë në rrugë kundër këtyre kryebanditëve, kryehajnave dhe kryehuliganëve që nuk kanë të ndalur duke vjedhur djersën e taksapaguesve. Kjo bandë, pos kësaj, merreni me mend për çdo orë e çast shkel ligjet, që do të thotë nuk njohin as ligje, as Kushtetutë dhe as shtet dhe kur kryebanditët e bëjnë këtë, çka duhet bërë populli pastaj?”, u shpreh Badallaj.

Image
Florim Zeqa

Zeqa: Shteti i Kosovës nuk mund të përparojë me këta politikanë

Analisti Florim Zeqa vlerëson se heshtja dhe mosreagimi i popullatës ndaj keqqeverisjes, nepotizmit, klientelizmit dhe krimit të organizuar e korrupsionit në të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushtetit është pasojë e thyerjes së të gjitha shpresave për jetë në këtë vend.

“Thyerja e shpresave kishte filluar në vitet e para të pavarësisë, ndërsa thyerja e madhe zanafillën e ka pas zgjedhjeve të vitit 2014, përkatësisht pas thyerjes së Bllokut paszgjedhor VLAN, për të arritur kulmin këto dy vitet e fundit me kapjen e tmerrshme të shtetit nga pushtetarët aktualë.

Kështu pra popullata me shpresa të thyera, në vend që të reagojë dhe të protestojë fuqishëm, paqësisht e me kërkesa sa të drejta, po aq edhe jetike, ka zgjedhur që të ikën sa më larg Kosovës, duke rritur kështu fluksin masiv të qytetarëve që duan të ikin nga skamja dhe padrejtësitë e pushtetarëve”, u shpreh ai.“Duhet bërë çmos që të ndalet ky trend i zbrazjes së Kosovës nga popullata e saj. Ndalja e këtij trendi të keq është e mundur me bashkërendimin e të gjitha forcave progresive, si në Kosovë ashtu edhe në Diasporë.

Intelektualët e kalibrit të lartë dhe veprimtarët e devotshëm nuk guxojnë të bëjnë sehir karshi rrënimit të shpresave të qytetarëve dhe shkatërrimit të shtetit. Intelektualët duhet të bëhen prijës dhe krah i fuqishëm i qytetarëve për largimin e tërësishëm të kësaj klase politike në të dyja nivelet e pushtetit, në nivelin qendror dhe atë komunal”, vijoi më tej Zeqa.“Vetëm largimi i klasës politike, e cila nuk njeh ligj e as drejtësi, që nuk njeh moral e as etikë njerëzore, mund të hapë perspektivë zhvillimore dhe shpresë për jetë të popullatës në trojet e lashta stërgjyshore.

Duhet të ndodhë pikërisht kështu, për shkak se qytetarët nuk po duan t'i besojnë më asnjë partie politike, pasi që për 20 vjet kanë parë e përjetuar se sa po shkonte një pushtet i degraduar, vinte një tjetër edhe më i zi se ai paraprak! Shteti i Kosovës nuk mund të përparojë me këta politikanë dhe këto parti politike të konsumuara. Politikanët e korruptuar dhe tejinkriminuar, jo "drini e bistrica", por asnjë lloj VETTING-u nuk mund t'i pastrojë nga mëkatet e shumta”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

Sipas tij, vetëm një ligj VETTING për vetëpastrim, jo vetëm në institucionet e sigurisë e ligjzbatuese të drejtësisë, por në secilën zyrë shtetërore, pra vetëm duke e pastruar shtetin në embrion nga të inkriminuarit, është e mundur të arrihet përmirësim në politikë, sistemin e drejtësisë, sigurisë, arsimit, shëndetësisë etj. Zeqa shton se Ligji i lustracionit është nevojë imediate, pasi që shteti nuk mund të ecën përpara me spiunë e bij spiunësh të instaluar në të gjitha institucionet e shtetit dhe nga të gjitha anët.

(Kosova Sot)