Mjekësia drejt kolapsit, dhjetëra kuadro po emigrojnë

  • 06 April 2019 - 07:37
Mjekësia drejt kolapsit, dhjetëra kuadro po emigrojnë

Rexhepi: Çfarë mund të bëjmë kur po jetojmë në një kësi lloj shteti, që është shtet mafioz, nga i cili nuk mund të pritet asgjë e mirë, derisa nga pushteti nuk hiqen këta hoshtaplera!

“Për dallim nga vitet paraprake, kur në këtë shkollë kishte interesim më të madh për mësim të gjuhëve të huaja, anglishte e gjermanishte, qoftë për shkollim jashtë vendit- vazhdim të studimeve, bashkime familjare apo punësime të strukturave të ndryshme, tani në këtë vit shkollor po dominojnë kryesisht kandidatët që ndjekin mësimet në këtë shkollë me qëllim të sigurimit të ndonjë vendi punë në shtetet gjermanofolëse, e ku një numër të madh përbëjnë, për të mos thënë dominojnë kandidatët nga fusha e mjekësisë”, theksoi për “Kosova Sot” Zeqir Lushaku, drejtori i Shkollës së Gjuhëve të Huaja “Zas Trade” në Prishtinë

Edhe përkundër faktit që Qeveria ka marrë vendim për rritjen e pagave për mjekët, respektivisht personelin shëndetësor, trendi i largimit të mjekëve dhe personelit profesional tjetër të kësaj fushe nga Kosova po vazhdon. Së fundi është raportuar se në Odën e Mjekëve të Kosovës janë drejtuar 154 kërkesa për vërtetim etik, një dokument të cilin e kërkojnë shtetet e tjera. Gazeta ka provuar të kontaktoj me Odën e Mjekëve të Kosovës, për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje, por ata nuk kanë pranuar të flasin, madje nuk kanë kthyer as përgjigje në pyetjet e dërguara përmes postës elektronike.

Gazeta ka provuar të marrë edhe mendimin e Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, por edhe nga kjo Sindikatë, përveç premtimit se do të kemi një përgjigje gjatë ditës, nuk është dhënë ndonjë koment. Mirëpo, interesimin e shtuar për të shkuar jashtë vendit nga mjekët, ekspertët dhe punëtorë të tjerë të personelit shëndetësor, e ka konfirmuar edhe drejtori i Shkollës së Gjuhëve të Huaja “Zas Trade” në Prishtinë z. Zeqir Lushaku. “Ajo çka e dallon këtë vit të ri shkollor 2018-2019, është se në këtë vit, që nga shtatori i vitit 2018, ka një rritje të interesimit të qytetarëve, të studentëve, të rinisë, për mësimin e gjuhës gjermane, dhe unë mund të them se ka edhe një interesim të shtuar, në krahasim me vitet e mëhershme, diku rreth 30% më shumë.

Arsyeja të cilën ne nuk e hulumtojmë, por që kemi ardhur deri te përfundimi në bazë të bisedave të lira me kandidatët, është se një numër relativisht i madh prej tyre gjejnë mundësinë për punësim në Gjermani dhe kanë krijuar edhe kontrata pune me institucionet e ndryshme atje. Sidomos është kuadri i mjekësisë, edhe mjekët edhe infermierët, personeli teknik etj., por ka edhe të tjerë që angazhohen dhe shohin një mundësi për punësim dhe për një jetë më të mirë në Gjermani edhe nga profesionet e tjera të fushës së ndërtimtarisë dhe të lëmenjve të tjerë që mund të jenë të kërkuar si fuqi punëtore në shtetin gjerman. Kjo është ajo që e dallon tek ne këtë vit shkollor”, tha Zeqir Lushaku për “Kosova Sot”.

“Për kuadrin e mjekësisë kërkohet zakonisht niveli B1 dhe B2, që nënkupton nivelin e katërt, ndërsa për profesionet e tjera dhe angazhimet e tjera më të thjeshta kërkohet njohja fillestare e gjuhës gjermane, që janë A1, A2- niveli i parë dhe i dytë.”, theksoi më tej ai për “Kosova Sot”.

Qytetarët të dëshpëruar në maksimum

Nga ana tjetër, qytetarët e anketuar nga gazeta po e shohin me shqetësim të madh këtë trend të ikjes jashtë vendit të personelit shëndetësor, mjekëve dhe infermierëve. Qytetarët mendojnë se edhe struktura e punëtorëve në shëndetësi po e përjeton të njëjtin fat si qytetarët e thjeshtë, që nuk po kanë perspektivë më të mirë në vend, sepse akoma në shtetin tonë qeveritarët nuk kanë krijuar kushte të mira trajtimi për mjekët.

Qytetari Ismet Gashi tha për “Kosova Sot” se është një fat i keq që në Kosovë po rritet numri i atyre që duan ta lëshojnë vendin, duke mos u kursyer as mjekët dhe personeli tjetër shëndetësor, sepse krimi e korrupsioni po e vret të ardhmen e tyre njësoj sikurse të qytetarëve të thjeshtë. “Edhe rasti i ikjes së mjekëve është gati i barabartë me rastin e dëshirës së ikjes së krejt popullatës. Unë ju garantoj që sot, nëse hiqen pengesat me vizat, të gjithë do të provojnë të ikin, sepse këtu nuk po ka perspektivë për askënd, të gjithëve na ka kapluar kjo krizë e madhe. Unë që 35 vjet kam lokal në qendër të Prishtinës dhe po detyrohem ta mbyll, sepse nuk kemi punë dhe askush me asgjë nuk na stimulon, përkundrazi këta vijnë e kërkojnë të na ndëshkojnë përmes përmbaruesit, prandaj ne nuk dimë nga t’ia mbajmë vetëm se të dalim jashtë.

Gati i njëjti fat po i ndjek edhe pjesën më profesionale të personelit shëndetësor, mjekët të cilët po dëgjojmë se ditë për ditë po dalin jashtë”, u shpreh ai. “E ku të qëndrojmë kur nuk të ofron kurrfarë mbështetje dhe perspektive. Krejt çka mund të them tani është se duhet të vetëdijesohemi dhe vota mos t’i japim askujt nga këta që na kanë qeverisur tash e 20 vjet, sepse janë po këta që po na e shkatërrojnë edhe ekonominë, edhe arsimin edhe shëndetësinë dhe po na detyrojnë të dalim jashtë vendit. E, kur po ikin mjekët e kur po pyet dikush se ku po mbetet e si po mbetet shëndeti i popullit, unë e kam një përgjigje të shkurtër, ju them mjerë ne se ku po mbetemi, prandaj po të kisha mundësi sot do ta kisha ndërruar komplet këtë Qeveri”, tha qytetari Ismet Gashi për “Kosova Sot”.

Mjerë populli, kush po na udhëheq

Një mendim të ngjashëm ka edhe qytetari tjetër Myfail Rexhepi. “Unë mund ta them pa asnjë dyshim se kjo ikje e pahetueshme e profesionistëve të shëndetësisë nëpër vendet e Evropës është shumë e rrezikshme për të ardhmen e shëndetësisë në Kosovë. Mirëpo, çfarë mund të bëjmë kur po jetojmë në një kësi lloj shteti, që është shtet mafioz, nga i cili nuk mund të pritet asgjë e mirë derisa nga pushteti nuk hiqen këta hoshtaplera”, u shpreh ai. “Për ta ndërruar këtë situatë është shumë e vështirë, sepse këta e kanë kapur shtetin, dhe të gjitha punësimet në të gjitha vendet kyçe janë partiake, duke mos e përjashtuar këtu edhe mjekësinë, shëndetësinë, ku pamundësohet avancimi i profesionistëve që duan të punojnë seriozisht në interes dhe mbrojtje të shëndetit të popullit.

Familjarizmi po e mbyt të ardhmen e profesionistëve në të gjitha fushat, sepse çdo njeri i punësuar në një pozitë kyçe, së pakut ka arritur t’i punësojë edhe nga 3-4 apo 5 anëtarë tjerë të familjes, prandaj kështu funksionon ky shtet mafioz, sepse pikërisht këta të punësuar ua japin votën këtyre që i kanë instaluar aty, e nuk e votojnë atë që e meriton dhe ka dëshirë për ta çuar vendin përpara”, vijoi më tej Rexhepi. “Prandaj, po ju them se këto banda në pushtet po e shkatërrojnë edhe shëndetësinë, edhe rininë që po na ikën çdo ditë jashtë vendit. Ku ka më tragjike se të dalë Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi e Fatmir Limaj ta udhëheqin shtetin, ku secili i ka bërë milionat për vete dhe nuk mendojnë për askënd tjetër, derisa mendojnë që qytetari i thjeshtë duhet të punojë për 200 euro. Prandaj, kur nuk mbijetohet me 200 euro, detyrohesh të ikësh nga vendi”, tha Mufail Rexhepi për “Kosova Sot”.

Mungesa e meritokracisë po i largon të aftët

“Për të mos ikur mjekët jashtë vendit, duhet që mjekëve t’u krijohen të gjitha kushtet e punës dhe kushtet e avancimit shkencor e profesional. Ai në ordinancë kur të shkojë për të punuar, mund ta ketë vetëm një bisturi, një mantel të bardhë dhe ato dëgjueset në vesh, dhe asgjë tjetër më të rëndësishme nuk ka aty. Ose këta të politikës e kanë sjellë në një vend të rëndësishëm punën një mjeku që as aparaturën nuk di për ta përdorur, dhe për pasojë ajo aparaturë rrinë aty kot së koti deri në 3-4-5 vjet, sepse mjekut profesional dhe punëtorit i pamundësohet për të punuar me të, e ai detyrohet të shkojë e të kërkojë punë jashtë vendit.

Pra, ai i kërkon kushtet që fillimisht të jetë i mirë-trajtuar profesionalisht e pastaj edhe materialisht, sepse njëra pa tjetrën nuk shkojnë, sepse ai do që ta tregojë veten, se është seriozisht ekspert i mirë-përgatitur i lëmit të vet. Unë e them me plot përgjegjësi që mjekët po na ikin pasi edhe politika e avancimit të tyre nuk është në rregull, sepse njerëzit vendosen nëpër vende të rëndësishme pune në mënyrë shumë të paarsyeshme”, tha Hajzer Kajtazi për “Kosova Sot”.

Arsimi dhe shëndetësia, më të goditurat

Qytetari Selver Lenjani tha për “Kosova Sot” se është e dhimbshme kur e sheh se si politika e korruptuar ka futur duart thellë dhe për interesat e veta kriminale po i shkatërron dy shtyllat kryesore që janë bazamenti i shtetit, e ato janë arsimi dhe shëndetësia. “Tani, kur flitet dhe shkruhet se edhe mjekët po ikin nga Kosova, për të gjetur kushte më të mira punë dhe të avancimit profesional e shkencor në Perëndim, Gjermani, Zvicër, Itali, Austri e kudo tjetër ku trajtohet dhe vlerësohet profesionalizimi i tyre, edhe qytetarit të thjeshtë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mos zgjedhë rrugë dhe mjete për të ikur nga ky vend.

Çfarë të duhet jeta kur nuk ke arsim adekuat dhe përkujdesje profesionale e të garantuar shëndetësore. Shëndeti i njeriut në një shtet normal fillon të përcillet dhe mirëmbahet nga institucionet e përgjegjshme që nga lindja e fëmijës e deri në fund të jetës. Në Kosovën tonë po shihet që politika po shkatërron gjithçka, përveç ekonomisë, e dhimbshme është e vërteta që po e shohim çdo ditë, shkatërrimi i arsimit dhe i shëndetësisë, prandaj është tepër urgjente që të ndalet kjo klasë politike e korruptuar, dhe ta ndryshojmë mentalitetin e qeverisjes së vendit me njerëz që vërtet e duan shtetin dhe popullin”, theksoi Lenjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)