Pasanikët e drejtësisë t’i nënshtrohen VETTING-ut

  • 06 April 2019 - 07:44
Pasanikët e drejtësisë t’i nënshtrohen VETTING-ut

Burjani: Politika po e pengon nxjerrjen e Ligjit për Vetting

“Pa një Vetting serioz dhe të mbikëqyrur nga komisione të jashtme, e pse jo edhe nga FBI-ja amerikane, nuk do të mund të ketë në Kosovë sundim të rendit dhe ligjit dhe as perspektivë për qytetarët e pashpresë në Kosovën e kapur. Kosova është e ngulfatur dhe e nëpërkëmbur nga mafio- politikanë e mafio-oligarkë të bizneseve të kundërligjshme, të cilat janë biznese vetëm për të plaçkitur dhe për të zhvatur atë çka ka mbetur pa u plaçkitur, kështu që krejt kjo po e vret të ardhmen e qytetarëve të vendit, të cilët po varfërohen çdo ditë e më shumë, ndërsa sunduesit e krimit e korrupsionit po tejpasurohen...”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Edhe pse është evidente se shumë njerëz të drejtësisë janë pasuruar në mënyrë korruptive, askush nuk i heton ata. Analistët pyesin se pse nuk po hetohet origjina e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët në shumë raste nuk arrijnë kurrë ta justifikojnë pasurinë që e kanë bërë sa janë në pozitat e tyre në sistemin e drejtësisë, ku shesin e trafikojnë rastet gjyqësore në kurriz të qytetarëve të pafajshëm.

Analisti Riza Smaka thekson se është nevojë imediate të miratohet Ligji për origjinën e pasurisë, për cilindo pronar të aseteve me vlerë mbi 100 000 euro dhe i njëjti të zbatohet me përkushtim. “Personat fizikë apo juridikë, që do të justifikonin fitimin legal të ndershëm të pasurisë, do të certifikonin pasurinë legale. Të tjerëve do të duhej Nolens Volens për t’iu sekuestruar pasuria e realizuar pa bazë legale dhe si e tillë do të trajtohej konform me ligjin përkatës në aplikim. Kjo do të ishte çështje juridike administrative në një anë, ndërsa tematika referuar shkeljes së ligjit gjatë fitimit ilegal të pasurisë do të shtjellohej në procedurë penale. Kjo tematikë është akute dhe kërkon trajtim të përkushtuar dhe serioz”, ka potencuar Smaka për “Kosova Sot”.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Vetëm Vetting-u mund të kryejë punë!

“Vetëm Vetting-u mund të kryejë punë, nënshtrimi në vetting do të ndihmonte në pastrimin etik dhe largimin e të gjithë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kalojnë vetting-un, ka shumë probleme të deritashme dhe mbi të gjitha politika e pengon nxjerrjen e Ligjit për vetting, problemet e mëdha dhe kapja e shtetit po vijnë nga politika.

Pa ndryshim të qeverisjes nuk ka gjyqësi të pavarur, nuk ka funksionim të drejtë të institucioneve të shtetit, drejtësia joefikase ka bërë që sot korrupsioni, nepotizmi dhe shteti partiak të funksionojë pa ndërhyrje dhe partitë janë mbi shtetin. Këtu është problemi, e thyejnë Kushtetutën, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe nuk çregjistrohen nga regjistri për veprim politik”, theksoi për “Kosova Sot” analisti Blerim Burjani.

Image
Naim Kelmendi

Kelmendi: Kosova, e ngulfatur nga mafio-politikanët

Analisti tjetër, Naim Kelmendit vlerëson se ajo që de-fakto e de- jure është lënduese për drejtësinë kosovare mbetet fakti se janë të shumtë prokurorët e gjyqtarë, të cilët janë pasuruar për kaq vite duke trafikuar drejtësinë dhe mbase janë pasuruar dukshëm në kurriz të (pa)drejtësisë. Në asnjë rast të ndonjë vetting-u nuk do të mund ta justifikonin pasurinë e tyre, të cilën pasuri sigurisht se e kanë bërë derisa janë në pozitat e tyre brenda sistemit të drejtësisë, pra duke qenë abuzues të ligjit dhe të drejtës në kurriz të qytetarit dhe njëherësh duke trafikuar ligjin dhe drejtësinë që kanë në dorë.

“Vetëm me Ligjin e Dekriminalizimit do të duhej të fillonte nga institucionet e drejtësisë nga prokuroria, gjykatat, e sigurisht edhe në institucionet e tjera të shtetit, ngase vetëm me një prokurori të vetëpastruar nga të inkriminuarit dhe të fortët e ndërlidhur me politikën do të munden pastaj t’i pastrojnë dhe largojnë të inkriminuarit tjerë në institucionet e tjera të shtetit apo në gjykatat e Kosovës... ende jemi larg standardit evropian për sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë dhe kjo është pengesa e madhe edhe në zhvillimin ekonomik dhe në sferën e politikës dhe perspektivës së shoqërisë demokratike”, vijoi më tej Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, pa një vetting serioz dhe të mbikëqyrur nga komisione të jashtme, e pse jo edhe nga FBI-ja amerikane nuk do të mund të ketë në Kosovë sundim të rendit dhe ligjit dhe as perspektivë për qytetarët e pashpresë në Kosovën e kapur.

Kosova është e ngulfatur dhe e nëpërkëmbur nga mafio- politikanë e mafio-oligarkë të bizneseve të kundërligjshme, të cilat janë biznese vetëm për të plaçkitur dhe zhvatur atë çka ka mbetur pa u plaçkitur, kështu që krejt kjo po e vret të ardhmen e qytetarëve të vendit, të cilët po varfërohen çdo ditë e më shumë, ndërsa sunduesit e krimit e korrupsionit po tejpasurohen..., prandaj pa një luftë efikase dhe pa kompromis ndaj krimit të organizuar të çfarëdollojshëm e korrupsionit në vend, e që faktikisht për ditë po e ngulfat të ardhmen e vendit dhe de-fakto edhe perspektivën e integrimeve evropiane, nuk mund të ketë edhe për sa kohë stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe perspektivë të jetës qytetare në vend”, vlerësoi Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Image
Genc Gjini

Disa janë pasuruar në mënyrë të dyshimtë

Avokati Genc Gjini vlerëson se një prej komponentëve kryesorë të respektimit të parimit e sundimit të ligjit, përkatësisht përbrenda procesit të Vetting-ut, ajo në vete ka rregulluar çështjen e filtrimit, verifikimit dhe zbardhjes së pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, se si dhe në ç’mënyrë ata janë pasuruar dhe a ekzistojnë ato farë mbulesat legale juridike, se si ata e kanë përvetësuar fitimin e atyre pasurive, si ato të luajtshme dhe ato të paluajtshme.

“Për zbardhjen e kësaj shteti i Kosovës ka në shërbim mekanizimin e Agjencisë kundër Korrupsionit, që verifikon, shqyrton dhe dërgon rastet e tilla në organet e ndjekjes. Ky mekanizëm institucional ofron pasqyrë dhe tregon pasuritë e bartësve të sistemit të drejtësisë, pra ato të cilat janë apo duhej të jenë edhe të regjistruara në databazë. Edhe pse te ne procesi i vetting-ut ende nuk ka marrë stadin e plotë të zbatimit, fatkeqësisht nga disa nga hulumtimet, të cilat janë bërë, pasuria e disa prej bartësve të drejtësisë është shumë disproporcionale me të hyrat dhe pasuritë që ata i kanë trashëguar”, u shpreh ai.

“Pikërisht rastet e tilla duhet të procedohen në zbardhjen dhe në hetimet e këtyre dhe që më në fund të dilet me një konstatim që ajo pasuri të konfiskohet dhe persona të tillë të shkarkohen nga marrëdhënia e punës, përkatësisht ndaj këtyre që e veshin petkun e drejtësisë të iniciohen natyrisht edhe rastet penale. Mjafton të marrim shembullin e shtetit të Shqipërisë, që me procesin e ashtuquajtur “Vetting” shumë të tillë i ka hetuar dhe po ashtu zbardhur pasuritë shumë disproporcionale që ata kanë përfituar duke shqiptuar edhe masa të largimit nga puna, e deri të konfiskimi i pasurive të majme ,se si ata i kanë përfituar”, vijoi më tej avokati Gjini. Sipas tij, deri tani Shqipëria ka treguar rezultatet e veta pozitive dhe pa dyshim edhe shteti i Kosovës duhet ta përcjellë këtë model të pastrimit, pse jo edhe të personaliteteve, sepse gjyqtari, përveç tjerash, mishëron në vete personalitet të lartë, në shoqëri, publik e më gjerë.

(Kosova Sot)