Shkon në 70 numri i të vdekurve nga vërshimet në Iran

  • 06 April 2019 - 10:51
Shkon në 70 numri i të vdekurve nga vërshimet në Iran

Autoritetet iraniane kanë njoftuar se numri i viktimave nga vërshimet në këtë shtet ka shkuar në 70. Shumë njerëz janë zhvendosur nga disa qytete dhe fshatra. Meteorologët kanë parashikuar që vendi të ketë reshje shiu edhe gjatë të dielës.

Pritet që reshjet e shiut t’i godasin provincat jugore dhe perëndimore të vendit. Zyrtarët kanë planifikuar që t’i hapin digat e lumenjve për shkak të rrezikut të daljes së ujit nga shtrati i tyre.

Gratë dhe fëmijët po vendosen në zona të sigurta, ndërsa burrat janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të marrin pjesë në operacionet e autoriteteve.

Qytetet si Susangerdi, në të cilin banojnë 50 mijë njerëz, janë të rrezikuara dhe njerëzit duhet të largohen nga to gjatë ditës së shtunë.

Gjatë javës së kaluar, banorët e rreth 70 fshatrave të provincës Khuzestan janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Rajoni i prekur nga vërshimet është i pasur me naftë dhe kompanitë kanë ofruar ndihmë përmes përdorimit të pompave të ujit.

Reshjet e mëdha të shiut filluan më 19 mars. Ato kanë prekur rreth 1900 qytete, qyteza dhe fshatra. Mijëra rrugë, ura dhe ndërtesa janë shkatërruar nga vërshimet, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)