Kelmendi: Kosova, e ngulfatur nga mafio-politikanët

  • 06 April 2019 - 14:00
Kelmendi: Kosova, e ngulfatur nga mafio-politikanët

Analisti tjetër, Naim Kelmendit vlerëson se ajo që de-fakto e de- jure është lënduese për drejtësinë kosovare mbetet fakti se janë të shumtë prokurorët e gjyqtarë, të cilët janë pasuruar për kaq vite duke trafikuar drejtësinë dhe mbase janë pasuruar dukshëm në kurriz të (pa)drejtësisë. 

Në asnjë rast të ndonjë vetting-u nuk do të mund ta justifikonin pasurinë e tyre, të cilën pasuri sigurisht se e kanë bërë derisa janë në pozitat e tyre brenda sistemit të drejtësisë, pra duke qenë abuzues të ligjit dhe të drejtës në kurriz të qytetarit dhe njëherësh duke trafikuar ligjin dhe drejtësinë që kanë në dorë.

“Vetëm me Ligjin e Dekriminalizimit do të duhej të fillonte nga institucionet e drejtësisë nga prokuroria, gjykatat, e sigurisht edhe në institucionet e tjera të shtetit, ngase vetëm me një prokurori të vetëpastruar nga të inkriminuarit dhe të fortët e ndërlidhur me politikën do të munden pastaj t’i pastrojnë dhe largojnë të inkriminuarit tjerë në institucionet e tjera të shtetit apo në gjykatat e Kosovës... ende jemi larg standardit evropian për sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë dhe kjo është pengesa e madhe edhe në zhvillimin ekonomik dhe në sferën e politikës dhe perspektivës së shoqërisë demokratike”, vijoi më tej Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, pa një vetting serioz dhe të mbikëqyrur nga komisione të jashtme, e pse jo edhe nga FBI-ja amerikane nuk do të mund të ketë në Kosovë sundim të rendit dhe ligjit dhe as perspektivë për qytetarët e pashpresë në Kosovën e kapur.

Kosova është e ngulfatur dhe e nëpërkëmbur nga mafio- politikanë e mafio-oligarkë të bizneseve të kundërligjshme, të cilat janë biznese vetëm për të plaçkitur dhe zhvatur atë çka ka mbetur pa u plaçkitur, kështu që krejt kjo po e vret të ardhmen e qytetarëve të vendit, të cilët po varfërohen çdo ditë e më shumë, ndërsa sunduesit e krimit e korrupsionit po tejpasurohen..., prandaj pa një luftë efikase dhe pa kompromis ndaj krimit të organizuar të çfarëdollojshëm e korrupsionit në vend, e që faktikisht për ditë po e ngulfat të ardhmen e vendit dhe de-fakto edhe perspektivën e integrimeve evropiane, nuk mund të ketë edhe për sa kohë stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe perspektivë të jetës qytetare në vend”, vlerësoi Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)