Prokuroria bën sehir ndaj kontratës së PTK-së me “Z- Mobile”

  • 07 April 2019 - 07:48
Prokuroria bën sehir ndaj kontratës së PTK-së me “Z- Mobile”

Krasniqi: Vetëm një Prokurori e guximshme do të zbardhte pisllëqet në PTK

 “Përveç Komisionit Hetimor, duhej të angazhohej edhe Policia hetimore, që të gjitha dokumentet të merren edhe pa u pyetur fare autoriteti brenda Telekomit. Në këtë rast thuajse Komisioni Hetimor është bërë sa për sy e faqe, sepse askund në botë nuk do të mund të ndodhte një gjë e tillë. Vërtet, aty ka gjëra edhe më të thella kriminale, përveç kontratave me shuma marramendëse e skandaleve të tjetra”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Driton Gashi

Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, nuk ia ka dhënë dokumentacionin Komisionit Hetimor të Kuvendit, e kjo, sipas analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë, po konsiderohet se është një dëshmi që po fshihen kontratat e dyshimta të nënshkruara nga PTK-ja, përfshirë edhe atë me” Z-Mobile” të Devollëve. Ata thonë se Istrefi po i mban sekrete këto kontrata e dokumentacione, por nuk dihet me urdhër të kujt. Sipas analistëve, drejtësia duhet ta zbulojë skandalin dhe lidhjet kriminale të Devollëve me pushtetin dhe pazaret që quan në shkatërrimin e PTK-së. Ata shtrojnë pyetjen se a do të hetohen edhe punësimet politike e familjare e klienteliste që po ndodhin pothuajse çdo ditë në PTK nga e Prokurorisë. Për këtë nuk ka dhënë përgjigje për gazetën Prokuroria speciale, siç nuk ka dhënë as PTK-ja pse nuk i dorëzohet dokumentacioni Komisionit Hetimor.

Image
Dardan Grapci

Grapci: Hetuesia duhet të kërkojë kontratat me “Z- Mobile”

Analisti Dardan Grapci ka theksuar se kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, nuk ia ka dhënë dokumentacionin Komisionit Hetimor Kuvendor për shkak se, sipas tij, ai vetë është zhytur deri në fyt nga kontratat e dyshimta që i ka nënshkruar në PTK. Ai tutje ka shtuar se në mënyrë të fshehtë është në bashkëpunim me “Z-MOBILE”, që për ta falimentuar PTK-në në tërësi, ku pastaj “Z-MOBILE” të jetë - "SHPËTIMTARI" - i punëtorëve të PTK-së, por që në fakt PTK-ja do të privatizohet dhe do të jetë nën pronësi të korporatës “Devolli”.

“Hetuesia duhet të kërkojë dhe të apelojë që Bedri Istrefi t’i shfaqë kontratat e nënshkruara publikisht dhe t’i dorëzojë dokumentacionet që i posedon”, ka theksuar ai.

Analisti Reshat Badallaj theksoi për gazetën “Kosova Sot” se kryebandat e Telekomit janë të lidhura shumë ngushtë me kryebanditët e pushtetit dhe me kryebanditët e bandës Devolli. “Të gjitha këta janë të planifikuara për të gllabëruar këto dikastere dhe ta fusin nën thonjtë e tyre. A nuk thotë kjo se shteti është i kapur dhe i shitur te këta kryebanditë që nuk njohin dhe nuk respektojnë as ligje, as Kuvend, as shtet. A ka krim më të madh dhe vetëm të shikohet se si u bë kontrata e PTK-së dhe bandës Devolli dhe askush nuk e hetoi këtë pazar hajnish. Istrefi është vegël e këtyre kryebandave dhe kryebanditëve.

Populli duhet sa më parë të zërë derën, se ky dikaster nuk është privat. Ju garantoj se kjo dirigjohet nga bandat mafioze të kanaleve të nëntokës kriminale të pushtetit dhe bandës DEVOLLI”, është shprehur analisti Badallaj. Ai shton se mafio-oligarkët e kanë kapur pushtetin për fyti, e kanë bërë ZAP edhe atë sistem të kalbur të gjyqësisë dhe heshtin kundër krimit të organizuar. “Kjo bandë kancerogjene Devolli, që është përhapur si metastazë, vendin e kishin të gjithë në burg dhe jo të vjedhin shtetin deri në asht dhe të rrinë rehat dhe të bëjnë paranë publike rrush e kumbulla dhe të pasurohen si janë bërë supermilionerë më hajni. Këto banda të kanaleve të nëntokës kriminale, që e bënë kontratën me ‘Z-Mobile’, mendoni ju se nuk do të ishin në burg pa më të voglin dyshim. Këta kanë bërë pazare të pista kundër vendit”, theksoi Badallaj.

Image
Driton Gashi

Gashi: Njerëzit që sillen në mënyrë arbitrare e autoritare, duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë

Analisti Driton Gashi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se mosdhënia e dokumenteve nga kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ndaj Komisionit Hetimor të Kuvendit, e shpërfaq më së miri gjithë situatën kriminale brenda saj. “Sigurisht, ky veprim i tij tregon apriori dhe ngjall dyshime se edhe vetë duhet të jetë i inkriminuar. Nuk mund të ketë ndonjë arsye tjetër.

Populli e ka një fjalë: ‘e ka mizën nën kapuç’, prandaj, ky njeri, përveçqë nuk e ka atë të drejtë ekskluzive të mos i dorëzojë gjithë dokumentet, është duke bërë po ashtu vepër penale duke mos i dorëzuar dokumentet pranë Komisionit Hetimor Kuvendor. Prandaj, këta njerëz në këtë mënyrë arbitrare, autoritare, duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë. Për mendimin tim, përveç Komisionit Hetimor, duhej të angazhohej edhe Policia hetimore që të gjitha dokumentet të merren edhe pa u pyetur fare autoriteti brenda Telekomit.

Në këtë rast thuajse Komisioni Hetimor është bërë sa për sy e faqe, sepse askund në botë nuk do të mund të ndodhte një gjë e tillë. Vërtet, aty ka gjëra edhe më të thella kriminale, përveç kontratave me shuma marramendëse e skandaleve të tjetra. Punësimet politike, në këtë rast, do të shërbejnë vetëm si mbulesë, që kinse, Komisioni ka arritur të bëjë ndonjë gjë. Nuk mund t’i besohet fare këtij Komisioni, aq sa mund t’i besoja udhëheqësve brenda Telekomit”, është shprehur analisti Gashi për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Në rast se do t'i zbulonin fajtorët, prapa grilave do të shkonin me dhjetëra person

“Kryeshefi i Telekomit nuk guxon dhe nuk ka të drejtë që dokumentacionet t'i mbajë të fshehura, nëse kërkohen nga Komisioni Hetimor Kuvendor. Ai me këtë veprim po del të jetë mbi shtetin, dhe pengues i hetimeve për dallaveret që janë në PTK në këto dy dekadat e drejtësisë. Me këto po e fut akoma më shumë në dyshime këtë kompani, që paska vepruar jashtëligjshëm në kontrata të ndryshme. Komisioni Hetimor i Kuvendit duhet t'i kërkojë organeve të drejtësisë që ta hetojnë PTK-në nga përfundimi i luftës e deri me sot, përfshirë edhe punësimet familjare dhe partiake që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin, edhe pse PTK-ja tashmë është pothuajse e falimentuar.

Nëse hetohet drejt nga prokurorët që mund ta kenë guximin, edhe pse shumë pak e besueshme, do ta dimë të vërteten se çfarë pisllëqe janë bërë në këto dy dekada në PTK, dhe arsyen se pse erdhi deri tek falimentimi i një kompanie gjigande. Ne rast se do t'i zbulonin fajtorët, jam i bindur që prapa grilave do të shkonin me dhjetëra persona, përfshirë politikanë dhe biznesmenë! Por, me këta pushtetarë që e kanë kapur shtetin në çdo pore të saj, një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”, është shprehur analisti Faik Krasniqi.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Bandat e kanë vendin në burg, por nuk ka drejtësi

“A ka krim më të madh dhe vetëm të shikohet se si u bë kontrata e PTK-së dhe bandës Devolli dhe askush nuk e hetoi këtë pazar hajnish. Istrefi është vegël e këtyre kryebandave dhe kryebanditëve. Populli duhet sa më parë të zërë derën, se ky dikaster nuk është privat.

Ju garantoj se kjo dirigjohet nga bandat mafioze të kanaleve të nëntokës kriminale të pushtetit dhe bandës DEVOLLI”, është shprehur analisti Badallaj. Ai shton se mafio-oligarkët e kanë kapur pushtetin për fyti, e kanë bërë ZAP edhe atë sistem të kalbur të gjyqësisë dhe heshtin kundër krimit të organizuar.

“Kjo bandë kancerogjene Devolli, që është përhapur si metastazë, vendin e kishin të gjithë në burg dhe jo të vjedhin shtetin deri në asht dhe të rrinë rehat dhe të bëjnë paranë publike rrush e kumbulla dhe të pasurohen si janë bërë supermilionerë me hajni. Këto banda të kanaleve të nëntokës kriminale, që e bënë kontratën me ‘Z-Mobile’, mendoni ju se nuk do të ishin në burg pa më të voglin dyshim. Këta kanë bërë pazare të pista kundër vendit”, theksoi analisti Reshat Badallaj për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)