Thaçi ia fal dëmet e luftës Serbisë për të shpëtuar nga Specialja

  • 08 April 2019 - 07:42
Thaçi ia fal dëmet e luftës Serbisë për të shpëtuar nga Specialja

 Intervistë për gazetën "Kosova Sot" e profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

Presidenti Thaçi po përdor të gjitha mjetet e mundshme për ta copëtuar territorin e Kosovës

“Në fjalën e tij presidenti Thaçi kërkoi që ‘dialogu të mos kushtëzohet’! Dhe, kur Thaçi flet për moskushtëzim të dialogut, fjala është për realizimin e projektit të Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Kurthi që Thaçi, Rama dhe Baton Haxhiu bashkë me Vuçiqin kanë ngritur për Kosovën lidhet me atë që këta duan që projektin e tillë të Beogradit ta motivojnë dhe justifikojnë me atë që quhet ‘Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë’, sigurisht pa veriun e Kosovës.

Por, ndërsa Edi Rama nuk ka mundur të gjejë mbështetës në Tiranë me qëllim ndarjen e Kosovës, Hashim Thaçi u bën presion shumë liderëve në Prishtinë për t’i detyruar ata të pajtohen me planin e ndarjes së Kosovës”, thotë në intervistën për gazetën “Kosova Sot”, profesori i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

“Kosova Sot”: Analistët vlerësojnë se Hashim Thaçi më nuk po e fsheh varshmërinë e nënshtrimin e tij ndaj homologut serb në Beograd. Pse edhe gjatë një prezantimi në Londër, Hashim Thaçi ka ripotencuar se nuk ka nevojë që të kushtëzohet dialogu me Serbinë?

Enver Bytyçi: Presidenti i Kosovës ishte këto ditë në Londër i ftuar nga një fondacion për të folur rreth dialogut me Serbinë. Nga fjala e tij në atë forum kuptojmë se formula e Hashim Thaçit për dialogun me Serbinë është e njëjtë me formulën e Beogradit. Presidenti Thaçi kërkoi në fjalën e tij që “dialogu të mos kushtëzohet”! Dhe kur Thaçi flet për moskushtëzim të dialogut, fjala është për realizimin e projektit të Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Kurthi që Thaçi, Rama dhe Baton Haxhiu bashkë me Vuçiqin kanë ngritur për Kosovën lidhet me atë që këta duan që projektin e tillë të Beogradit ta motivojnë dhe justifikojnë me atë që quhet “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”, sigurisht pa veriun e Kosovës. Analisti i njohur Bugajski thoshte pardje se ky kurth është i Beogradit. Në fakt, pjesë e kurthit antishqiptar është bërë me vetëdije vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky i fundit shkarkoi nga detyra e shefit të diplomacisë të Shqipërisë Ditmir Bushatin, për të vënë në këtë funksion një mbështetës të flaktë të ndarjes së Kosovës, mikun e Baton Haxhiut e për pasojë të Beogradit, Gent Cakën. Por, ndërsa Edi Rama nuk ka mundur të gjejë mbështetës në Tiranë me qëllim ndarjen e Kosovës, Hashim Thaçi u bën presion shumë liderëve në Prishtinë për t’i detyruar ata të pajtohen me planin e ndarjes së Kosovës. Dhe, duket se presioni i tij nuk përfshin vetëm Behgjet Pacollin, por edhe dy bashkëkryetarët e delegacionit për negociata me Serbinë. Ndërkohë shkoi në Londër të lobojë sërishmi pro ndryshimit të kufijve në favor të Serbisë.

As Isa Mustafa, as Albin Kurti nuk po kërkojnë dorëheqjen e presidentit

“Kosova Sot”: Presidenti Hashim Thaçi po akuzohet se në prapaskenë po e shtyn planin për copëtimin territorial, ndërkaq në anën tjetër publikisht përkujdeset që të mos ketë kushte për Serbinë, që gjithçka të shkojë sipas skenarit Vuçiq-Rama-Thaçi. A janë pasojat të dyfishta dhe tepër të rënda për Kosovën?

Enver Bytyçi: Po. Hashim Thaçi po përdor të gjitha mjetet e mundshme për ta copëtuar territorin e Kosovës, duke i shërbyer kësisoj planeve ruse dhe serbe në Ballkan. Ai luan hapur e fshehtas në Prishtinë dhe jashtë saj, gjithnjë me paratë e taksapaguesve të Kosovës. Në Prishtinë ka punuar fort që të krijojë çoroditje dhe ta paralizojë aksionin politik kundër ndarjes. Opozita këto ditë kërkon ta rrëzojë qeverinë, por jo edhe presidentin. Në kushte normale opozita duhet të zhvillojë aksione politike kundër qeverisë. Por në kushtet kur Kosovës ia rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial vetë kreu i shtetit, atëherë aksioni politik drejtohet kundër tij. Opozita e akuzonte Thaçin para dy vitesh se po bën shkelje kushtetuese. Tani, ndonëse bën ndonjë deklaratë të shpërlarë kundër idesë së Thaçit për territoret, nuk mobilizohet në aksionin e saj politik kundër tij. Mendoj se është e domosdoshme që LDK-ja dhe VV-ja të realizojnë protestat kundër Thaçit, për rrëzimin e tij nga pushteti. Nëse arrin këtë, atëherë është shumë lehtë të kërkojë e të bëhen zgjedhje të reja, me qëllim testimin e elektoratit në vend.

Por, as Isa Mustafa, as Albin Kurti nuk po kërkojnë dorëheqjen e presidentit. Me sa duket ata janë pajtuar që të bëjnë rrotacion pushteti politik sipas modelit të sistemit të kaluar të ndërtuar nga Hashim Thaçi. Opozita duhet të japë një alternativë ndryshe. Alternativë për një sistem të ri politik me president ose kryeministër Hashim Thaçin nuk mund të ketë në Kosovë. Pjesa e dukshme dhe e padukshme e veprimtarisë antishqiptare të Hashim Thaçit lidhet me aksionin e tij politik jashtë Kosovës për ta shkatërruar Kosovën. Fatmirësisht ka kohë që nuk ka udhëtuar në vizita jashtë, por ka bërë takime të fshehta me presidentin e Serbisë, me qëllim rekordimin e planeve për realizimin e projektit të përbashkët kundër Kosovës. Ka të dhëna se në këto takime sekrete merr pjesë këshilltari dhe ndërmjetësi i tij me Beogradin, Baton Stanishiqi. Ai i duhet Thaçit e Ramës për dy arsye, për t’u sugjeruar argumente pro agjendës serbe në Kosovë si dhe për të garantuar tutorët në Beograd, se këta nuk kanë kthim mbrapsht: Janë të vendosur ta rrënojnë pavarësinë, shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës!

Thaçi i ka bërë për vete shumë deputetë të kërcënuar

“Kosova Sot”: Pse në vend se procesi negociator të ishte një shans i mirë për të kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve, adresimin e të gjitha krimeve të forcave serbe ndaj popullatës shqiptare, kompensimin e dëmeve të luftës, reparacionet, kthimin e fondit pensional e plot të tjera, asnjë prej këtyre problemeve nuk u kërkuan nga Serbia, mirëpo ndodhi më e keqja që është pazari me territoret e Kosovës? A është hapja e çështjes së kufijve, goditja më e rëndë që ia ka bërë procesit Hashim Thaçi nga pozita e presidentit te vendit?

Enver Bytyçi: Nëse kreu i delegacionit të Kosovës për negociata me Serbinë, pra Hashim Thaçi, do të orientohej në çështjet e krimeve serbe në Kosovë, atëherë kërkesa për ndjesë do të ishte thelbi i këtyre bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Nëse liderët serbë do të kërkonin ndjesë para se të mbyllen bisedimet dhe marrëveshja, atëherë nuk kishte asnjë shans që të diskutohej për kufij. Prandaj dhe Hashim Thaçi nuk kërkoi e nuk kërkon angazhimin e Serbisë për fatin e të pagjeturve, ose dëmshpërblim për dhjetëra-mijë viktima të dhunës e përdhunës, si dhe për 80 mijë objekte e banesa të shkatërruara. Nuk kërkoi që këto tema të ishin në tavolinën e Brukselit. Kjo kërkesë ishte kundër interesave serbe në Kosovë dhe nga kjo vjen logjikisht argumenti se presidenti i Kosovës ka qenë palë më serbët në ato bisedime.

Më pas ai u bë palë direkt duke i kërkuar vendit të tij, popullit të tij, bashkëpunëtorëve të tij në politikë, shtetarëve dhe institucioneve të Kosovës që ta përkrahin dhe ata kërkesën serbo-ruse të ndarjes së Kosovës. Kjo çoi në aktin e shkeljes së kushtetutës së vendit nga ana e presidentit, ndërkohë që duhej të ishte garant i kushtetutës. Duke shkelur Kushtetutën, përkatësisht nenin 2 pika 2 të saj, Hashim Thaçi e ka konsumuar krimin e tradhtisë kombëtare. Një drejtësi e pavarur do ta kishte çuar atë prapa hekurave. Një politikë atdhetare dhe një shtet i së drejtës do ta kishte larguar nga pushteti, pra nga posti i presidentit. Një gjykatë kushtetuese e pakapur, me iniciativë do t’ia kishte hequr Hashim Thaçit karrigen e presidentit! Këto nuk ekzistojnë fatkeqësisht as në Kosovë, as në Serbi, as në Shqipëri. Por nëse protestat në Shqipëri dhe në Serbi kundër kleptokratëve Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq po rikthejnë shpresën te demokracia e shteti i së drejtës, në Kosovë vazhdon korracimi i presidentit autokrat të saj, Hashim Thaçi.

Qytetarët në Kosovë duhet t’i japin fund këtij mashtrimi e këtij mashtruesi klasik

“Kosova Sot”: Presidenti Hashim Thaçi po akuzohet se qëllimi i tij është shpëtimi nga Gjykata Speciale, pasi dirigjimi politik mund të ndikojë në ngritjen ose pushimin e një aktakuze ndaj kreut aktual të Kosovës. A qëndron dyshimi i analistëve se Hashim Thaçi e ka investuar tërë kapitalin, tërë klanin e tij që disponon , përfshirë spiunë të Serbisë që njihen botërisht, që të parandalojë një akuzë të pritshme kundër tij ?

Enver Bytyçi: Hashim Thaçi thotë se “nuk bën pazare territoresh me Serbinë” e në fakt vazhdon të propagandojë idenë e ndryshimit të këtyre territoreve. Mashtrimi ka qenë dhe mbetet tipari themelor i qeverisjes së tij, i karakterit të tij, i veprimtarisë së tij politike e shtetërore. Qytetarët në Kosovë duhet t’i japin fund këtij mashtrimi e këtij mashtruesi klasik. Sepse ndërsa tjetër thotë, ai tjetër gjë bën. Gjithë spiunët e Serbisë, gjithë të korruptuarit dhe inkriminuarit, të gjitha lobet antishqiptare në botë, nën kujdesin dhe dirigjimin e Beogradit e të Moskës po përdoren nga presidenti i Kosovës, në shërbim të ndarjes së territorit të Kosovës. Për faktorin ndërkombëtar të lidhur dhe ndikuar nga interesat dhe dinari e rubla ndarja e territorit të Kosovës është interes dhe e dobishme. E dobishme është ndarja e Kosovës edhe për Hashimin, Edin e Batonin, sepse këta janë betuar në miqësinë me Serbinë kundër interesave të Kosovës e të shqiptarëve.

Janë betuar para Vuçiq, sepse presidenti i Serbisë u ka premtuar atyre para e pasuri, nga pasuritë e Kosovës që do t’i takojnë Serbisë me marrëveshjen e rekorduar midis tyre. Thaçi, nëse realizon qëllimin dhe objektivin serb të zhvatjes së pasurive dhe territoreve të Kosovës, do t’i shpëtojë gjithashtu ndëshkimit të Gjykatës Speciale. Kjo sepse faktet e grumbulluara dhe provat për Thaçin nuk kanë shkuar ende në atë gjykatë. Ato qëndrojnë në duart e prokurorëve serbë. Edhe Dick Martty e ka paditur Hashim Thaçin me provat e Beogradit. Ndërkaq ajo gjykatë mund të mbyllet, nëse Thaçi e ndan Kosovën. Kësisoj Thaçi i ka bërë për vete shumë deputetë të kërcënuar, duke iu premtuar mbylljen e Gjykatës Speciale. Për mbylljen e gjykatës do mjaftonte një iniciativë e Moskës në Këshillin e Sigurimit. Vladimir Putin ia ka premtuar këtë Hashim Thaçit. “Grahi, i ka thënë, realizoje detyrën që të kemi vënë, ndaje Kosovën, se pastaj do të të shpëtojmë ty dhe gjithë të akuzuarit e tjerë nga Gjykata Speciale”! Kjo është arsyeja pse një pjesë e politikës në Kosovë është pajtuar me Hashim Thaçin. Disa ndjehen të kërcënuar e disa tjerë janë blerë me flori.

Hashimi dhe Batoni marrin qeset e florinjve në Beograd dhe i shpërndajnë në Prishtinë, por edhe në Tiranë! Kush refuzon qesen, anatemohet dhe goditet në opinionin publik, kërcënohet me jetë dhe shantazhohet në çdo lloj mënyre. Është një luftë për jetë a vdekje midis atyre që mbrojnë Kosovën dhe kufijtë e saj, që mbrojnë pavarësinë, shtetësinë dhe integritetin e vendit dhe atyre që duan ta copëtojnë Kosovën, ta ndajnë atë, ta shuajnë pavarësinë, shtetësinë dhe ta kthejnë më pas në një provincë të Shqipërisë e dikujt tjetër!

Ndarja e Kosovës nuk është vullnet i Kosovës

“Kosova Sot”: Mirëpo, Gjermania dhe SHBA-ja tani kanë dalë me qëndrim të njëjtë, duke kundërshtuar hapur ndryshimin e kufijve. A po dështon më në fund plani për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës?

Enver Bytyçi: Gjermania dhe Britania e Madhe prej fillimit kanë qenë kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës e në Ballkan. Çdo ndërhyrje te kufijtë hap Kutinë e Pandorës, krijon mundësi të padiskutueshme për prezencën ruse në rajon, çon në krijimin e Serbisë së Madhe. Vetëm presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë nuk duan ta pranojnë këtë. Serbia e Rusia u kujdesën që në SHBA të krijohet një balancë tjetër sa i përket kësaj çështjeje. U përdoren resurset proserbe në administratën amerikane që të krijohet ideja se SHBA-ja e përkrah një marrëveshje të tillë midis Prishtinës dhe Beogradit.

Por, fatmirësisht Hashim Thaçi u investua me budallaki në administratën e zotit Trump. Shkoi atje disa herë dhe u tha se ideja e tij ka përkrahjen e të gjithë faktorit politik dhe qytetarëve të Kosovës e shteteve të rajonit. I rrejti, siç rren përditë shqiptarët në Kosovë. Po rrenën e kanë inat edhe ata që konsiderohen si anëtarë të lobit të Serbisë. Jon Bolton ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës, por ka aq integritet sa të mos pranojë të mashtrohet nga monstra të tilla, si Hashim Thaçi. Dy të dërguarit e tij në Prishtinë e zbuluan rrenën e Thaçit, zbuluan faktin se ndarja e Kosovës nuk është vullnet i Kosovës, por është vullnet i presidentit të Kosovës. Ata e dinë se Kosova nuk është Hashim Thaçi. Kosova është e qytetarëve të saj, është e institucioneve të saj, është e brezave që kanë shkuar e atyre që do të vijnë. Hashimi e sheh dhe e trajton Kosovën si çiflig të vetin gjithnjë me mendësi otomane.

Ata panë gjithashtu se askush në rajon, asnjë shtet tjetër veç Serbisë dhe Republikës Srpska, nuk pajtohet me ndryshimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë. Në këto kushte zoti Thaçi mbeti i izoluar dhe amerikanët u tërhoqën nga qëndrimi i kujdesshëm që patën treguar para kësaj vizite. Gjykata kushtetuese refuzoi kërkesën për puç kushtetues të presidentit në lidhje me ratifikimin e marrëveshjeve. Ambasadori amerikan nuk foli më për taksën kundër Serbisë. Ramush Haradinajt iu zhbllokua viza për vizitë në SHBA. Kështu që mori fund përkrahja amerikane për rrenacakun Hashim Thaçi.

“Kosova Sot”: Analistët vlerësojnë se presidenti Hashim Thaçi mund të përfundojë në Gjykatën Speciale. A janë të lodhur edhe ndërkombëtarët me tërë klasën politike në Kosove ku ambasadori britanik dhe ai amerikan thonë se edhe durimi ka një fund? A është ky tani edhe sinjali më serioz për Kosovën dhe “parinë” e saj të degraduar e mashtruese !?

Enver Bytyçi: Unë parashikoj se plani Thaçi-Vuçiq-Rama i projektuar në Beograd dhe sponsorizuar në Moskë për ndarjen e Kosovës të dështojë. Dështimi i këtij plani do të thotë që presidenti i Kosovës do të jetë objekt i lëndës së regjistruar në Gjykatën Speciale. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë do të thotë se Serbia e ka kursyer dhe mbrojtur Hashim Thaçin, duke mos i dërguar në Hagë provat dhe faktet që mund të ketë kundër tij. Nëse Beogradi nuk i çon këto prova, atëherë është e qartë se fatkeqësisht presidenti i Kosovës është spiun i Serbisë dhe Rusisë dhe mbrohet për ta përdorur në ndonjë projekt tjetër të radhës kundër Kosovës dhe shqiptarëve! Por fundi politik i Hashim Thaçit është konsumuar tashmë.

E konsumoi me përpjekjet e tij për tjetërsimin e territorit të vendit. Ndërkohë që Thaçi dhe shumica e klasës politike në Kosovë kanë mbërritur në finish për shkak të korrupsionit, nepotizmit, politizimit dhe përçarjes së skenës politike e publike, mosrealizimit të kushteve dhe standardeve demokratike për të ndërtuar një shtet të mirëfilltë të së drejtës e kështu me radhë. Duart e politikës futen kudo, në gjyqësor, në stafet akademike, në gazetari e media, në sipërmarrje dhe të bërit biznes, në buxhetin e shtetit dhe pasuritë e Kosovës. Duhet të marrë fund kjo situatë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka shansin ta realizojë ndryshimin politik për të sjellë edhe ndryshimin e këtij sistemi. “Vetëvendosja” nuk është provuar në qeverisje dhe ka shanse të zërë vend si aktor i pakonsumuar. Por kushti kryesor për to është shkëputja e plotë e tyre nga ndikimi, influence dhe praktikat qeverisëse të Hashim Thaçit! Pa realizuar këtë nuk mund të ketë ndryshim sistemi dhe mendësish në qeverisjen e vendit!

Luftë për jetë a vdekje midis atyre që mbrojnë Kosovën

Hashimi dhe Batoni marrin qeset e florinjve në Beograd dhe i shpërndajnë në Prishtinë, por edhe në Tiranë! Kush refuzon qesen, anatemohet dhe goditet në opinionin publik, kërcënohet me jetë dhe shantazhohet në çdo lloj mënyre. Është një luftë për jetë a vdekje midis atyre që mbrojnë Kosovën dhe kufijtë e saj, që mbrojnë pavarësinë, shtetësinë dhe integritetin e vendit dhe atyre që duan ta copëtojnë Kosovën, ta ndajnë atë, ta shuajnë pavarësinë, shtetësinë dhe ta kthejnë më pas në një provincë të Shqipërisë e dikujt tjetër!

Një drejtësi e pavarur do ta kishte çuar Thaçin prapa hekurave

Duke shkelur Kushtetutën, përkatësisht nenin 2 pika 2 të saj, Hashim Thaçi e ka konsumuar krimin e tradhtisë kombëtare. Një drejtësi e pavarur do ta kishte çuar atë prapa hekurave. Një politikë atdhetare dhe një shtet i së drejtës do ta kishte larguar nga pushteti, pra nga posti i presidentit. Një gjykatë kushtetuese e pakapur, me iniciativë do t’ia kishte hequr Hashim Thaçit karrigen e presidentit! Këto nuk ekzistojnë fatkeqësisht as në Kosovë, as në Serbi, as në Shqipëri. Por, nëse protestat në Shqipëri dhe në Serbi kundër kleptokratëve Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq po rikthejnë shpresën te demokracia e shteti i së drejtës, në Kosovë vazhdon korracimi i presidentit autokrat të saj, Hashim Thaçi.

Gjykata Speciale mund të mbyllet, nëse Thaçi e ndan Kosovën

Thaçi, nëse realizon qëllimin dhe objektivin serb të zhvatjes së pasurive dhe territoreve të Kosovës, do t’i shpëtojë gjithashtu ndëshkimit të Gjykatës Speciale. Kjo sepse faktet e grumbulluara dhe provat për Thaçin nuk kanë shkuar ende në atë gjykatë. Ato qëndrojnë në duart e prokurorëve serbë. Edhe Dick Martty e ka paditur Hashim Thaçin me provat e Beogradit. Ndërkaq, ajo gjykatë mund të mbyllet, nëse Thaçi e ndan Kosovën.

(Kosova Sot)