PTK-ja shpërblen edhe familjarët e Thaçit me para nga antenat, qytetarët vuajnë për bukë

  • 08 April 2019 - 08:01
PTK-ja shpërblen edhe familjarët e Thaçit me para nga antenat, qytetarët vuajnë për bukë

Gashi: Njerëzit e pushtetit e trajtojnë Telekomin sikurse pronë të tyren private

 “Këta kryehajna të majave të shtetit nuk janë vetëm hajna të errësirës, po këta kryebanditë dhe kryehajna të majave të shtetit dhe ata që e kanë kapur pushtetin vjedhin djersën e taksapaguesve dhe pasurohen jashtëligjshëm dhe populli vuan urie dhe fukarallëku prek mish e asht. Këta banditë nuk i vendosën antenat te ndonjë njeri i këputur, për t´ia zgjatur dorën, por i japin në oborret e kryebanditëve të majave të shtetit”, thotë analisti Reshat Badallaj për gazetën “Kosova Sot”

Mbi 550 antena kishte vendosur PTK-ja në mbarë Kosovën. 300 prej tyre vlerësohet se janë të shpërndara në qytete e 250 në fshatra. Kostoja mujore që Telekomi paguan për to dhe rrymën që ato shfrytëzojnë kap vlerën e 302 mijë eurove dhe, në total, në vit për to paguhen 3 milionë e 600 mijë euro. Disa prej tyre janë të vendosura në pronat e familjarëve të politikanëve.

Antenat e PTK-së ishin vendosur edhe në oborrin e vëllait të Hashim Thaçit dhe vëllait të gruas së presidentit Thaçi duke përfituar afër 60 mije euro. Ndërkaq, vëllai i gruas së Hashim Thaçit nga antenat e PTK-së ka marrë 30 mijë euro. Sipas analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë, PTK-ja po vazhdon të keqpërdorë paratë e qytetarëve bashkë me pushtetarët e nivelit të lartë dhe ky institucion, sipas tyre, po abuzon përditë me ligjin dhe atë për 20 vjet rresht.

Image
Reshat Badallaj

Pasurime të jashtëligjshme

Analisti Reshat Badallaj theksoi për gazetën “Kosova Sot” se kryebanditët e PTK-së, siç i quajti ai, janë të lidhur ngushtë me kryebanditët e kryehajnat e majave të shtetit.

“Këta kryehajna të majave të shtetit nuk janë vetëm hajna të errësirës,po këta kryebanditë dhe kryehajna të majave të shtetit dhe ata që e kanë kapur pushtetin vjedhin djersën e taksapaguesve dhe pasurohen jashtëligjshëm dhe populli vuan urie dhe fukarallëku prek mish e asht. Këta banditë nuk i vendosën antenat te ndonjë njeri i këputur për t´ia zgjatur dorën, por i japin në oborret e kryebanditëve të majave të shtetit që janë të lidhura ngushtë me kriminelët serbianë. 

Populli një orë e më parë duhet trazuar,organizuar protesta gjithëpopullore dhe për të shfarosur këtë metastazë kancerogjene që është shtrirë si vaji në lakra, si në sistemin qendror si në atë lokal, duke mos e përjashtuar as atë sistem të kalbur gjyqësor. Me thyerje qafet e këtyre banditëve të majave të shtetit shpëton shëndeti i Kosovës dhe qytetarëve të saj, sepse këta kryebanditë nuk njohin as Kushtetutë dhe as vend, njohin vetëm hajnin e mos e gëzofshin”, theksoi Badallaj për gazetën.

Gazeta i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë dhe PTK-së, por asnjëri institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Image
Driton Gashi

Gashi: Udhëheqësit e PTK-së kanë qenë të lidhur vazhdimisht me pushtetin

Analisti Driton Gashi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se vetë këto antena të vendosura në prona të tyre private tregon se këta njerëz e trajtojnë edhe Telekomin sikurse pronë të tyren private. “Pra, këto përfitime bëhen drejtpërsëdrejti duke e përdorur autoritetin e tyre tash e sa kohë, dhe ta përdorësh në këtë mënyrë autoritetin përbën shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. PTK-ja ka qenë dhe mbetet e atakuar që një kohë të gjatë, në cilëndo formë të mundshme, dhe në mundësinë e tyre më të vogël. Antenat sigurisht që kanë mundur të vendosen në hapësira publike dhe ato para të shkonin në buxhetin e Republikës, mirëpo njerëz të tillë, sigurisht një ditë duhet të japin llogari para ligjit dhe duhet të ndëshkohen gjithsesi. Udhëheqësit e PTK-së kanë qenë të lidhur vazhdimisht me pushtetin dhe janë shndërruar në vartës të gërditshëm të pushtetit për 20 vjet rresht.

Shpresoj që sa më parë të ndalen këta njerëz, por nga kush dhe si? Kjo mbetet një dilemë e madhe dhe në momentin kur të ndalen këta njerëz, vetëm atëherë mund ta arrijmë ta quajmë shtetin e Kosovës, shtet të mirëfilltë”, theksoi analisti Gashi për gazetën. Analisti Dardan Grapci e nis me pyetje konstatimin e tij se si është e mundur që me këto antena PTK-ja të pranojë që të jetë në drejtimin e politikës së kriminalizuar? “550 antena në tërë territorin e Kosovës janë vetëm një mbulesë e parave të ndyra, një Kosove e cila nuk i ka më shume së 2 milionë banorë, po ka nevojë aq të madhe për gjithë këto antena”, theksoi Grapci gjersa thërret të bojkotohen produktet e PTK-së.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Kompania publike po vazhdon të plaçkitet

“Falimentimi i PTK-së ka vetëm një emër: Politika mafioze. Plaçkitja e PTK-së në Kosovën e pasluftës është bërë në forma të ndryshme, qoftë përmes kontratave të paligjshme, qoftë përmes vjedhjes indirekte, qoftë përmes vendosjes së antenave, e forma të tjera që vetëm këta dinë se si ta plaçkitin shtetin ose një kompani publike.

Punësimet e stërngarkuara i kanë kontribuar po ashtu falimentimit të PTK-së. Abuzimet jo vetëm në PTK, por në çdo institucion s'do të ndalen derisa të mos funksionojë ligji dhe derisa drejtësia të mos jetë e kapur nga politika”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot”, analisti Faik Krasniqi.

(Kosova Sot)