Komuniteti rom një zë i fortë në institucione

  • 08 April 2019 - 11:35
Komuniteti rom një zë i fortë në institucione

Në Kosovë po shënohet Dita e Komunitetit Rom. Për nder të kësaj dite Qeveria e Kosovës ka përgatitur një koktej, ku ishin të ftuar përfaqësues të komunitetit rom si dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, tha se komuniteti rom ka qenë pjesë e shumë proceseve të rëndësishme në Kosovë.

Duke e vlerësuar këtë si ditë të veçantë për Kosovën, Hoxhaj tha se historikisht kanë jetuar për shumë shekuj me komunitetin Rom në Kosovë.

“Kanë qenë pjesë e procesit të lirisë tonë, të shtetndërtimit, të zhvillimeve në vend, të nënshkrimit të Pavarësisë së Kosovë, kanë marrë pjesë në zgjedhje për Parlamentin e Kosovës dhe jemi krenarë që krahasuar me shumë vende në rajon dhe në Evropë, romët si komunitet çdo herë e kanë pasur një zë të fortë në Kuvendin e Kosovës”, tha ai duke theksuar se ky komunitet çdo herë është përfaqësuar në të gjitha institucionet, në nivelin qendror dhe lokal.

Po ashtu, zëvendëskryeministri Hoxhaj, tha se Kosova është vend demokratik dhe multietnik dhe dita e këtij komuniteti është ditë po ashtu për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Deputeti Albert Kinolli, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), tha se ndjehen krenarë që janë pjesë e institucioneve të Kosovës, duke u përfaqësuar në Kuvend, Qeveri dhe në institucione tjera, në të njëjtën kohë ka falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të komunitetit romë në Kosovë.

Image

Më tej, Kinolli tha se komuniteti Rom ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë aktive e shtetndërtimit të institucioneve të Kosovës, duke numëruar një varg projektesh, tha se nga muaji i ardhshëm ky komunitet do të jetë përfitues i një projekti madhor të ndërtimit dhe rindërtimit të 42 shtëpive, projekt ky që do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e mirëqenies së këtij komuniteti.

(Kosova Sot)