Dërgohet në Kushtetuese dekreti i Presidentit për anëtarët e KQZ-së

  • 08 April 2019 - 15:09
Dërgohet në Kushtetuese dekreti i Presidentit për anëtarët e KQZ-së

Kryetarët e tre grupeve parlamentare, PSD, AAK dhe NISMA, me mbështetjen e 30 deputetëve të Kuvendit, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të dekretit të Presidentit Hashim Thaçi, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas dorëzimit të kësaj kërkese, kryetarët e tre grupeve parlamentare kanë dhënë prononcime për media, me ç’rast e kanë thënë se Presidenti Thaçi nuk ka vepruar ashtu siç e parasheh Kushtetuta.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka thënë se dekreti i Presidentit Hashim Thaçi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Jemi këtu që ta konfirmojnë se sapo dërguam një ankesë në Gjykatën Kushtetuese për ta sfiduar vendimin e Presidentit Hashim Thaçi, përkatësisht dekretin e tij që ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të KQZ-së. Ne konsiderojmë se na janë shkelur të drejta tona si grupe parlamentare dhe për këtë arsye e kemi sfiduar këtë dekret. Presim që Gjykata Kushtetuese të na jap të drejtë në atë që e kemi ngritur sot. Ne mendojmë se dekreti i Presidentit nuk është në përputhje me kushtetutën. Deri në marrjen e vendimit nga ana e gjykatës, nuk do të bëjmë komente tjera për arsye se dëshirojmë që Gjykata të mos ndihet në presion gjatë procesit të marrjes së vendimit”.

Ahmet Isufi nga AAK konsideron se shkelja është bërë, pikërisht në faktin Presidenti Hashim Thaçi nuk e ka zbatuar kërkesën e tij për t’i dekretuar të gjithë anëtarët e grupeve parlamentare.

“Paraprakisht zyra e Presidentit ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që t’i dërgojnë emrat e anëtarëve të KQZ-së dhe ne i kemi dërguar të gjithë dhe konsiderojmë se është bërë shkelja pikërisht pse nuk është zbatuar ajo kërkesë e Presidentit për t’i dekretuar të gjithë anëtarët e grupeve parlamentare”.

Ndërsa Dardan Sejdiu nga Partia Social Demokrate ka thënë se ky dekretim është kundër vlerave të pluralizmit dhe demokracisë.

“Një detaj që është tepër me rëndësi, është pluralizmi në këtë Republikë. Pra në frymën e asaj që duam të ndërtojmë një demokraci pluraliste ku të gjitha grupet parlamentare janë të përfaqësuara ashtu siç parashihet edhe me Kushtetutë. Në këtë ankesë që e kemi shtruar në Gjykatën Kushtetuese, besoj që një prej betejave tona të përbashkëta është që të bëjmë betejën edhe për pluralizmin. Pluralizmi nuk nënkupton koncentrimin e përfaqësimit në KQZ vetëm në tre grupe por në të gjitha ato që kanë grupe parlamentare siç e parasheh kushtetuta e këtij vendi”.

(Kosova Sot)