Plaçkitjet po bëhen më serioze, banka dje u vodh me eksploziv

  • 08 April 2019 - 15:17
Plaçkitjet po bëhen më serioze, banka dje u vodh me eksploziv

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, një bankomat i bankës TEB në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë ishte pre e plaçkitësve. Përmes një metode të panjohur deri më tani në Kosovë, ku hajnat përdorën eksploziv, arritën të vjedhin një shumë të konsiderueshme të parave dhe të ikin nga vendi i ngjarjes. Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, fajin për mosndëshkimin e personave që po kapen duke kryer vjedhje, po ia lë policisë, prokurorisë dhe gjykatave

Vjedhjet nëpër institucionet financiare janë shtuar në vendin tonë. E fundit e këtij lloji, por jo si të gjitha të tjerat, ishte ajo që ndodhi mëngjesin e së dielës në një bankomat të bankës TEB.

Hajnat kësaj radhe kishin avancuar metodën, duke përdorur eksploziv për të shpërthyer pjesën e bankomatit, e për të arritur deri tek të hollat që gjendeshin brenda kasafortës së bankomatit.

Plaçkitësit duket se janë një hap para policisë, pasi ata po arrijnë të arratisen nga vendi i ngjarjes, duke mos lënë shumë gjurmë të cilat çojnë deri në kapjen e tyre.

Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vjedhja e së dielës është shqetësuese, pasi sipas tij hajnat çdo herë e më shumë po përdorin metoda të reja dhe po arrijnë të largohen pa u kapur.

Ibishi thotë se kjo teknikë e re e kryerjes së këtyre plaçkitjeve, ngjason si nëpër disa vende perëndimore ku krimi i organizuar ka arritur në një nivel profesionalizmi, sidomos i këtyre plaçkitësve. Sipas tij, hajnat me këtë rast po tregojnë se janë një hap para policisë dhe organeve të sigurisë.

“Ky rasti i fundit thotë shumëçka. Plaçkitësit jo që janë dekurajuar me një sukses të pjesshëm të policisë në zbulimin e tyre, përkundrazi ata kanë ndërruar taktikën dhe metodën e veprimit. Mendoj se policia duhet në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera ta gjejë mënyrën që t’i dalë në krye ballafaqimit me këtë formë të kriminalitetit e cila realisht është shqetësuese edhe për qytetarët, për arsye se kjo dukuri duket se po prek më shumë institucionet financiare sepse janë në vendet kyçe në publik, por realisht prek edhe bizneset private, pasi shumë prej këtyre plaçkitjeve po kryhen pa u dukur shumë në opinion”, thotë Ibishi

Ibishi thotë se kompanitë private të sigurisë po mundohen t’i parandalojnë vjedhjet, por ata (hajnat) po hyjnë të armatosur nëpër bizneset private por qoftë edhe në lokacionet tjera siç janë institucionet financiare.

“Ata po zhduken pa gjurmë, edhe pse kamerat e sigurisë po kapin pamje, ata e kanë sofistikuar mënyrën, po vijnë të maskuar, me dorëza dhe në pamundësi që policia t’i identifikojë dhe t’i zë. Kjo mënyrë e re e paraqitjes, duhet që policinë ta orientojë më shumë që të marrë masa parandaluese, në mënyre që këto grupe kriminale që po veprojnë në këtë mënyrë t’i zë, sepse mendoj që një pjesë të këtyre grupeve policia veçse i ka të identifikuar”, thotë Ibishi.

Ndërkaq Ibishi thekson se policia, prokuroria dhe gjykatat nuk po bashkëpunojnë sa duhet për të çuar deri në fund çështjen e grabitësve. Ai thotë se nuk po bëhet sa duhet dhe nuk po merren masat e duhura ndëshkuese ndaj personave që po kapen nga policia.

“Fatkeqësisht nuk po është një bashkëpunim i mirëfilltë me prokurorinë dhe gjykatat, sepse sapo po përfundon puna që i takon policisë, pra hetimi fillestar, mirëpo po duhet të ndërmirren masa të paraburgimit gjegjësisht masa gjyqësore, sepse ata po lirohen në mbrojtje në liri dhe po vazhdojnë zanatin e vet, apo plaçkitjet e radhës. Ky pra është shqetësimi më i madh që nuk ka bashkëpunim për t’i dalë në krye kësaj dukurie jo fort të re, por shumë shqetësuese kohëve të fundit”, thotë Ibishi.

Ai thotë se policia mund të marrë masa preventive duke dalë më shumë në terren, sikurse ka bërë para disa kohësh. Sepse sipas Ibishit, ata (plaçkitësit) nuk janë jashtëtokësorë, ata lëvizin diku në terren dhe normalisht mbulimi i  terrenit nga policia por edhe bashkëpunimi me kompanitë private të sigurisë dhe subjektet tjera, mund ta parandalojnë këtë dukuri.

Ndërkaë Ibishi shton se policia duhet të jetë më e shpejtë në reagimin e saj, kur plaçkitja është në progres, pasi çdo vonesë e policisë do ta humbasë efektin e kapjes së plaçkitësve.

“Këto banda të organizuara nuk janë të rastit, sepse kur kryhen plaçkitje sikurse ishte kjo e fundit, duhet njohje e mirë e teknologjisë, mandej sistemi i veprimit që të mos shkatërrohet masa e të hollave që është aty, por edhe largimi nga vendi i ngjarjes, sepse ata derisa veprojnë e mbulojnë terrenin, pra kjo nuk është e thjeshtë, është një sistem i lartë i organizimit. Ata janë një strukturë e organizuar dhe veprojnë në vazhdimësi. Ajo quhet mënyra e kryerjes, mënyra qysh një grup kriminal e kryen në mënyrë specifike, sikurse kjo mënyra me eksploziv që nuk ka qenë deri me tani e pranishme në vendin tonë”, thekson Ibishi.

Ndërkaq në statistikat që media  ka siguruar nga Policia e Kosovës, thuhet se gjatë tre muajve të parë, në vend janë kryer 724 raste te vjedhjeve dhe 74 raste ku vjedhjet nuk kanë mundur të kryhen dhe kanë mbetur vetëm si tentim vjedhje.

“Neni 325 – Vjedhje 724 raste të kryera, 74 në tentativë, përderisa ka pasur edhe dhjetëra persona të arrestuar. Të gjitha rastet në polici evidentohen në bazë të kodit penal. Andaj në këto raste hyjnë të gjitha rastet e vjedhjeve të kryera në nivel vendi e jo vetëm të bankave, pasi rastet evidentohen sipas procedurave ligjore që parashihen (kodi penal).

E për rastin e fundit të vjedhjes së bankomatit të bankës TEB ka reaguar edhe Shoqata e Bankave, duke thënë se e dënon fuqishëm këtë akt kriminal i cili krijon pasiguri në sektorin financiar, rrezikon mirëqenien e qytetarëve dhe dëmton rëndë imazhin e Kosovës.

“Sektori bankar kërkon nga institucionet e sigurisë së vendit që sa më parë të sjellin para drejtësisë këto grupe kriminale që synojnë të dëmtojnë bizneset e Kosovës. E keqja duhet të luftohet me të gjitha forcat që ka shteti për të shmangur rrënimin e rendit dhe ligjit në vend”, thuhet në komunikatën e Shoqatës së Bankave.

Që nga viti i kaluar, plaçkitjet nëpër banka dhe institucione tjera financiare janë shtuar. Rasti që kishte tronditur tërë Kosovën ishte ai që ndodhi në Istog, në dhjetorin e vitit 2018.

Polici Izet Demaj u vra përderisa po tentonte ta parandalonte plaçkitjen e bankës TEB në qytetin e Istogut. Ai u qëllua për vdekje nga Kamer Metaj, i cili kishte shkuar i armatosur për kryer plaçkitjen, e i cili më pas u vra nga policia.

(Kosova Sot)