Ankesat vërshojnë Prizrenin

  • 08 April 2019 - 16:03
Ankesat vërshojnë Prizrenin

Ankesat të shumta tashmë janë adresuar në adresë të Drejtorit të DKA në Prizren. Asamblistja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, nga radhët e LDK-së, Sadije Osaj-Jakupi, ka deklaruar se ka pesë muaj që nxënësit e katër klasave IX, në shkollën "Motrat Qiriazi" po humbin orët e mësimit të gjuhës shqipe. Për këtë rast ajo dje gjatë mbledhjes së KK-së, kërkoi sqarime nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Nxënësit humbin orët

Jakupi tha më tej se sipas kësaj logjike, del se nxënësit duhet të mësojnë vetëm anglisht e gjermanisht, pasi ata po ikin nga Kosova dhe do të shkojnë për të punuar atje. Humbjen e këtyre orëve ndërkaq e mohoi drejtori për Arsim në Prizren, Skënder Susuri, i cili tha se për këtë nuk ka ndonjë njoftim nga drejtori i shkollës, që ka përgjegjësi ta bëjë këtë. Kësaj përgjigjeje i është kundërvënë asamblistja, duke thënë se ky është fakt pasi vetë është prind, meqenëse djali i saj është pikërisht në njërën nga këto klasë. Ilir Baldedaj nga radhët e AAK-së, akuzon koalicionin lokal se po veprojnë sikur të jenë duke ndarë "hisen e babës"dhe sillen kaq mbrapshtë. "Me këtë rast pyes, nëse drejtorët e dërguar nëpër sektorët komunalë nga partia në koalicion i japin llogari partisë së tij apo kryetarit të Komunës", tha Baldedaj për "Kosova Sot".

Ai me këtë rast përmendi shkeljet në konkurset e Drejtorisë së Arsimit, duke thënë se në një rast nuk janë pranuar në punë dy arsimtare me përvoje, por reja e një Prokurori. Kurse, kuvendari Ilir Gashi, ka pyetur se çfarë po ndodh me transportin nxënëseve që janë nga pjesët periferike dhe ata për shkak të çantave kanë probleme, drejtori Susuri e pranoi se ashtu ka thënë në fillim të emërimit të tij, por tani po e sheh se ajo ka një koste të madhe.

Hapja e transitit të ri

E ankesa kanë ardhur edhe për organet e drejtësisë në Prizren, ku Skender Sallauka, pyeti për rastin e shtëpisë, e cila ka bllokuar rrugën e transitit të ri të Prizrenit, duke kritikuar organet e drejtësisë për neglizhimin e lëndës përkatëse. Duke rikërkuar ndërhyrje institucionale për zgjidhjen e këtij problemi, ai tha se është tepër e pakuptueshme se duke e zgjatur për rreth 5 vjet, Gjykata po vepron në dëm të rreth 200 mijë qytetarëve. "Nuk e kuptoj se si një gjyqtari për t'i lexuar 20-25 faqe të kësaj lënde dhe për të vendosur i duhet kaq kohë. Çfarë mund të jetë më prioritet se sa çështja e bllokimit të një rruge të rëndësishme, për të cilin po vuajnë qytetarët", tha Sallauka. Ai rikujtoi se çështjet civilet në gjykatat kosovare zgjasin deri në 10 vite, andaj kërkoi që komuna të ndërhyjë për ta bërë kompensimin e saj. Kurse, kryetari i Komunës, Mytahet Haskuka, ka premtuar se këtë vit do të zgjidhet kjo çështje dhe se do të hapet transiti i ri. Ai ka premtuar zgjidhjen e çështjes së shtëpisë që ka bllokuar rrugën e re transitore, që lidh lagjen Arbana me Dardaninë, përkatësisht magjistralen për në Gjakovë me atë për Prishtinë. Haskuka tha se për çështjen e shtëpisë tek transiti i ri, ka biseduar edhe me disa asamblistë, që nëse nuk ndërmerr diçka gjykata, atëherë të veprojë Kuvendi Komunal, për ta sjellë një vendim rreth kompensimit të saj. "Gjithsesi besoj që sivjet kjo rrugë do të hapet", ka thënë Haskuka lidhur më këtë çështje.

(Kosova Sot)