A po vazhdon presioni i Ankarasë për Gylenistët?

  • 08 April 2019 - 16:13
A po vazhdon presioni i Ankarasë për Gylenistët?

Liderët shtetërorë të Turqisë nuk po e ndalin “gjahun” për gylenistë në shtetin që nuk e ka problem të ia zbatojë urdhrat – Kosovën. Vetëm për pak ditë, dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit turk Tayyip Erdogan vizituan e pritën liderë të vendit, duke theksuar edhe njëherë pengesën e vetme që ka mbetur sipas tyre. Përderisa Turqia po përdor të gjitha mekanizmat që ka në vend për të çrrënjosur atë që e quajnë “pengesa FETO”, liderët kosovarë po heshtin karshi kërkesave të tyre.

Po në të njëjtin vit, kur Kosova mori kritika të mëdha për aksionin e arrestimit e deportimit të gjashtë shtetasve turq, liderët e shtetit kosovar pritën vizitën e parë zyrtare nga bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të Turqisë, Tayyip Erdogan.

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu në vizitën e tij që pati në vend tetorin e kaluar nga ku u takua fillimisht me homologun e tij, ministrin Behgjet Pacolli, e pastaj me liderët tjerë, theksoi haptazi kërkesën e tij.

Në këmbim të mbështetjes miqësore dhe vëllazërore të Kosovës u kërkua edhe vendosmëri në luftën kundër organizatave të FETO-s.

“Ne nuk duam që Kosova t’i lejojë terroristët, të cilët kanë bërë puç në Turqi të jetojnë këtu. Ne presim që t’i ekstradojnë ata. Ne ata i konsiderojmë të rrezikshëm për Turqinë dhe sigurinë e Kosovës. Ne nuk do të lejonim që dikush në Turqi të bënte ndonjë veprimtari ilegale për Kosovën e lëre më ndonjë puç. Ne do t’i dorëzonim në Kosovë të gjithë ata që do të tentonin diçka të tillë”, kishte thënë Mevlüt Çavuëoëlu, teksa liderët e vendit që takoheshin me të edhe atëherë kishin heshtur karshi kësaj kërkese.

Duke qenë se Kosova është në listën e ngushtë të vendeve që iu përgjigjën kërkesës së Erdoganit për t’i deportuar ata që i konsideron terroristë, presidenti turk përmes vartësve të tij po ua kujton këtë liderëve të shtetit kosovar, duke i kujtuar dorëzime të reja.

Me po të njëjtin ministër që kërkoi haptazi në Kosovë që të çrrënjoset FETO është takuar këtë vikend në Stamboll Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli. Këtë e ka bërë të ditur vetë Pacolli përmes llogarisë zyrtare në Facebook.

“Raportet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, do të vazhdojnë edhe më tutje drejt avancimit. Turqia nëpërmjet ministrit të jashtëm fuqishëm rikonfirmon mbështetjen e gjithanshme për Kosovën”, shkruhet në postimin e Pacollit.

Mirëpo se a iu është bërë kërkesa e njëjtë si ajo që iu ishte bërë në vend, nga Çavuëoëlu po e mohojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj po e mohon se gylenistët ishin temë diskutimi.

“Jo absolutisht jo. As që ka qenë pjesë e diskutimit kjo punë. Takimi është karakterizuar për çështjet në interes të Kosovës në arenën ndërkombëtare për të cilat Turqia mund të japë mbështetje të madhe”, është deklaruar Zyberaj.

Përderisa liderët e vendit po thonë se nuk po marrin kërkesa të tilla nga diplomatët turk, këta të fundit po deklarohen ndryshe.

Ishte vetë ministri i Mbrojtjes Turke, Hulusi Akar, edhe ky një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Erdoganit që qëndroi ditë më parë në vend.

Teksa i njëjti theksoi që duhet të hiqet sa më shpejtë “pengesa FETO”, institucionet e vendit nuk pranojnë as të deklarohen e as që të sqarojnë se cila ishte përgjigjja e tyre kur u fol për temën e gylenistave.

Media  ka provuar që të marrë një qëndrim nga Ministria Mbrojtjes e Ministri Rrustem Berisha por këta të fundit nuk kanë dashur të prononcohen për këtë temë.

Megjithatë, top zyrtari turk e kishte të qartë kërkesën. “Me shpejtësi të heqim pengesën FETO mes nesh. Duhet të shpëtohemi sa më shpejt nga kjo”, u shpreh Akar, teksa kërkoi bashkëpunim për luftimin e organizatës FETO.

Edhe në Qeverinë e Kosovës po mohojnë se ministri Akar ka kërkuar një gjë të tillë në takimin që pati me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pak ditë pas 1 vjetorit të parë kur Kosova u përkul nën urdhërat e Erdoganit, Kosova vazhdon të mbetet vend potencial për arrestim e deportim të gylenistëve.

(Kosova Sot)