Rëndohet situata në Libi, forcat rebele sulmojnë aeroportin e Tripolit

  • 08 April 2019 - 18:20
Rëndohet situata në Libi, forcat rebele sulmojnë aeroportin e Tripolit

Një aeroplan ushtarak e ka sulmuar aeroportin e vetëm funksional në Tripoli, përderisa luftimet mes forcave besnike të gjeneralit Khalifa Haftar dhe grupeve rivale janë dalur nga kontrolli. Ministrat e jashtëm të BE-së janë takuar në Bruksel për të bërë thirrje kundër dhunës në vendin afrikan.

Aeroporti Mitiga, i cili ndodhet në lindje të kryeqytetit libian, u mbyll pasi u godit nga sulmet ajrore që u kryen nga forcat e Haftarit. Udhëtarët janë parë duke u larguar nga terminalet. Luftime ka pasur edhe në aeroportin ndërkombëtar të Tripolit, i cili shtrihet 15 kilometra në jug të qendrës së qytetit. Ky aeroport ka qenë jashtë funksionit që nga luftimet e vitit 2014.

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se 2800 njerëz janë zhvendosur nga qyteti për shkak të shpërthimit të dhunës. Situata u rëndua pasi gjenerali Haftar dha urdhër të enjten e kaluar që luftëtarët e tij të hyjnë në Tripoli.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për operacione humanitare në Libi, Maria do Valle Ribeiro, tha se përleshjet e armatosura ua kanë bërë të pamundur shërbimeve të emergjencës që të kenë kontakte me civilët dhe ato e kanë dëmtuar rrjetin elektrik. Ajo ka paralajmëruar se dhuna po i vë në rrezik edhe imigrantët që po mbahen në kampet e ndalimit në Tripoli.

Ministri i jashtëm britanik, Jeremy Hunt, tha në Bruksel se ministrat e jashtëm të BE-së janë pajtuar njëzëri se në Libi nuk duhet të ketë ndërhyrje ushtarake dhe se duhet të mbështetet misioni paqësor i Kombeve të Bashkuara.

Shefja për punë të jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se BE-ja nuk ka publikuar formalisht deklaratë të përbashkët, por se shtetet anëtare janë bashkuar në thirrjen ndaj të gjithë liderëve libianë për t’u kthyer në tavolinën e bisedimeve, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)