Të zbardhet se si u zhvatën miliardat e “3-përqindëshit” dhe “Vendlindja Thërret”

  • 09 prill 2019 - 07:45
Të zbardhet se si u zhvatën miliardat e “3-përqindëshit” dhe “Vendlindja Thërret”

Me këta politikanë të inkriminuar në pushtet nuk zbardhen zhvatjet

"Gjatë viteve 1999-2000 na është premtuar që çdo ushtar i uniformuar, e që asokohe kemi qenë vetëm 13,974, dhe asnjë më shumë, sepse e di, ngase isha oficer i personelit, do t’i marrë prej 18 deri në 20 mijë marka gjermane. Dhe, e dini se sa kanë marrë ushtarët nga këto të premtuara... diku rreth 95 deri 97% i kanë marrë vetëm nga 100 marka gjermane", thotë ish- eprori Salih Salihu.

Ai tregon se si njerëzit e tij të njohur i kanë thënë se "në një rast është zënë nga policia e asaj kohe vëllai i Hashim Thaçit, Gani Thaçi, në fshatin Lluzhan të Podujevës duke shkuar për në Serbi me 1 milion marka me vete. Kur është pyetur se nga po shkon, u ka thënë se është nisur për në Serbi, ngase atje ka një lloj biznesi për të bërë. Në tentativë për arrestim, ai u ka treguar se është vëllai i Thaçit dhe është liruar, vetëm është kthyer mbrapa”, ka treguar Salihu për “Kosova Sot”

Image

Qytetarët e Kosovës do të ishin të gatshëm edhe të protestojnë për të kërkuar e për të mësuar të vërtetën rreth fatit të mjeteve, parave të tyre që kanë ndarë për fondet e Republikës së Kosovës në fillim dhe deri në fund të viteve 90-ta, pas përfundimit të luftës, e që janë Fondi i “3- përqindëshit” dhe Fondi “Vendlindja Thërret”, por deri më tash asnjë organizatë e shoqërisë civile apo parti politike, nuk e ka marrë nismën që t’i bëjë thirrje popullit për të protestuar dhe për të kërkuar të vërtetën se ku dhe si përfunduan paratë e popullit të mbledhura në këto fonde. Tanimë u bënë 20 vjet dhe nuk kanë asnjë informacion se ku shkuan paratë e tyre që i paguan në FONDIN 3% dhe atë VENDLINDA THËRRET.

Për më keq, qytetarët janë të zhgënjyer edhe në Prokurorinë e Shtetit të Kosovës, e cila, sipas tyre, vetëm po improvizon kinse me fillimin e hetimeve dhe ngritjen e një aktakuze të vetme për Fondin e 3%-shit, e cila u mbajt sekret nga Prokuroria dhe Gjykata për një vit të tërë dhe “aksidentalisht” doli në opinionin publik para disa ditësh. Sipas qytetarëve të anketuar nga gazetari, mbajtja sekret e kësaj aktakuze flet dhe dëshmon fuqishëm se sistemi i drejtësisë është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar si dhe nëntokës kriminale, ndryshe nuk ka se si, nuk është e mundur që Prokuroria, për të gjitha abuzimet qindra milionëshe nga Fondi 3% si dhe nga Fondi “Vendlindja Thërret”, vendos që të ngritë aktakuzë, edhe atë vetëm ndaj 3 personave (Bujar Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashit), ndërkaq nuk kanë vepruar asgjë për Fondin “Vendlindja Thërret” , për të cilin njëjtë si për Fondin 3% ka shumë dëshmi për abuzimet e bëra.

Dëshmitë janë të gjithanshme, sepse dëshmitarët po flasin, e në mesin e tyre ishte këto ditë edhe ish-aktivisti Muhamet Kelmendi, i cili ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit ta ndjekë penalisht edhe Hashim Thaçin për fondet e luftës. Kelmendi ka përmendur edhe 5 milionë dollarë, që sipas tij, i kishte marrë një familjar i presidentit në vitin 1999. Sidoqoftë, qytetarët janë skeptikë sa u përket pritjeve për veprimet e Prokurorisë dhe të gjykatave, pasi, sipas tyre, e gjithë drejtësia kosovare është e ndikuar, e kapur nga politika.

Paratë e popullit u plaçkitën

Kështu mendon dhe thotë për “Kosova Sot” qytetari Gani Berisha.“Këtu në këtë shtet nuk ka Prokurori të pavarur. Prokuroria në të gjitha nivelet, sikurse edhe gjykatat, është e varur 100% prej politikës. Ashtu qysh e dirigjon politika, ashtu edhe vepron. E bën vjedhjen dhe plaçkitjen e buxhetit të shtetit, e urdhërojnë Prokurorinë hiqe lëndën, harroje dhe mbuloje, e bën krimin tjetër po ashtu shkon urdhri, harroje e mos u merr me të. Prandaj, shkuan të gjitha këto vite dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi për korrupsion, edhe pse çdo ditë mediet shkruajnë e flasin për krimin e korrupsionin, por Prokuroria nuk merret me ta.

Të njëjtin fat e kanë edhe të dyja fondet e krijuar dhe grumbulluara në kohën e okupimit dhe pushtimit serb”,u shpreh ai. “Paratë janë dhënë nga populli, por askush nuk merret me mënyrën e plaçkitjes së tyre. Së pakut ato që janë dhënë përmes xhirollogarisë dihet dhe mund të ndiqen se si janë harxhuar dhe ku kanë shkuar, por ka pasur mjete të grumbulluara jashtë rrjetit bankar. Unë kam dy djem të punësuar në Angli dhe që të dy krejt të ardhurat e tyre i kanë dhuruar për të dyja fondet, edhe për “Vendlindja Thërret” edhe për Fondin 3%, por vetëm nëpërmes të xhirollogarisë. Ato para që janë dhënë asokohe janë miliona, janë miliarda dhe po të kishte një kryeprokuror që i thotë vetes hero do të merrej me hetimin dhe zbardhjen e mënyrës së abuzimit të tyre, por ne nuk kemi prokuror hero as gjykatës hero”, vlerësoi Berisha.

“Kanë bërë pasuri marramendëse me abuzimin e këtyre fondeve, kanë bërë biznes, shtëpi, banesa e shtëpiza brenda e jashtë vendit, por ja që askush nuk merret me to. Xhavit Haliti e tha në një rast se të gjithë janë pasuruar dhe se nga 2-3 milionë i kanë të gjithë dhe nuk janë asgjë, sipas tij. E, unë mendoj se ato janë para, por janë paratë e këtij populli. Ai e tha publikisht në Kuvend dhe nuk e tha fshehtas as prapa gardhi, dhe ja që askush nuk merret me këto deklarata”, theksoi Gani Berisha për “Kosova Sot”.

Na premtuan 20 mijë marka, na dhanë nga 100

Salih Salihu është njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të heroit të kombit Zahir Pajaziti, dhe bashkëpjesëmarrës në themelimin e celulës së parë të UÇK-së në Kosovë, në qytetin e Podujevës, më 2 mars të vitit 1991, në një grup të përbashkët me Hakif Zejnullahun, Ilir Konushevcin, Agron Rrahmanin,Ergin Shalën, Halil Alidemajn, Mehë Ukën dhe Ferki Aliun, ku, sipas tij, pas aksioneve të para të zhvilluara në vend, Zahiri me 49 vetë kanë shkuar në Shqipëri për ushtrimet ushtarake, kurse grupi i Adem Jasharit është nisur për në Shqipëri në ushtrime ushtarake për disa muaj më vonë, dhe kështu dalëngadalë është zhvilluar dhe masivizuar UÇK-ja me celula të reja, deri në ndërtimin e strukturave të larta dhe ndërtimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për të vepruar me aksione shumë serioze në vitet 1998-1999.

Sipas Salih Salihut, epror i personelit në ish- Brigadën 151 dhe 153, që i përkiste Zonës së Pestë të Mbrojtjes, pas vendosjes së ushtarëve nëpër kazerma, u është premtuar se të gjitha paratë e mbetura nga fondet e luftës do t’u paguhen ushtarëve në mënyrë që ata të mos mashtrohen dhe të zhyten në veprime të këqija, në plaçkitje dhe në uzurpime të formave të ndryshme kriminale, mirëpo nuk është përmbushur ai premtim dhe tani, sipas tij, po vërtetohet se qëllimi ka qenë edhe gjatë luftës, që të ruhen paratë e të dyja fondeve, që eprorët dhe menaxherët e këtyre fondeve t’i keqpërdorin ato dhe të bëjnë biznes pas luftës.

“Na është premtuar se pas luftës, pasi ka ngelur një shumë e madhe e parave, e lekëve, që sipas të gjitha gjasave kanë tepruar pasi dikush i kishte menduar këto gjëra edhe gjatë luftës, që lekun ta ruajë dhe pas luftës të pasurohet duke e shpërdoruar lekun. Pra, gjatë viteve 1999-2000 na është premtuar që çdo ushtar i uniformuar, e që asokohe kemi qenë vetëm 13,974, dhe asnjë më shumë, sepse e di, ngase isha oficer i personelit, do t’i marrë prej 18 deri në 20 mijë marka gjermane. Dhe, e dini se sa kanë marrë ushtarët nga këto të premtuara... diku rreth 95 deri 97% i kanë marrë vetëm nga 100 marka gjermane”, u shpreh ai.

“ Aq kam marrë edhe unë si oficer dhe aq ka marrë edhe gruaja ime, sepse së bashku me gruan kemi qenë edhe në burg, edhe në luftë, edhe gjithkund. Pra, në pyetje është fati i fondeve që grumbulloheshin jashtë vendit, mjetet që grumbulloheshin në “Dardania Bank”, Fondi “Vendlindja Thërret” dhe Fondi 3%. Në këto fonde, përveçqë kanë dhënë mjete shqiptarët, kanë dhënë edhe të huajt, gjermanët, anglezët dhe francezët etj., të gjithë popujt liridashës që u solidarizuan me luftën tonë. Pra, në këto fonde janë grumbulluar shumë mjete, miliarda dhe nuk kanë qenë në pyetje disa miliona. Prej atyre 20 mijë markave të premtuara nga këta hajdutë dhe zhvatës, nga plaçkitësit dhe nga vjedhësit na janë dhënë vetëm nga 100 marka gjermane, kurse pjesën tjetër të atyre mjeteve, miliardat, i kanë marrë këta, dhe prandaj ne sot po i shohim se deri ku kanë arritur të pasurohen këta. Këta tani as vetë nuk ia dinë skajin mallit dhe pasurisë, krejt duke e shfrytëzuar atë kontribut të popullit, gjakun dhe mundin e dëshmorëve të lirisë dhe djersën e popullit.

Tani këtë rast se si e ka hapur Prokuroria e Shtetit nuk mjafton, sepse këtu jo që duhet të hetohet vetëm Fondi 3%, por duhet të hetohen dhe të ndëshkohen bartësit e të tria fondeve”, vlerësoi më tutje ai. “Fondin 3% e ka zhvatur grupi i Bujar Bukoshit dhe Isa Mustafës me këta të tjerët, mirëpo Fondin ‘Vendlindja Thërret’ e ka zhvatur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Drejtoria Politike dhe të gjithë komandantët e zonave dhe komandantët e brigadave, komandantët e batalioneve e deri te njësitë. Fatkeqësia më e madhe është që nuk kemi një gjyq ushtarak, sepse ata është dashur të përgjigjen para gjyqit ushtarak”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”.

Prokuroria të zgjerojë hetimet

Sipas qytetarit Halil Bajraktari nga Suhareka, një prokurori e pavarur do të duhej thelluar hetimet edhe për njërin, edhe për fondin tjetër dhe të mos ndalet vetëm tek tre individë, për të cilët është raportuar tani se është ngritur aktakuza kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashit, por përgjegjësia për Fondin 3%, sikurse për atë ‘Vendlindja Thërret’, të shtrihet në çdo njësi organizative të menaxhimit, te të gjithë individët përgjegjës.”

Prokuroria do të duhej të vepronte dhe të nxjerrë në shesh të vërtetën, sepse ato para askush nuk i ka gjetur në baltë për të mos kërkuar të vërtetën e tyre, sepse i kemi ndarë nga kafshata e gojës në ditët më të vështira. Pavarësisht se kush i ka shfrytëzuar ato para, që janë djersa e këtij populli, nëse është Hashim Thaçi apo ai tjetri, por që bëhet fjalë për udhëheqësit e këtij shteti, Prokuroria dhe gjykatat duhet ta nxjerrin të vërtetën dhe ato para duhet t’i kthehen popullit, pa marrë parasysh sa veta janë.

Duhet të veprojë shteti i së drejtës, të gjendet vendi se ku janë harxhuar ato para dhe t’i kthehen popullit duke u bërë pjesë e buxhetit të Qeverisë, në mënyrë që Qeveria t’i investojë ato para në të mirë të zhvillimit të këtij vendi, sepse ashtu ka qenë qëllimi edhe kur janë dhuruar ato mjete, fillimisht për ta ndihmuar luftën e pastaj për ta zhvilluar vendin pas çlirimit nga okupatori serb. Ato para që atëherë janë dhënë për shtetin dhe jo për njerëz të caktuar që t’i shfrytëzojnë për interesat e tyre në mënyrë individuale”, theksoi Bajraktari për “Kosova Sot”.

E turpshme, keqmenaxhimi i mjeteve

Qytetari Selver Lenjani thotë se personalisht ka qenë inkasant i Fondit 3% në komunën e Kamenicës dhe është e turpshme tani për ata që menaxhuan këtë fond dhe fondin tjetër, dhe nuk japin llogari para qytetarit, sikur është e turpshme për drejtësinë që nuk po vepron, por po improvizon duke u marrë vetëm me tre persona. “Dihet që në këto fonde u grumbulluan milionat dhe nuk po dihet se si shkuan, kurse Prokuroria si duket nuk e ka atë telashe që t’i trajtojë ato abuzime.

Populli në Kosovë ndante edhe kafshatën e gojës për të kontribuar në këtë Fond të 3% vetëm që të siguronte funksionimin e shkollave dhe institucioneve të tjera paralele të shtetit të Kosovës në atë kohë kur Serbia i rrënoi të gjitha institucionet e ish- Krahinës së Kosovës. Nga Fondi 3%, Qeveria ‘Bukoshi’ u ka mbetur 16 rroga borxh nëpunësve, arsimtarëve të atij sistemi arsimor.

Keqpërdormi ka ndodhur në maksimum dhe ne nuk e dimë se si është bërë kjo vjedhje e këtyre fondeve, pasi kanë funksionuar jashtë Kosovës. Njësoj ka ndodhur edhe me Fondin ‘Vendlindja Thërret’, edhe njëri edhe tjetri u keqpërdorën dhe u shfrytëzuan në maksimum nga njerëz të caktuar për t’u pasuruar, për të bërë biznes dhe pasuri personale, jo për ta zhvilluar shtetin”, theksoi Lenjani për “Kosova Sot”.

Politikanët, pengesë për drejtësinë

Edhe qytetari tjetër Qemal Kamberi tha për “Kosova Sot” se nuk ka besim që Prokuroria do të çojë deri në fund hetimin e këtyre fondeve. “Nuk ka asnjë shans që kjo Prokurori të merret seriozisht dhe ta zbardhë fatin e atyre fondeve, keqpërdorimin e tyre, vetëm nëse shkojnë ndonjëherë këta politikanë nga këto pozita dhe pastrohet kjo Prokurori, ndoshta do të përmirësohet diçka, por njëherë përnjëherë nuk po shihet asgjë, asnjë përpjekje për bërjen serioze të shtetit. Këta që i kanë uzurpuar këto institucione nuk mendojnë as për shtet, as për ndonjë gjë tjetër, thjesht mendojnë vetëm për veten e tyre.

Po them kështu, sepse në Kosovë ne akoma nuk kemi drejtësi, ashtu sikur që nuk ka as arsim të mirëfilltë dhe nuk ka shëndetësi. Këtu kemi njëfarë lloj shteti që edhe nuk është shtet, por është vetëm një sallamadi dhe kush mundet që ka pozitë mund të vjedhë e të plaçkitë çka të dojë dhe askush nuk merret me të. Këtë fat e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë edhe ato mjete që ne si qytetarë i kemi dhënë për fondet e shtetit në kohën e okupimit serb, edhe në Fondin 3%, edhe në atë ‘Vendlindja Thërret’.

Ato fonde i kemi krijuar dhe kemi kontribuar në emër të shtetit, kurse të njëjtat kanë arritur dhe i kanë marrë, i kanë plaçkitur hajnat, sepse këta krejt janë hajna dhe nuk ke çfarë kërkon prej tyre, sepse ata vetë janë bërë milionerë dhe kontrollojnë gjithçka në këtë vend”, tha qytetari Qemal Kamberi.

(Kosova Sot)