Nënshtrimi ndaj mafio-politikës ia zgjat agoninë drejtësisë

  • 09 April 2019 - 07:54
Nënshtrimi ndaj mafio-politikës ia zgjat agoninë drejtësisë

Gjini: Reformën më së miri do ta rregullonte procesi i “Vetting-ut”, si mekanizëm filtrues

“Ky mosveprim i drejtësisë kosovare sikur po e zgjat agoninë e kësaj drejtësie ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, e që patjetër se kjo luftë s’ka alternativë dhe njerëzit e krimit e korrupsionit, të niveleve të larta, duhet të goditen nga drejtësia dhe ligji”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Drejtësia kosovare duket krejtësisht e nënshtruar, ndërsa zyrtarët përgjegjës hezitojnë që të japin llogari për dështimin e tyre. KPK-ja e KGJK-ja edhe përkundër pyetjeve të dërguara, heshtin, ndërsa analistët drejtojnë gishtin e akuzës pikërisht ndaj kupolës së sistemit bashkë me politikën që e ka kapur atë. Diplomatët perëndimorë në Prishtinë shprehen se deri tani nuk ka pasur kurrfarë rezultatesh në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Por, njohësit e fushës së drejtësisë alarmojnë se, edhe pse është ky realitet, nuk kemi ndonjë gjyqtar apo prokuror të penalizuar për shkak të moskryerjes së detyrave apo për shkak të dhënies së ndonjë vendimi në kundërshtim me ligjin, për shkak të mbylljes së lëndëve me porosi nga politika e inkriminuar.

Institucionet janë shumë të papërgjegjshme në adresimin e përgjegjësisë për dështimet e proceseve dhe abuzimin me ligjin të zyrtarëve të thirrur për ta zbatuar ligjin. Sipas analistëve, kjo tregon se nëntoka dhe mafia politike po e bëjnë në fakt ligjin në gjykata dhe prokurori.

Image
Naim Kelmendi

Të gjitha partitë fajtore për inkriminimin e shtetit

Analisti Naim Kelmendi thotë për “Kosova Sot” se faktikisht deri më sot askush nuk e mori përgjegjësinë për dështimin mbase edhe të qëllimshëm të sistemit të drejtësisë për gjithë këto vite të (mos)funksionimit të pasluftës.“Të gjitha partitë e gjertanishme në pushtet, pa dallim nga njëra-tjetra, e kanë keqdrejtuar dikasterin e stërkequr të drejtësisë. Vetëm një proces i Vetting-ut do ta trondiste në themel sistemin e drejtësisë dhe kjo është e pashmangshme.

Shumica e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të mund të arsyetonin pasuritë e tyre milionëshe që i kanë krijuar përmes procesit të korruptimit permanent e të pandashëm ndër shumë vite”, u shpreh ai. “Njëherësh kështu shpresa e qytetarëve do të mund të kthehej tek drejtësia e re, vetëm kur të pastrohet gjyqësori e prokuroria dhe institucionet tjera të shtetit, pa dallim...

Sikur të vepronte ligji përmes institucioneve të drejtësisë, në këtë rast Prokuroria Speciale dhe gjyqësia kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, deri më sot në Kosovën e pasluftës nuk do të ishim në ketë stad ku jemi, me degradimin e drejtësisë dhe pafuqishmërinë e saj për t’i luftuar këto fenomene të së keqes që po e sundojnë shoqërinë tonë që nga paslufta e këndej, sikur janë kartelat e trafiqeve të tenderëve, droga, korrupsioni, krimi etj., kështu që në mungesë të një sistemi të mirëfilltë e profesional të drejtësisë, njerëzit e nëntokës kriminale në të gjitha format e krimit të organizuar po vazhdojnë ta sundojnë Kosovën kaq gjatë”, vijoi më tej Kelmendi.

“Kjo gjendje degraduese kërkon që të iniciohet sa më shpejt në Kuvend Ligji për VETTING-un në drejtësinë kosovare dhe jo vetëm... Ndërkohë duhet të nisë reformimi i sistemit të drejtësisë me diferencimin e vetëpastrimin e KGJK-së dhe të KPK-së, që janë dy miniqeveri e drejtësisë... Një KGJK e pavarur dhe e pandikuar nga politika, me figura gjyqtarësh të paanshëm, të papërfolur për korrupsion e krim të organizuar, me etikë e integritet profesional, do të mbronte dhe kontrollonte gjyqtarët njëkohësisht në punën e tyre se sa po e zbatojnë ligjin dhe çfarë përformance kanë në punën e tyre”, ka theksuar ai.

Sipas Kelmendit, numri i procedimeve disiplinore me ketë KGJK aktuale e të degraduar fare, të korruptuar e të lidhur me krimin, është tejet i ulët ose ndoshta edhe zero, pothuajse i papërfillshëm, nuk ka vlerësim real për punën e gjyqtarëve tani për tani të "paprekur" nga ligji dhe nga askush.

Kelmendi: Prokuroria Speciale dështoi për t’i sjellë para drejtësisë mafiozët e mafio-oligarkisë

“Mbase sikur po tregohet e pafuqishme edhe Prokuroria Speciale për t’i sjellë para drejtësisë mafiozët e mafio-oligarkisë si dhe ata të mafio-politikës, e që fatkeqësisht po e sundojnë Kosovën, por që janë bërë shqetësim serioz jo vetëm për shoqërinë tonë, por thuaja se ka marrë peshën e vet edhe si shqetësim për bashkësinë ndërkombëtare, e që po kërkon vazhdimisht që të ketë luftë më efikase nga drejtësia kosovare dhe të burgosen bosët e krimit në Kosovë, por sikur po duket drejtësia kosovare ende i ka veshët e shurdhër në ketë drejtim dhe nuk po vepron ende”, theksoi Naim Kelmendi për “Kosova Sot” .

Image
Genti Gjini

Institucionet e kalbura

Avokati Genti Gjini vlerëson se është për t’u habitur shumë se institucionet tona me plot gojën në njërën anë theksojnë për luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke qenë po ashtu edhe top-prioriteti i agjendave qeveritare dhe të mekanizmave të drejtësisë, ndërsa në anën tjetër kemi realitetin e punësimeve në bazë të korrupsionit, rritjes së krimit të organizuar, nepotizmit, familjarizmit të punësimeve, duke mos i përjashtuar këto punësime edhe përbrenda vetë gjykatave dhe prokurorive nga këta demagogë të njëjtë.

“Institucionet e drejtësisë që kanë mandat ekskluziv, për të shqyrtuar rastet e korrupsionit, krimit te organizuar, përkatësisht për të identifikuar edhe si problematikë dhe për të dalë me një rezultat empirik pozitiv se sa është luftuar kjo përkatësisht sa janë bërë ato përpjekje me këto problematikat, vlerësimet e tilla janë lënë nën mëshirë të fatit, kur edhe vetë ambasadori britanik, O Conell, i ka shtruar si problematike dhe sfidë për institucionet e drejtësisë, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi ai për “Kosova Sot”.

“Gjithmonë në front të parë të luftimit me këto dukuri negative institucionet e drejtësisë, duke mos përjashtuar edhe mekanizmin e Këshillit Gjyqësor, janë ato të cilat mbikëqyrin dhe mbajnë përgjegjësi për të jetësuar parimin e sundimit të ligjit në shoqëri”, potencoi Gjini. Sipas tij, Këshilli Gjyqësor si mekanizëm që bën rekrutimin dhe përcjell punën e gjyqtarëve do të duhej ta kryente misionin e tij.

Gjini: Nevojitet reformë rrënjësore

“Reagimet e ambasadorit britanik për institucionet e drejtësisë, përkatësisht për mekanizmat institucionalë të tyre, reagimet e tilla është dashur të trajtoheshin në mënyrë më serioze, dhe të kujdesshme, sepse vlerësime të tilla janë realitet për ne dhe thirrje për reformë rrënjësore, për të pasur një sistem të drejtësisë së mirëfilltë.

Pa dyshim se kemi nevojë për reforma të thella dhe shumë përmbajtjesore në vetë sistemin e drejtësisë, këtë më së miri do ta rregullonte procesi i “Vetting-ut”, si mekanizëm filtrues, që do të shqyrtonte dhe do të vlerësonte si punën e tyre profesionale me lëndët, se si ata gjyqtarë ato lëndë i kanë zgjidhur, po ashtu duke vlerësuar edhe politikat ndëshkimore të tyre, se ato apo përputhen me përmbajtjen e fakteve dhe shkresave të lëndës, e po ashtu edhe verifikimit të pasurive të tyre, se si dhe në ç’mënyrë ato janë të mbuluara”, u shpreh Genti Gjini për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)