Mbyllja e kazinove, milionat e tatimeve mbesin të pashlyera

  • 09 April 2019 - 08:11
Mbyllja e kazinove, milionat e tatimeve mbesin të pashlyera

Krasniqi: Mbyllja e bastoreve dhe kazinove në Kosovë ka një prapavijë

“Këta njerëz tash e sa kohë kanë qenë mbi ligjin dhe pushtetarët përmes këtyre lojërave të fatit, të cilët kanë qenë të lidhur, në një mënyrë apo tjetër, kanë luajtur me fatin e qytetarëve. Nuk besoj që borxhet e akumuluara ndër vite do të jenë në gjendje t'i kthehen shtetit të Kosovës, dhe ndoshta arsyeja e vetme përse lojërat e fatit u mbyllën është pikërisht akumulimi dhe borxhet e larta”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Driton Gashi

Është miratuar Ligji për mbylljen e lojërave të fatit në Kosovë. Por, pas mbylljes së tyre, a duhet të fillojnë hetimet se kush qëndron prapa tyre në Kosovë? Këtë pyetje e ngritin analistët dhe ekspertët e ekonomisë, të cilët thonë se as borxhet shteti nuk do të mund më t’i grumbullojë. Ata hedhin dyshime se prapa shumë kazinove në Kosovë qëndrojnë politikanët dhe të cilët me miratimin e Ligjit për mbylljen e tyre do të amnistohen ata si borxhlinj të shtetit.

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Si u lejuan të veprojnë pa licencë?

Analisti Reshat Badallaj ka theksuar për “Kosova Sot” se prapa këtyre lojërave të vdekjes, siç i ka quajtur ai, qëndrojnë mafio-oligarkët dhe banditët e pushtetit. “Prapa shpinës së këtyre lojërave të fatit qëndrojnë këta kryehajna, sepse do të shtrohet pyetja ku morën leje, ose thonë se shumë nuk kanë pasur licencë dhe domosdoshmërisht shtrohet pyetja e thjeshtë dhe shumë logjikë:atëherë si u lejuan këta të punojnë”, është shprehur Badallaj.

“Vetëm një gjë mendoni, po të mos kishin ndodhur këto vrasje, këto plaçkitje, kurrë nuk do të mbylleshin,por patën presion nga populli dhe kinse i mbyllën dhe tjetra kush e beson se pronarët e këtyre lojërave është ndonjë qytetar, a e dini se sa para duhet derdhur në këto lojëra të pista?

Pra, BOSËT janë kryemafiozët e bandave të majave të shtetit dhe këta e kanë vjedhur popullin deri në palcë”, ka theksuar ai.

Image
Driton Gashi

Politikanët prapa bizneseve të pista

Analisti Driton Gashi u shpreh për “Kosova Sot” se është e domosdoshme që hetimet të fillojnë menjëherë dhe patjetër dikush duhet të japë llogari para ligjit. Patjetër duhet dikush të ndëshkohet dhe emrat e tyre të njihen dhe të publikohen. Këta njerëz tash e sa kohë kanë qenë mbi ligjin dhe pushtetarët përmes këtyre lojërave të fatit, të cilët kanë qenë të lidhur, në një mënyrë apo tjetër, kanë luajtur me fatin e qytetarëve.

Nuk besoj që borxhet e akumuluara ndër vite do të jenë në gjendje t'i kthehen shtetit të Kosovës, dhe ndoshta arsyeja e vetme përse lojërat e fatit u mbyllën, është pikërisht akumulimi dhe borxhet e larta, sepse kam përshtypjen se pas një kohe të shkurtër lojërat e fatit do të kthehen përsëri. Prandaj, e gjithë kjo është në dorën e politikanëve të korruptuar dhe që ata gjithmonë kanë qëndruar prapa këtyre lojërave të pista”, është shprehur Gashi.

Sipas analistit Dardan Grapci, pas mbylljes së këtyre lokaleve të lojërave të fatit duhet menjëherë të fillohet me hetime se kush qëndron mbrapa këtyre dhe çfarë kanë përfituar nga këto lojëra ilegale. “Lokalet e shumta, të cilat i kanë borxhe shtetit të Kosovës, duhet që pas mbylljes t’ia paguajnë shtetit borxhin deri në një afat prej 90 ditësh, ndryshe të kërkohet llogari nga pronarët e këtyre lokaleve, si dhe të kërkohet pasqyra e fitimit mujor.

Pronarët e kazinove nuk kanë shpëtuar me miratimin e ligjit për mbylljen e tyre, përkundrazi nëse nuk i paguajnë detyrimet që i kanë ndaj shtetit, do të kenë pasoja ligjore në të ardhmen nga shteti”, është shprehur Grapci për “Kosova Sot”.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Drejtësia ka shumë punë në këtë vend

“Mbyllja e bastoreve dhe kazinove në Kosovë ka një prapavijë. Pa pasur një prapavije nuk do të ishin mbyllur aq kollaj. Në asnjë shtet normal nuk mund t'i ikësh borxhit që ia ke shtetit. Por tek ne ndodhin edhe këto gjëra. Kjo mund të jetë edhe arsyeja e mbylljes së tyre.

Këta do t'i arsyetojnë që mbyllja e bizneseve të tyre, e pamundëson shlyerjen e borxhit ndaj ATK-së. Nëse një ditë Kosova bëhet shtet normal, drejtësia ka shumë punë në këtë vend”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

 

(Kosova Sot)