Rrëfehen ushtarët serbë: Ja tmerrin dhe humbjet që përjetuam në Koshare

  • 09 April 2019 - 10:50
Rrëfehen ushtarët serbë: Ja tmerrin dhe humbjet që përjetuam në Koshare

Sot bëhen 20 vjet nga Beteja e Koshares, kur forcat shqiptare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, arritën të thyejnë kufirin Kosovë-Shqipëri.

Beteja e Koshares, e zhvilluar më 9 prill 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë ditë, vite më parë janë rrëfyer edhe disa ushtarë serbë, të cilën kanë treguar për tmerrin dhe humbjet që kanë përjetuar në luftimet me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një tribunë të organizuar në Beograd me temën “Beteja e Koshares”, ushtarakët serbë kanë treguar se beteja për Kosharen ka zgjatur 67 ditë dhe se një betejë e tillë nuk mbahet mend.

Koloneli Ljubinko Gjuroviq, komandant i njësitit për mbrojtjen e Koshares, duke kujtuar atë kohë thotë se në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri atëherë kishin 1, 357 luftëtarë, por thotë se ishte e pamundur të mbrohet Kosharja, kur përballë kishin 6000 luftëtarët të UÇK-së në vijën e parë dhe 2000 në vijën e dytë dhe 34 tanke.

“Kushtet atmosferike dhe gjeografike ishin të tmerrshme po aq sa armiku”, kishte thënë ai.

Ndërsa, kapiteni Dushan Jokiq, komandant i togut për mbrojtjen e Koshares, thotë se deri në vitin 1999 kodrat e Dinarës dhe Velebitit janë përvoja e tij me e hidhur.

“Kam luftuar në Velebit, kam menduar se në malet Dinarike është më së vështiri, por ai që ua ka lënë emrin Bjeshkëve të Nemuna, ka pasur të drejtë… Atje ku ishte togu im, bora ishte deri në brez. Kur në atë lartësi binte mjegulla, atëherë të bëhej sikur je në një planet tjetër. Jam mërdhirë i tëri. Kisha 10 predha në kokë. Ferri i Koshares kurrë mos u përsëritët”, ishte shprehur ai.

Vojislav Vukashinoviq ishte luftëtari më i ri serb, i cili në moshën 19-vjeçare kishte shkuar të shërbejë në ushtrinë e atëhershme jugosllave.

“Për betejën e Koshares nuk mund të flitet pa emocione…”, kishte thënë Vukashinoviq, teksa fliste për vrasjen e kapitenit Koshanin, Tibor Cerne.

Ai kishte thënë se gjatë luftimeve ishte plagosur dhe në atë betejë e ka lënë gjysmën e kokës.

“Fatkeqësisht shokët e mi i kam lënë më 17 maj. Këtë kurrë nuk do t’ia falë vetes. Askush atëherë nuk mendonte se çfarë force na sulmonte, por çfarë shenjtërie po mbronim… Kishim ushqim dhe ujë, por as nuk kemi ngrënë as nuk kemi pirë, sepse nuk kishim kohë për këtë. Të gjithë 108 luftëtarët tanë kanë vdekur heroikisht. Gjithashtu 256 janë plagosur heroikisht, por edhe ata që shpëtuan ishin me fat heronjsh”, kishte deklaruar Vukashinoviq.

(Kosova Sot)