Si u godit grupi kriminal i drogës, po planifikonin vrasje. Kush është ‘koka’ e bandës

  • 09 April 2019 - 14:36
Si u godit grupi kriminal i drogës, po planifikonin vrasje. Kush është ‘koka’ e bandës

Një grup kriminal në fushën e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Gjermanisë është goditur dje gjatë një operacioni të Policisë së Tiranës, që ka nisur prej mesnatës së të dielës.

Forcat e Antidrogës, por edhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës, kanë arritur të arrestojnë 4 persona, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal, njëri i konsideruar si drejtuesi. Të arrestuarit janë Leonard Duka, 33 vjeç, i cili dyshohet të jetë drejtuesi i grupit, ndërsa bashkë me të u arrestuan Elvis Gaçaj, 44 vjeç, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë, si dhe dy 38-vjeçarët Oltion Loga e Dritan Agaj.

Mësohet se këta persona po mbaheshin nën vëzhgim prej kohësh nga oficerët e Antidrogës, por Policia është detyruar të ndërhyjë para përfundimit të hetimeve, pas një informacioni që kanë marrë nga qytetarët. Sipas burimeve nga grupi hetimor, përshpejtimi i këtij operacioni është bërë me qëllim parandalimin e një vrasjeje të mundshme, që dyshohet se po planifikohej nga anëtarët e grupit.

Gjatë aksionit janë sekuestruar armë, municion, drogë dhe një makinë e blinduar. Megjithatë, burimet thanë se asgjë nuk ka përfunduar me kaq, pasi veprimtaria e të arrestuarve, por edhe e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, vazhdon të jetë sërish objekt i hetimeve që po zhvillohen.

OPERACIONI

Forcat Operacionale, ato të Antidrogës dhe të Krimeve Kundër Jetës kishin nisur një operacion prej orëve të vona të së dielës, me qëllim goditjen e grupit kriminal. Përveç dyshimeve se ky grup merrej me shpërndarje narkotikësh, por edhe trafikim drejt Gjermanisë, Policia kishte të dhëna se veprimtaria e tyre shtrihej edhe në drejtim të krimeve të rënda. Konkretisht, qytetarët, duke bashkëpunuar me Policinë, kanë sinjalizuar për një tentativë vrasjeje të mundshme.

Ndërsa personat që dyshohej se po përgatiteshin për kryerjen e një atentati rezultuan të ishin pikërisht ata që po hetoheshin nga Antidroga prej disa javësh. Kjo ishte arsyeja që Policisë iu desh të ndërhynte më shpejt nga çfarë ishte planifikuar, me qëllim që të parandalohej një krim i rëndë. E megjithëse operacioni ende nuk kishte përfunduar, në orët e pasdites së djeshme, në media nisën të dalin të dhëna rreth këtyre arrestimeve, gjë që sipas Policisë mund të ketë dëmtuar aksionin, pasi rezultatet mund të kishin qenë edhe më të rëndësishme se ato që u arritën.

Ndërhyrja e Forcave Operacionale u krye në disa banesa të marra me qira nga anëtarët e grupit, në afërsi të gjimnazit “Partizani” në Tiranë. Sapo kanë konstatuar forcat e Policisë, autorët e dyshuar kanë tentuar të fshehin sendet e kundërligjshme që mbanin në shtëpi. Gjatë kontrollit të kryer, në çatinë e një shtëpie është gjetur pistoleta që ata kishin hedhur nga ballkoni, bashkë me një sasi fishekësh. Ndërsa brenda ambienteve të shtëpisë është gjetur një sasi lënde narkotike e llojit kanabis sativa dhe disa fishekë të tjerë. Policia ka sekuestruar edhe një automjet të blinduar, tip “BMW Seria 7”, me targa ruse, që rezultoi të ishte në pronësi të 44-vjeçarit Elvis Gaçaj.

POLICIA

Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se bashkëpunimi me qytetarët për të luftuar krimin solli arrestimin e 4 shtetasve, të dyshuar për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. Ndërsa u bë e mundur sekuestrimi i një mjeti të blinduar, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi e dyshuar lënde narkotike.

“Seksioni i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në Policinë e Tiranës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për disa persona që dispononin armë e drogë, arrestoi në flagrancë shtetasit: L. D., 33 vjeç, banues në Tiranë; D. A., 38 vjeç, banues në Tiranë; O. L., 38 vjeç, banues në Tiranë; E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë”, tha zyrtarisht Policia. Ndërsa shtoi se është ushtruar kontroll në banesën me qira ku këta shtetas jetonin, pasi dispononte nga qytetarët informacion se këta shtetas mbanin në banesë sende të kundërligjshme.

“Gjatë kontrollit të ushtruar, këta shtetas janë munduar të largojnë sendet e kundërligjshme, duke hedhur një pjesë të tyre nga ballkoni i banesës. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: një mjet të blinduar; një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë; 46 fishekë luftarakë, si dhe doza me lëndë narkotike kanabis. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tyre, si dhe të përfshirjes së personave të tjerë”, tha zyrtarisht Policia.

TE ARRESTUAR

1. Leonard Duka, 33 vjeç, banues të Tiranë
2. Elvis Gaçaj, 44 vjeç, banues në Tiranë
3. Oltion Loga, 38 vjeç, banues në Tiranë
4. Dritan Agaj, 38 vjeç, banues në Tiranë


U SEKUESTRUAN

Një automjet i blinduar, tip “BMW Seria 7”, me targa ruse
Një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë 46 fishekë luftarakë
Disa doza me lëndë narkotike kanabis sativa
VEPRAT PENALE
“Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”
“Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve e
municionit luftarak, e kryer në bashkëpunim”

(Kosova Sot)