E zbulon profesori ndërkombëtar: Ja si e zbuluan amerikanët rrenën e Hashim Thaçit

  • 09 April 2019 - 14:47
E zbulon profesori ndërkombëtar: Ja si e zbuluan amerikanët rrenën e Hashim Thaçit

Gjermania dhe SHBA-ja tani kanë dalë me qëndrim të njëjtë, duke kundërshtuar hapur ndryshimin e kufijve, ide kjo e Hashim Thaçit dhe Baton Haxhiut. Por a po dështon më në fund plani për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës?

Lidhur me këtë, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Kosova Sot”, ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se Gjermania dhe Britania e Madhe prej fillimit kanë qenë kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës e në Ballkan.

“Çdo ndërhyrje te kufijtë hap Kutinë e Pandorës, krijon mundësi të padiskutueshme për prezencën ruse në rajon, çon në krijimin e Serbisë së Madhe. Vetëm presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë nuk duan ta pranojnë këtë. Serbia e Rusia u kujdesën që në SHBA të krijohet një balancë tjetër sa i përket kësaj çështjeje. U përdoren resurset proserbe në administratën amerikane që të krijohet ideja se SHBA-ja e përkrah një marrëveshje të tillë midis Prishtinës dhe Beogradit. Por, fatmirësisht Hashim Thaçi u investua me budallaki në administratën e zotit Trump. Shkoi atje disa herë dhe u tha se ideja e tij ka përkrahjen e të gjithë faktorit politik dhe qytetarëve të Kosovës e shteteve të rajonit”, ka thënë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, amerikanët e kanë zbuluar gënjeshtrën e Hashim Thaçit.

“I rrejti, siç rren përditë shqiptarët në Kosovë. Po rrenën e kanë inat edhe ata që konsiderohen si anëtarë të lobit të Serbisë. Jon Bolton ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës, por ka aq integritet sa të mos pranojë të mashtrohet nga monstra të tilla, si Hashim Thaçi. Dy të dërguarit e tij në Prishtinë e zbuluan rrenën e Thaçit, zbuluan faktin se ndarja e Kosovës nuk është vullnet i Kosovës, por është vullnet i presidentit të Kosovës. Ata e dinë se Kosova nuk është Hashim Thaçi. Kosova është e qytetarëve të saj, është e institucioneve të saj, është e brezave që kanë shkuar e atyre që do të vijnë. Hashimi e sheh dhe e trajton Kosovën si çiflig të vetin gjithnjë me mendësi otomane. Ata panë gjithashtu se askush në rajon, asnjë shtet tjetër veç Serbisë dhe Republikës Srpska, nuk pajtohet me ndryshimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë. Në këto kushte zoti Thaçi mbeti i izoluar dhe amerikanët u tërhoqën nga qëndrimi i kujdesshëm që patën treguar para kësaj vizite.

Gjykata kushtetuese refuzoi kërkesën për puç kushtetues të presidentit në lidhje me ratifikimin e marrëveshjeve. Ambasadori amerikan nuk foli më për taksën kundër Serbisë. Ramush Haradinajt iu zhbllokua viza për vizitë në SHBA. Kështu që mori fund përkrahja amerikane për rrenacakun Hashim Thaçi”, ka thënë ndër tjerash, profesor Bytyçi në intervistën ekskluzive për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)