Partia e Erdoganit kërkon rivotim në Stamboll

  • 09 April 2019 - 14:55
Partia e Erdoganit kërkon rivotim në Stamboll

Partia e presidentit turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se do të kërkojë rivotim në Stamboll, duke e arsyetuar këtë kërkesë me praninë e parregullsive gjatë procesit të votimit.

Ali Ihsan Yavuz, zëvendëskryetar i partisë Drejtësi dhe Zhvillim, e cila udhëhiqet nga presidenti turk, e dha njoftimin për këtë kërkesë të martën pasi Bordi Suprem i Zgjedhjeve ua refuzoi kërkesën për rinumërim të të gjitha votave të zgjedhjeve të 31 marsit.

Yavuz këmbënguli se ka pasur ngjarje dhe situata të rëndësishme, të cilat kanë ndikuar në rezultatin e votimit dhe tha se partia e tij do ta shfrytëzojë të drejtën për ankesë të jashtëzakonshme.

Partia AKP ka pësuar humbje të mëdha në zgjedhjet lokale. Kandidatët e partive opozitare kanë fituar në kryeqytetin e Turqisë, Ankara dhe në qytetin më të madh të këtij shteti, në Stamboll. Pikërisht në Stamboll Erdogani kishte shërbyer si kryetar dhe e njëjta parti kishte qeverisur në këtë qytet për 25 vjet.

Partia e presidentit fillimisht kishte kërkuar rinumërim të votave, duke thënë se këto zgjedhje janë përcjellur me parregullsi dhe krim të organizuar. Sidoqoftë, opozita i ka vlerësuar këto akuza si përpjekje e partisë në pushtet për ta siguruar rivotimin dhe i ka bërë thirrje Erdoganit që ta pranojë humbjen.

Pritet që rezultati i zgjedhjeve lokale të certifikohet nga Bordi Suprem i Zgjedhjeve në fund të kësaj jave, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)