Familjarët e të rënëve në Koshare: Na kanë harruar institucionet

  • 09 prill 2019 - 15:10
Familjarët e të rënëve në Koshare: Na kanë harruar institucionet

Në përvjetorin e 20 të Betejës së Koshares u kujtuan të rënët e saj. Familjarë të të rënëve me lot në sy deklarojnë se institucionet nuk kanë bërë e as nuk po bëjnë asgjë. Ndërkohë liderë institucionesh deklaruan se kujtojnë të gjithë të rënët e edhe masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë, madje folën edhe për ikjen e të rinjve.

Familjarë të dëshmorëve dhe shumë qytetarë nga vendi dhe rajoni kishin ardhur t’i kujtojnë të rënët në betejën me armikun serb në kufirin shqiptaro-shqiptar.

Sokol Çelaj me vaj në buzë kujton djalin e tij, Rifat Çelaj të rënë në betejën e Kosharës, por është i zhgënjyer me drejtuesit e institucioneve të shtetit që nuk kanë bërë sa duhet për familjet e dëshmorëve.

“Prej Gjermanisë ka ardh në luftë. S’kam ditë asgjë, veç kur me ka ftuar Rrustem Berisha, për me varros djalin. Unë e pritsha rrogën prej tij (djalit), por ai ishte vrarë këtu. Edhe pesë djem të tjerë i kam, ky pushtet nuk më ka ndihmuar asgjë. Të pestit i kam pa punë, edhe pse jam ngushtë shumë (materialisht). Askush nuk vjen me na vizitua. Nuk di çka u bë kështu”, tha Çelaj.

Ndërsa, vëllai i komandantit Agim Ramadani, Jashar Ramadani ka folur në emër të familjes së dëshmorëve, i cili vlerësoi lartë veprën dhe kontributin e të gjithë të rënëve në Koshare.

Ramadani tha se është bërë realitet ëndrra e Agimit për themelimin e ushtrisë.

“Jam i nderuar të flas sot para jush, jo vetëm si vëlla i Agimit, por jam një nga ju, dhe flas sot pas 20 viteve ku qëndrojmë pran tyre jemi më të lehtësuar, sepse e kemi edhe një amanet të realizuar në Kosovën tonë. Shokët mbajnë mend që Agimi u kishte thënë: “Edhe vetëm një ushtar nëse mbetet gjallë e ka për obligim ta formoj ushtrinë dhe me vazhdu luftën””, tha Ramadani.

E  Bashkim Jasiqi dymbëdhjetë vjeçar, në këtë përvjetor i ka kushtuar një poezi xhaxhait të tij, Bashkim Jasiqi, dëshmor.

Jasiqi: Ah sikur të kem mundësi të hedhem në përqafim

“Sot më 9 prill erdha në varreza

Por ti vetëm më dëgjon dhe nuk më flet dot

Shpirti yt në qiell vetëm më shikon afër të madhit Zot

Shikoj borën që ka rënë mbi ty dhe them aty je axhi im

Ah sikur të kam mundësi të hidhem në përqafi

Ku do që jam, ku do që shkoj nga zemrat e vuajtur nga zemra jo kurrë nuk s’të largoj

Të kujtoj me mall, të qoftë dheu i lehtë aty ku pushon ti”, kështu e ka kujtuar Bashkimi i ri, Bashkimin dëshmor.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se beteja e Koshares ka hapur një kapitull të ri në atë kohë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Sot kremtojmë 20 vjetorin kësaj beteje patriotike, atdhetare, të rëndësishëm dhe historike dhe vendimtare për çlirimin e Kosovës. Në radhët e këtyre angazhimeve për liri dhe pavarësi për çlirim ishin bashkuar të gjithë me një synim, me një qëllim, me një vizion për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga sundimi për më tepër se një shekullor i Serbisë. Sot po shënojmë 20 vjetorin e betejës së Koshares në të njëjtën kohë kujtojmë edhe masakrat që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë”, tha presidenti Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me këtë rast tha se u deshën 100 vjet që dëshmorët e lirisë t’i thonë jo ndarjes, por bashkimit. Por, Veseli pati një porosi për të rinjtë që po e braktisin Kosovën.

“U deshën 100 vjet që trimat si Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu, Abaz Thaçi dhe 114 dëshmorë të lirisë të vijnë pikërisht këtu, dhe t’i thonë jo ndarjes, pro bashkimit. Lufta e Kosharës, lufta e UÇK-së është luftë e shqiptarëve për liri, për bashkim për prosperitet dhe për orientim perëndimor. Shqiptarët edhe mund ta lëshojnë vendin e vet, tani më po na ikin shumë të rinj, mund të shkojnë lirshëm në Evropën perëndimore, por Kosova do të mbetet përjetë e shqiptarëve”, theksoi Veseli.

Ndërsa, në emër të kryeministrit Ramush Haradinaj, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe ish komandant në Koshare, duke thënë se vepra e dëshmorëve tashmë heronj duhet të jetë udhërrëfim për shtet ndërtim.

“Beteja e Kosharës ishte një betejë që nuk zgjati me orë, por ishte një betejë që zgjati po thuajse dhjetë javë. Gjatë kësaj kohe luftimet nuk pushuan dhe ishte shumë vështirë që të gjendet një ditë që nuk kishe luftime. Por, ajo që vlen të theksohet se këta djem, me një motiv të jashtëzakonshëm, me zemër të madhe ishin të vendosur të luftojnë deri në çlirimin përfundimtar të vendit”, tha Berisha.

Edhe Mustafë Fejzullahu nga Bajgora ka kujtuar vëllain e tij dëshmor, Ali Fejzullahu të rënë në luftën çlirimtare në Koshare, i cili kishte ardhur nga Italia për të luftuar në Kosovë.

Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot është organizuar manifestimi Tradicional “Ditët e Shqipes – 2019”, për nder të 20-vjetorit të Betejës së Koshares.

(Kosova Sot)