Britania mund të qëndrojë në BE deri në fund të vitit

  • 09 April 2019 - 16:04
Britania mund të qëndrojë në BE deri në fund të vitit

Bashkimi Evropian pritet që t’ia ofrojë Britanisë së Madhe qëndrimin në këtë bllok deri në fund të vitit pasi shefi i BE-së për negociata për Brexitin, Michel Barnier, dështoi t’i bindë shtetet anëtare të BE-së për planin e kryeministres May, i cili besohej se do ta zhbllokonte këtë proces.

Një numër i konsiderueshëm i shteteve anëtare, përfshirë Francën, Spanjën, Austrinë, Greqinë dhe Slloveninë, mbesin skeptike për afatin shtesë për Britaninë e Madhe, duke paralajmëruar sjellje të papërgjegjshme të institucioneve të këtij shteti ndaj Bashkimit Evropian, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Barnier i mblodhi ministrat e BE-së në një takim që u mbajt në Luksemburg për të bërë presion ndaj deputetëve britanikë në lidhje me kërkesën e kryeministres May për shtyrjen e Brexitit deri më 30 qershor.

Sidoqoftë, sipas një shkrese zyrtare, ka rritje të mbështetjes për idenë e një shtyrjeje më të gjatë, më saktësisht deri më 31 dhjetor të këtij viti. Merret vesh se asnjëra nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e ka kundërshtuar këtë ide gjatë takimit të ministrave.

Sipas kësaj shkrese, ministri austriak, Gernot Blumel, ka thënë se qeveria e tij dëshiron ta shmangë Brexitin pa marrëveshje. Sidoqoftë, ministri grek ka thënë se shtyrja e gjatë bart në vete rrezik sepse nuk dihet kush do ta udhëheqë Partinë Konservatore dhe se BE-ja dëshiron garanci për miratim të marrëveshjes, shkruan “The Guardian”

(Kosova Sot)