Rrëfimi prekës i mjekes për Betejën e Koshares: Përdora edhe sharrë për të shpëtuar ushtarët

  • 09 prill 2019 - 16:29
Rrëfimi prekës i mjekes për Betejën e Koshares: Përdora edhe sharrë për të shpëtuar ushtarët

Sot është shënuar 20 vjetori i Betejës së Kosharës e cila konsiderohet si njëra ndër betejat më të mëdha në vend të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë (UÇK) ku ranë heroikisht 114 dëshmorë.

Ndryshe Beteja e Kosharës konsiderohet si beteja vendimtare për çlirimin e Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë betejë ishin edhe disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndër ta deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj e cila në atë kohë ju shërbente ushtarëve si mjeke.

Ajo ka rrëfyer dhe kujtuar momentet të vështira të asaj kohe.

Kadrijaj tregon se pikërisht 20 vjet më parë ishte po i njëjti mot, por që sipas saj dallimi i asaj dite me atë sot është shumë i madh, sepse ajo ditë ishte njëra ndër ditët më të vështira për të.

Sipas deputetes atë kohë ka pasur një ekip mjekësor mjaftë mirë të përgatitur edhe pse ishin rrethana të vështira.

“Pikërisht para 20 viteve ka qenë kështu mot me shi dhe ftohët, dhe tash kur e bëj një krahasim të asaj dite me sot shumë e vështirë. Ekipi mjekësor në atë kohë ka qenë mjaft i përgatitur, kanë pasur njohuri për shërimin e plagëve për fashimin e tyre. Falë angazhimeve të kolegëve të mij mjek e infermerë shumë ushtarë sot janë gjallë e shëndosh e mirë. Kemi pasur mjaftueshëm barna e ilaçe, por megjithatë ka qenë e vështirë, mjekët e infermerët çdo mbrëmje kanë përgaditur fashat e ilaçet për ndonjë rast për të nesërmën”, ka thënë Kadrijaj për Ballkani.info. Si rastet më të vështira Kadrijaj, i konsideron ata ushtarë të cilët kanë vdekur duke u dhënë ndihmë mjekësore.

Ajo rrëfen edhe për raste kur është dashur të përdorinin edhe mjete jo adekuate për të shpëtuar ushtarët, ku njëri ndër to kishte qenë edhe futja në përdorim e sharrës.

“Ka pasur raste të shumta që kanë vdekur duke i trajtuar, ku kanë qenë raste të rënda, sepse përveç si luftëtarë kanë qenë edhe shokë tanë dhe ka qenë e dhimbshme.

Kemi pasur mjaftë ditë të vështira në disa raste në mungesa të mjeteve për trajtim mjekësor është dashur me përdor edhe mjete tjera siç është sharra e dorës, ku kemi pasur rastin me një ish-luftëtarë i cili sot është gjallë e shëndosh por që në atë kohë për të ia ndalur gjakëderdhjen dhe shpëtuar është dashur të përdorim sharrën e cila ka qenë jo adekuate, por që ka kryer punë”, ka përfunduar deputetja Kadrijaj.

(Kosova Sot)