Abdelkader Bensalah zgjidhet president i përkohshëm i Algjerisë

  • 09 April 2019 - 16:52
Abdelkader Bensalah zgjidhet president i përkohshëm i Algjerisë

Parlamenti i Algjerisë e ka zgjedhur kryetarin e tij të deritashëm, Abdelkader Bensalah, si pasardhës të presidentit të dorëhequr, Abdelaziz Bouteflika. Sidoqoftë, ai do të qëndrojë përkohësisht në këtë pozitë.

Bouteflika, i cili kishte qëndruar në pushtet për 20 vjet, dha dorëheqje javën e kaluar pas shumë protestave kundër tij dhe qeverisë.

Bensalah do ta udhëheqë vendin gjatë periudhës së tranzicionit apo deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

Megjithatë, shumë protestues nuk e kanë përkrahur vendimin për zgjedhjen e tij si president të përkohshëm, sepse ata po kërkojnë ndryshime më radikale në skenën politike të vendit.

“Dëshiroj të punoj për t’i plotësuar interesat e popullit. Është përgjegjësi e madhe, të cilën kushtetuta e kërkon nga unë”, tha Bensalah para deputetëve algjerianë.

Pritet që ai ta ushtrojë detyrën e presidentit vetëm për 90 ditë. Posa u dha lajmi për zgjedhjen e tij, protestuesit dolën në rrugë dhe u dëgjuan duke brohoritur “Bensalah, ik”.

Që nga fillimi i protestave në muajin shkurt, protestuesit nuk e kanë kërkuar vetëm dorëheqjen e presidentit Bouteflika. Ata po kërkojnë që të ndryshohet e tërë elita politike, përfshirë njerëzit që kanë qenë të afërt me presidentin e dorëhequr, shkruan “BBC”

(Kosova Sot)